Astrit Çerma/ Pranë Migjenit…

558
Në tërë këtë jetë plot vezullim e ndriçim, mbushur me begati dhe hare, që dhe “bota na e kishte dhe na e ka zili”. Ç’është ky, ëëë?! Ky që më fanepset. Njeriu, që herët në mëngjes- mëngjeseve, për të mos u prishur gjumin e fëmijëve, tërheq derën e shtëpisë nga pas me ngadalë i përshëndetur heshturazi nga buzëqeshja e trishtuar e gruas?! Ëëëëë?… Ç”është ky?! Unë, çuditërisht i dëgjoj, po… vallë a i dëgjon kush ulërimat e hapave të tij që gërryejnë rrugët e rrugicat e qytetit që në “pikë te sabahut’ për të gjetur apo për të lypur një… punë? A thua s’i dëgjon askush?! Po. Patjetër! Heshtin lajmet, gazetat, radiot, TV -të, revistat, zyrat, institucionet, shoqatat, partitë, sindikatat… Zhgërryhen dhe gromësijnë plazheve, hoteleve, ujërave, kazinove, deputetët, ministra, analistët, letrarët, juristët, palaçot, shefat, kryetaret dhe sekretarët, “ishët” dhe” Gjëmojnë, aksidentet. vjedhjet, vrasjet, rrahjet, grabitjet, divorcet, përdhunimet, larjet e hesapeve, arrestimet, sekset, anekdotat banale, shpifjet, lehjet e qenve nëpër tribuna, gjokset, shalët e bythët, lindjet dhe vdekjet e vipave dhe e rripave. Gjëmojnë, gjëmojnë që të mos dëgjohen ulërimat e hapave në rrugët e rrugicat që bubullojnë rënkueshëm për një… punë. Të mos dëgjohen qarjet e fëmijëve për mëngjesin dhe për lodrën… 

Të mos dëgjohen ngashërimet e ngrira të një nëne dhe një gruaje që nuk mund të fali buzëqeshjen… Të një babai që para se të tërheqë heshturazi derën dhe para se të marrë buzëqeshjen e trishtuar të gruas… përthith lotin… Patjetër më shpifet mua… një hije dhe… asgjë tjetër. Patjetër hije, fantazmë, një hiç gjë… Mundohem të flasë, të thërrasë, të ulërijë: -Ah që s’kam një grusht… Por… Ja… mbas bubullimave të hapave të atij “hiçi”. Vetëtin mëngjesi… radiot e TV gjëmojnë sihariqet: “Presidenti dekoroi me urdhrin”… “Kryeministri u nis përsëri për udhë”… “Deputetët u grindën për buxhetin”… “Ministri i… shpall tenderat”. Gazetat zbërthejnë dhe mbërthejnë “enigmën e vdekjes së Mehmet Shehut”. Vrasie apo vetëvrasje?! Se kujt (me nder) po i çahet menderia për këtë as kush nuk do t’ia dijë. Nesër, me kismet të Zotit, shpresojmë të thonë një dy fjalë për Haxhi Qamilin, se ndoshta kështu i zbuten dhe hallet fukarenjve edhe të papunëve dhe pasnesër të ribotojnë, rikujtimet e Izetit për firmën VEFA. Ndoshta ngushëllohen dhe ata që marrin ndihma fukarallëku… Sa për të tjerat, më the të thashë. Shumë në rregull janë punët. Saliu me rrugët dhe Edi me stadiumet e kanë bërë “këtë vend bahçe me lule”. Pa le Tirana e Veliajt që me semaforët po çmend nga zilia Amsterdamin, ku jeton zonja e kryetarit të opozitës… Ndërsa ai. Hiçi. Hija… Fantazma… herët, mëngjeseve, tërheq derën. Ah… Mundohem e stërmundohem t’i shkëputem Migjenit, por sa më shumë i largohem aq më shumë më afrohet ai.
Mbrëmë kisha mik Migjenin, 
Pimë një gotë, 
Kujtuam një kujtim, 
Qamë një hall, 
(Çuditërisht S’përmendëm asnjë gëzim) 
Pastaj. Ehh… Pastaj…! 
Ai iku në gjumin e ëndrrës së tij, 
Ndërsa unë… 
U preha ne ëndrrën e gjumit tim…! 
Sigal