At’ Nikolla MARKU/ Të mos derdhet gjak shqiptari!

623
Sigal

Të mos derdhet gjak shqiptari. Lajmet që po shtohen përditë, për vrasje brenda familjes, të komshiut për çështje prone, të krushqive njëra me tjetrën, gjakmarrje dhe së fundi shpërthime me tritol, po na tronditin. Jeta në shoqërinë shqiptare është rënduar me gjak.

U treguam të gatshëm për protestë kundër demontimeve të armeve kimike siriane. Përse jemi indiferentë, për lajme që tregojnë humbje jete njerëzish? Perse nuk jemi të vullnetshëm për të protestuar paqësisht kundër derdhjes së gjakut shqiptar, protestë kundër mendjeve të nxehta dhe hakmarrëse, që vijnë nga konkurrenca e pandershme dhe zilia për tjetrin.

Si prift i kishës ortodokse të pavarur kombëtare shqiptare, pa Anastas Janullatosin, por në emër të besimtarëve ortodoksë shqiptar, kërkoj ndihmën e Zotit që mendjen e nxehtë të ndokujt të frenohen dhe t’i thërrasin arsyes, respektit dhe dashurisë njerëzore.

Askush nuk ka të drejtë të marrë jetë njeriu, sepse jeta i takon personit dhe i është dhënë dhuratë nga krijuesi, nga Zoti. Për fat të keq dhe pas tronditjes shpirtërore, vrasja e tre vajzave motra nga nëna e saj, pothuaj i vulosi instinktet njerëzore të dëmshme që çojnë deri në ekzekutim të fëmijës që ke lindur vetë. Çfarë dëshpërimi i pamat, kur një nënë, imagjinon se vajzat e saj i pret një e ardhme prej prostitutash! Sigurisht që, ne, sjellje çnjerëzore, prostitucioni të detyrueshëm me dhunë në Itali, vazhdojmë ta vuajmë dhe sot. Me keqardhje e them por, vura re se shoqëria civile por, dhe politika e shteti, e përcollën këtë ngjarje si lajm tragjik. Fatkeqësisht u mjaftuam me kaq. Ne besimtarët ortodoksë, lutemi për shpirtin e tre vajzave të mrekullueshme, që nuk patën mundësi të jetonin jetën ashtu siç e jetojmë të gjithë, me të mirat dhe të këqijat e saj. Askush nuk i di planet e Zotit. Çdo veprim i tmerrshëm ka shkaqet e veta. Më bëri përshtypje deri në përlotje posteri që kishin përgatitur me foton e tre motrave me nënshkrimin italisht mirupafshim, me nënkuptim mirupafshim në parajsë. U sakrifikuan tre vajza engjëj nga terrori psikologjik dhe pasiguria e nënës. U sakrifikuan tre motra në mënyrë të padrejtë për shkak të frikës nga nëna e tyre se mund të bëheshin prostituta. Veprimi i zonjës është tejet i papranueshëm, por për ne, thelle në shpirt është një mësim. E them me keqardhje por konstatoj se shoqëria intelektuale po i kalon me indiferentizëm disa dukuri të dëmshme. Ne jemi koshientë që në Itali, dhe disa vende të Europës, ka vajza që punojnë si prostituta, më keq akoma kur mbikëqyren po nga shqiptarë. Shoqëria me inteligjencë të lindur, apo intelektuale dhe shpirt hyjnor, siç na mësojnë të gjithë profetët, duhet të parandalojë shkaqet e ngjarjeve të renda që po ndodhin. Ne nuk duhet të nxjerrim mësim kur ndodh fatkeqësia apo derdhet gjak, shkohet dhe më teje me djegie të kufomës së vrarë. Çfarë po na ndodh.

Përse ajo nënë masakroi fëmijët e saj? Përse gruaja vret burrin, apo burri gruan? Përse  vendosen tritol nga djem të rinj? Përse paguan dikush për vrasje apo terror? Përse ngre krye gjakmarrja, madje deri tek fëmije të ngujuar? Përse kemi aborte dhe divorce në rritje? Përse tradhton burri gruan dha gruaja burrin? Përse kemi grabitje me dhunë? Përse njerëzit janë indiferentë ndaj pendimit dhe lutjes? Përse shpresa për një jetë më të mirë, po mbulohet nga zymtia e zilisë dhe mungesa e dashurisë, respektit për njëri-tjetrin? Kush mbjell kaq urrejtje në politikën e Shqipërisë? Perse politika ka hequr dorë nga misioni i saj për zhvillim të shoqërisë, rritje të mirëqenies dhe besimit në Zot? Përse i zhgënjejmë njerëzit, kur marrim përsipër misionin e fjalës së Zotit dhe në jetën e përditshme, bëhemi dhe më keq se ata që janë në mjerim shpirtëror? Ka dhe shumë përse të tjera.

Shkaqet pothuaj ne i dimë të gjithë, por në mendje me vjen vargu i famshëm i poetit të përjetshëm Migjeni: “Kafshate që s’kapërdihet është or vëlla mjerimi”.

Mjerimi! Mjerimi than shpirtin, ngrin ndjenjat, egërson vullnetin, shpëlan mendjen, shndërron njeriun në një humbës tek çdo gjë e jetës, e kthen njeriun në një qenie të egër dhe agresive. Mbijetesa e mbështetur në vullnete dhe mendje negative, kundër vetvetes si qenie dhe të tjerëve, nuk është kurrë jetë e njeriut të vërtetë, human dhe dashamirës.

