At’ Nikolla MARKU/ Thirrje shpirtërore për të shpëtuar kishën ortodokse shqiptare

623
Sigal

Kombi shqiptar, në atdheun e tij në Ballkan si dhe diasporë dhe emigracion, SHBA, Europë, Australi, Kanada, Argjentinë etj., ka humbur lirinë dhe pavarësinë e një nga shtyllave kryesore që mbajnë kombin në ekzistencë dhe shoqërinë në përparim. E kemi fjalën për kishën ortodokse të kombit shqiptar. E  themi me dhimbje dhe dëshpërim se kisha e pavarur ortodokse, e ndërtuar nga kryepeshkopi i parë shqiptar, eruditi Fan Noli, ka humbur lirinë dhe pavarësinë e saj. Sot në emër të kishës ortodokse shqiptare, janë një grup njerëzish me origjinë dhe kombësi tjetër, e kemi fjalën për Anastas Janullatos e kompani. Këta njerëz, e kanë kthyer kishën në një shoqëri oligarkike me qëllimin e vetëm, biznesin dhe tjetërsimin e Shqipërisë së jugut, duke përdorur minoritetin Grek si pretekst. Veprimtaria e tyre, nuk ka të bëjë me liturgjinë dhe besimin ortodoks shqiptar, koha ka vërtetuar të kundërtën, gjithçka e tyre është në planin njëqind vjeçar për të krijuar vërtetë Vorio-Epirin. Veprimtaria e tyre tashmë dihet dhe ne nuk po e përmendim. Ne bëjmë një thirrje shpirtërore, si besimtarëve dhe shqiptarëve, institucioneve e mediave dhe personaliteteve shqiptare të vlerësuar, jo vetëm nga kombi shqiptar, por dhe nga institucione ndërkombëtare. Vërtetë në kemi mijëra mesazhe dhe telefonata nga shqiptarë ortodokse, por dhe patriotë të besimeve të tjera, që ne t’ju drejtohemi intelektualëve të shquar të fushave të ndryshme, sepse shqiptarët e ndershëm dhe të përgjegjshëm, mendojnë drejtë, se pavarësia e kishës ortodokse, si pasuri e kombit shqiptar, duhet mbrojtur nga ndërhyrjet e padobishme dhe me qëllim shovinist. Thjeshtë bashkëkombës që e duan atdheun e tyre dhe veprën e rilindësve, identitet përforcues, kërkojnë qëndrime të drejta dhe të vërteta nga intelektualë të shquar në lidhje me pushtimin e kishës nga greku dhe shovinisti Anastas Janullatos e kompani. Duke respektuar dëshirën e bashkëkombësve tanë, kudo që ndodhen, për të pasur një kishë ortodokse kombëtare shqiptare me themelues eruditin e madh Fan Nolin dhe me staf drejtues vetëm shqiptarë, ashtu siç e kërkon statuti i kishës, statut i njohur dhe nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit. Ne mendojmë se ju mund të flisni qartë dhe ndershmërisht për kishën dhe pavarësinë e saj nga kisha greke.

-Akademia e Shkencave e Kombit Shqiptar: Një institucion gjithpërfshirës, i mendjes dhe veprës intelektuale në të gjitha fushat e jetës. Ky institucion, në histori, letërsi, gjeografi, art, arkeologji etj. Me qëndrimin e drejtë që mund të mbajë, e ndal dallgën shoviniste të Janullatosit dhe sillogëve grekë.

-Komiteti i Kulteve të Besimit: një institut hyjnor, mundet të mbajë një qëndrim ndaj Janullatosit, që ky të mos shfrytëzojë besimin për qëllime shoviniste kundër kombit shqiptar.

-Kuvendi i Republikës së Shqipërisë: Mundet të ndryshojë ato ligje që ka propozuar Janullatos përsa i takon besimeve në Shqipëri.

-Presidenti i Republikës: Mundet t’i referohet historisë së kishës në kohën e Mbretërisë Shqiptare, kur kryepeshkopi dekretohej nga Mbreti sipas statutit të kishës.

-Lidhja e Shkrimtareve dhe Artistëve: mundet me letërsinë dhe artin muzikor dhe aktorial, dokumentare, filma etj., të ndalë në mënyrë artistike dhe letrare, helmatisjen e shpirtit shqiptar nga kultura e imponuar nga shovinizmi Janullatos, si në muzikën kishtare, tekstet që boton ai, apo histori të shpikura për kishë ortodokse të kohës kur sundonte Bizanti.

-Këshilli i Ministrave të Republikës: mundet, me ministritë përkatëse si Ministria e Kulturës, Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Integrimit, Shërbimi Sekret i Sigurisë Kombëtare të jetë më koherent. Mundet të marrë masat e duhura për të ruajtur kulturën dhe trashëgiminë e objekteve të kultit ortodoks shqiptar, duke mos lejuar që ajo të kthehet në helene. Ministria e Jashtme, ta mbrojë kombin shqiptar nga përbaltja që bën Janullatos kundër atdheut tonë.

