At’ Nikollë Marku/ Do të mbajmë meshë përkujtimore për Kudret Kumen!

571
Sigal

Shteti shqiptar të mos heshtë, të mbrojë me dinjitet qytetarët e vet!

U bënë rreth 10 ditë nga vdekja makabre në burgun e Nigritës të shtetasit shqiptar Ilia Kareli (Kudret Kume). Një vdekje e dyfishtë, e paprecedent, e paimagjinuar, jashtë çdo parashikimi njerëzor. Një vrasje mesjetare, që ka indinjuar të madh e të vogël në mbarë globin kur videoja bëri xhiron e botës. Të gjitha organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e cilësuan këtë ngjarje nga më monstruozet, nga më të  dënueshmet e këtij shekulli. Vetëm pas këtij indinjimi mbarëbotëror Prokurori grek i Amfissas, Niko Antonarakis, ka lëshuar para dy ditësh 8 urdhër arreste për personat që dyshohet se janë përgjegjës për vdekjen nga dhuna të të dënuarit shqiptar. Aktualisht nga mediat greke flitet se janë nën akuzë dhe zyrtarë të burgut të Nigritës, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrahjen dhe torturën me pasojë vdekjen e 40-vjeçarit shqiptar.

 Po shteti shqiptar?

Shteti shqiptar ka bërë vetëm një deklaratë servile, të nëpërkëmbur, aspak dinjitoze, të vakët që as mund të mendohet sot nga asnjë diplomaci e vendeve europiane. Një reagim foshnjor, thuajse inegzistent dhe pa asnjë vlerë për opinionin shqiptar. Një reagim i Ministrisë së Jashtme, ku thuhet: “Të gjenden fajtorët!”. Po kush janë fajtorët?! Nuk e di qeveria shqiptare se kush janë?! Është vetë politika raciste greke, qarqet ultranacionaliste që kërkojnë të ashtuquajturin Vorio-Epir. Janë të gjithë  simpatizantët e partisë naziste “Agimi i Artë” që shprehet hapur kundër emigrantëve shqiptarë. Një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Greqi. Një tragjedi që mund të komentohet me të gjitha ngjyrat e errëta. Dhe shteti shqiptar hesht. Hesht se mendon se me heshtje mund të qetësojë gjakrat e shqiptarëve të nëpërkëmbur. Kjo heshtje servile, e nënshtruar nuk është në interes as të qeverisë as të vetë shqiptarëve, aq më keq të emigrantëve. N.q.s do të protestohet me dinjitet, n.q.s do të veprohet në bazë të logjeve ndërkombëtare, n.q.s do të zbatohet Karta e të Drejtave të Njeriut, atëherë do të fitojë edhe vetë Shqipëria, edhe vetë emigrantët. Heshtja favorizon Greqinë, favorizon qarqet ultranacionaliste, të cilat i ndezin fitilat e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Sa më dinjitoz të jetë një shtet në mbrojtje të qytetarëve të vet, aq më i vlerësuar mbetet ai si ndaj bashkështetasve po aq dhe në sytë e popujve të tjerë. Me këtë qëndrim indiferent, tregohet qartë se kjo do të jetë vrasja e ardhës që bëhet ndaj emigrantëve tanë në Greqi. Do të jetë ngjarja e ardhës pasi heshtja gjithmonë favorizon kundërshtarin, favorizon ata që i kryejnë këto veprime monstruoze. Nuk është rasti i parë që gardianët grekë sillen në mënyrë çnjerëzore ndaj emigrantëve shqiptarë të burgosur në Greqi. Burgu famëkeq i Koridhaloit, ka shumë shembuj të tillë, ku keqtrajtimi i ngjan i atyre të  skllevërve. Dhe kur them mund të jetë ngjarja e ardhës nuk e them më kot, por bazuar në eksperiencën e këtyre viteve. Hesht shteti, hesht Avokati i Popullit, hesht ambasada, policët grekë i quajnë shqiptarët si njerëz të dorës së fundit, ku çdo kush mund të bëjë dhe eksperimente. Nuk mund të konceptohet që në një shtet të BE, në një shtet që kryeson BE në këtë gjashtë mujor, të kryhen  vrasje mesjetare që tmerron çdo kënd që e shikon.

Greqia me dy standarde

Por ajo që vihet re në fqinjin tonë jugor, është se edhe pse është nj ndër shtete e parë të BE-së brenda vendit të saj ka dy standarde që nuk përputhen me normat e BE-së. E para është se aty është legalizuar një parti naziste si “Agimi i Artë” dhe e dyta pasi legalizimi i emigrantëve nuk bëhet i njehsuar si bendet e tjera Gjermani, Itali, Belgjikë, Francë etj.. Bashkimi familjar në kuadrin e të qenit prind, nuk mund të bëhet në Greqi, pasi nuk e ka unifikuar këtë proces si të gjitha vendet e tjera të BE. Duke pasur standarde të ndryshme brenda një bashkësie domosdo që do të kryhen dhe vrasje të tilla.

Heshtja e Janullatosit

Ajo që u ka bërë më shumë përshtypje shqiptarëve ortodoks, por dhe gjithë  shqiptarëve është heshtja e kreut të ortodoksisë shqiptare Janullatosit. Ai që betohet për barazi, drejtësi, shërbesë, ndjeshmëri, vëllazëri, ndihmë, respekt të jetës njerëzore, respekt ndaj të drejtave të njeriut, respekt ndaj zotit dhe të gjithë besimtarëve ortodoks, ndaj nj vrasjeje të tillë ka heshtur, Ku është ky Janullatos që për vrasjen e nj të riu para disa viteve në Himarë e ngriti zërin në qiell për mbrojtjen e jetës njerëzore?! Ku është ky engjëll i besimit fetar, që duhet të garantojë respektin dhe korrektësinë më të madhe ligjore ndaj njerëzve të zotit?! A duhet të bënte ai një shërbesë, meshë  në ditën e varrimit? A duhet ai të ngrinte tonet ndaj qeverisë së tij, ku njerëzit me uniformë, mbrojtësit më besnikë të ligjit, janë më fanatikët e shkeljes së tij?!

Koha për respekt dhe dinjitet

Dhe n.q.s Janullatos harroi, nuk do të harrojmë. Respektin ndaj Ilia Karelit (Kudret Kume) do ta çojmë në fund. Ai u vra padrejtësisht, brutalisht, dhe ne njerëzit e zotit duhet ta respektojmë më shumë se çdo kush. Është një detyrim shpirtëror që duhet të ngrejë peshë ndërgjegjen e çdo shqiptari që të respektohemi siç e meritojmë. Të respektohemi  si shtetas të një vendi europian që aspiron për demokraci, zhvillim, drejtësi, shtet të së drejtës. Ne do të bëjmë një meshë përshpirtje për Kudret Kumen që shteti grek me politikat e tij emigruese diskriminuese edhe emrin ja ndërroi në Ilia Karreli. Në këtë ditë i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të ngrejë zërin e protestës ndaj qeverisë greke ndaj diskriminimit që i bën emigrantëve dhe për më tej të burgosurve tanë aty. Sot ka shumë organizma ndërkombëtarë si në Hagë apo Uashigton që merren drejtpërsëdrejti me të drejtat e njeriut. Është koha për ta bërë prezent zërin e protestës, zërin e arsyes, zërin e së drejtës, pasi çdo heshtje do të jetë në disfavorin tonë.