Mjerimi shpirtëror, mjerimi mendor, mjerimi intelektual, mjerimi ushqimor, mjerimi i ndershmërisë, mjerimi i virtyteve, mjerimi i pasioneve, mjerimi i vullnetit, mjerimi i mirësisë dhe humanizmit, mjerimi artistik, mjerimi i gëzimit në jetë, shumë i rëndësishëm është mjerimi i dashurisë njerëzore për gjithçka që na rrethon…………ka dhe mjerime të tjera. Përse ky vullnet i zi dhe negativ për të mjeruar njeri-tjetrin, sepse mjerimin e shkaktojmë vetë kundër njeri-tjetrit. Dikur Balzaku ka thënë: “Mos kini frikë nga Zoti, sepse Zoti na ka dhënë gjithë këto të mira por ki frikë vetveten ose nga njerëzit. Njerëzit e bëjnë të lumtur një shoqëri ose e fusin në errësirë, ku gëzimi në jetë do të jetë sa ndriçimi i një ylli të largët në errësirën katër aneshe të pafundme.

Të mos derdhet gjak shqiptari. Duhet të përpiqemi të gjithë së bashku, për t’i ndalur të gjitha pyetjet që ngrita më sipër. Në familje, në shkollë, në punë apo profesione të ndryshme, të ofrojmë kujdes dhe mirësi për njëri-tjetrin. Duke respektuar njëri-tjetrin, ne respektojmë vullnetin e Zotit.

Ne e dimë shumë mirë se, mjerimi është mungesë ushqimi, mungesë strehimi, mungesë pune, mungesë dije, mungesë profesioni. Besoj se këto janë shkaqet kryesore që lindin dhunë, tritol, gjakmarrje, vrasje, zili, vjedhje, tradhti etj. Duke qenë vetë familjar, ndjej dhimbje të madhe kur dëgjoj apo lexoj lajme, për mosha adoleshentësh dhe të rinjsh që kryejnë akte të rënda, për shkak të mjerimit apo poshtërimit, nga karshillëku i ndokujt që ka më tepër. Mirëqenia nuk është virtyt por habitat, apo thënë shqip, mjedisi ku jeton. Krenaria nuk është urti, por formë sjellje ndaj tjetrit.

Të mos derdhet gjak shqiptari. Të luftojmë mjerimin aty ku ekziston. Dikush e mbjell mjerimin për të përdorur njerëz si skllevër, në mënyrë që të ngopë lakminë e tij që shkon përtej Gobsekut të shkrimtarit Balzak. Mjerimi torturon shpirtin, tundon zemrën edhe tek njeriu i mirë e jo më tek ajo pjesë e shoqërisë, që për një makinë apo disa mijëra euro, ose dëshirë për një dhuratë tek e dashura, bën veprim të dhunshëm.

Ne, bashkë me shoqërinë civile, institucionet shtetërore, politikën dhe çdo grupim tjetër shoqëror, duhet të ndalim këtë valë satanike që përdor dhunë, tritol, armë që shkaktojnë vdekje. Çdo shqiptar është i shenjtë. Ne nuk duhet të lejojmë që atdheu ynë të bëhet i padurueshëm dhe i pajetueshëm për vetë shtetasit e tij.

U bëj thirrje si shqiptar i veshur me veladonin e priftit, dhe plot përulësi përpara Zotit, të ndalim dhunën, vrasjet, shpërthimet, shkatërrimin e familjes dhe shoqërisë nga vese të ulëta dhe mjerane. Ne mund t’ia dalim që Shqipëria të jetë një vend i mirëqenies dhe harmonisë. Le t’i themi jo indiferentizmit, jo dhunës, jo gjakmarrjes, jo drogës, jo urrejtjes në parlament, jo tritolit. Le të ngrohim zemrën dhe të heqim dorë nga lakmia, tradhtia dhe urrejtja. Atdheu ynë mund të jetë nesër një vend normal. Do të ishte fatkeqësi që këto shpërthime tritolesh, të jenë të organizuara për terror psikologjik kundër zhvillimit të vendit, sepse vjen momenti, kur pas dorës së mirëkuptimit dhe dashurisë, vjen disiplina e Zotit, disiplinë, e cila zbatohet nga njerëz të ndershëm dhe plot forcë morale. Ne nuk mund të lejojmë askënd të na shkatërrojë kombin për shkak të lakmisë për pasuri dhe imoralitet.

Le të shkojmë drejtë Pashkëve të shenjta në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin. Le të heqim dorë nga urrejtja dhe ta meritojmë jetën ashtu siç duhet të jetë në të vërtetë, me dashuri dhe harmoni, jo me zili, jo me mashtrim. Jeta ka vlerë lumturie kur të gjithë jemi mirë dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Ne shqiptarët e meritojmë dinjitetin, kur të japim shembujt konkretë të respektit dhe vlerësimit për njëri-tjetrin, duke e konsideruar kombin shqiptar një familje me dashuri brenda nesh, dashuri që do të na e zbresë vetë Zoti, kur shpirti ynë të jetë gati në pastërti. Jo gjakderdhjes shqiptare në çdo aspekt të jetës!

 KISHA ORTODOKSE E PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE

SHËN MARIA, ELBASAN