Ministria e Integrimit, mundet të na mbrojë nga interpretimet e Janullatosit në arenën ndërkombëtare, për gjoja prishje të standardeve dhe lirisë fetare në Shqipëri.

Ministria e Brendshme, së bashku me shërbimin informativ, mundet të parandalojë dhe të mbajë qëndrim të rreptë për zhvarrimet, ngjarjet në Përmet apo propaganda anti- shqiptare brenda minoritetit grek. Nuk duhet të harrojmë mbështetjen që i jep partia Agimi i Artë nga Greqia Janullatosit.

-Veteranëve të Luftës së Dytë Botërore: Ju që luftuat për pavarësi dhe liri, pa dallime politike dhe të pa inkriminuar, gjatë luftës dhe diktaturës, besojmë se jeni në mbështetje të pavarësisë së kishës ortodokse kombëtare shqiptare. Qëndrimi juaj kundër shovinizmit të tipit Janullatos, do të jetë forca madhore dhe me përvojë në dobi të atdheut tonë të përbashkët. Për ne do të ishte një mbështetje e madhe morale dhe shpirtërore.

Ne, po ndalemi edhe në disa emra të përveçëm, pa nënvlerësuar apo përçmuar askënd. Por nga kërkesat e mijëra shqiptarëve, për disa personalitete të shquar në fushën e tyre të profesionit, si brenda atdheut të copëtuar në Ballkan ashtu dhe jashtë në diasporë dhe emigracion me dëshirën e tyre, ne po citojmë disa elefantë të gjuhës shqipe dhe historisë tonë: Zoti Dritero Agolli, Zoti Abdi Baleta, Zoti Ismail Kadare, Zoti Paskal Milo, Zoti Rexhep Qosja, Zoti Piro Milkani, Zonja Rudina Xhunga, Zonja Valentina Duka, Zoti Shaban Sinani, Zoti Aurel Plasari, Zoti Mark Krasniqi, Zoti Blendi Fevziu, Zoti Arjan Cani, Zoti Theofan Koja Arkimandrit të SHBA-së, Zoti Gjon Bucaj, SHBA, Zoti Nikolla Kavaja, Kanada, Zoti Naun Prifti, SHBA, Zoti Artur Liolin.

Në mbyllje të kësaj thirrje shpirtërore, si shqiptarë, por sidomos si besimtarë ortodoksë, duam të theksojmë disa qëndrime të rëndësishme.

Ne nuk duam kurrsesi me këtë thirrje, të nxisim urrejtje apo të tundojmë askënd. Ne nuk duam të vëmë në pozita delikate asnjë institucion apo individ në lidhje me shtetin grek apo me popullin grek. Ne kërkojmë, që thellësisht nga e vërteta të dalë qëndrimi sa i moderuar, po aq dhe mbrojtës, i vlerave të pavarësisë së kishës ortodokse kombëtare shqiptare. Ka dhe shumë intelektualë të mirëfillte që na mbështesin, intelektualë shqiptarë, si nga trevat shqiptare ashtu dhe nga emigracioni, apo diaspora e përmallur për atdheun dhe të parët e tyre. Ne besojmë se të mbrosh një vepër dhe vlerë të rilindjes së gjuhës shqipe, apo traditave të kultit të ndërtuara me aq mund dhe sakrificë në rrethana krejt të pafavorshme, krahasuar me qëndrueshmërinë institucionale të 2014, është e mundur që derrit t’i thuhet derr dhe dajës t’i thuhet dajë. Kisha ortodokse, nuk është vetëm e ortodoksëve shqiptarë apo minoritetit grek, kisha ortodokse shqiptare, është vlerë dhe identitet i pjesshëm i kombit shqiptar. Ne mendojmë se duhet mbrojtur nga të gjithë, pavarësisht besimit apo bindjeve politike të ndryshme. Siç mbrohet kisha ortodokse nga sulmi i shovinizmit grek, ashtu duhet të mbrohen të gjitha vlerat e besimeve në Shqipëri dhe historia apo tradita e tyre ndër shekuj. Shpresojmë dhe besojmë në mirëkuptimin tuaj, duke ngritur shqetësimin e fundit. Mire Janullatos po e bitis ashtu siç e nisi, por kush vjen pas tij? Përsëri një kryepeshkop grek? Apo është përgatitur deri tani ndonjë shqiptar?! Ndoshta do të kemi ndonjë shqiptar me shpresën që të mos jetë pagëzuar nga shovinizmi i Vorio-Epirit, apo partia naziste e Agimit të Artë. Është rasti për të përshëndetur qëndrimin e prerë të shtetit grek ndaj kësaj partie që kërkon të fusë Ballkanin në një luftë tepër të rrezikshme. Bekuar qofshi nga Zoti.

Paqe dhe harmoni tek ju dhe Kombi Shqiptar. Respekt të plotë për çdo institucion dhe intelektual.

Kisha Ortodokse e Pavarur Kombëtare Shqiptare Shën Maria, Elbasan