Astrit Çerma/ Kur Kryeministri fton Fenë të ulet në bankat e shkollave të Republikës!

663
Jo, jo… Nuk më duket çudi, jo… Është bërë modë tek ne që sa herë që lumi i halleve e i derteve, i problemeve dhe vështirësive, fillon e turbullohet dhe tenton të dal nga shtrati e te vërshoi, befas del një budalla dhe hedh nje gurë në të, edhe, hopa, kridhen në lumë, kush me kokë e kush me bythë, “të mënçurit” e fjalës e të shkrimit, e “kërkojnë gurin” me shpresën e madhe se do të kullojnë lumin…Sa “budallenje”, në sa “lumej”, kanq hedhur gurin e sa “të mënçur” janë kredhur- s’ka të numëruar, por…ky guri rradhës që u hodh nga Kryeministri, po i lajthit të gjithë të mënçurit… 

“Kryeministri fton Fenë të ulet në bankat e shkollave të Republikës”! Nga ç’thellësi errësire del e ulurin kjo “ftesë” makabre?!.. Ëëë?!…”Kryeministri fton Fenë të ulet në bankat e shkollave të Republikës”! Kam shkruar shumë për Elbasanin e të gjitha besimeve e të gjithë besimtarëve, kam shkruar për harmoninë dhe respektin, për dashurinë dhe mirësjelljen. Kam shkruar dhe kam gjetur mbështetjen e shumë e shumë qytetarëve të qytetit tim dhe më tej, për të gjitha festat, pagane, fetare, historike, shoqërore dhe familjare. Sepse vetë Elbasani historikisht qyteti i arsimit dhe kulturës i ka ushqyer qytetarët e tij me një marrëdhënie kaq miqësore sa…kjo lajthije e Kryeministrit që “ka hedhur idenë për studimin e fesë nëpër shkolla” vërtetë të irriton… 

I irrituar u sula edhe unë të shkruaja, por…ja…Të djelën janë Pashkët e vogla. Rri e vras mendien: Po unë. A t’i festoi?… Me jep një mendim z.Kryeministër?…E di qe je hazët xhevap, por..të lutem mos u nxito…Sepse, ja…, befas, gjej midis shënimeve të vjetra dhe një fletë të zverdhur nga koha, ku kronologjikisht renditen indetitetet e gjyshërve dhe gjysheve. 

Nga babai: Myrteza dhe Xhemile Çerma, nga nëna. Mustafa dhe Haxhire Garunja. Pastaj prindërit Isuf dhe Hamide e pas tyre ne fëmijët.
Fëmija e para, motra e madhe Xhemile Çerma (Previzi) lindi më1934 dhe natyrisht, sipas traditës dhe jo sipas besimit,”ngjalli” gjyshen. 
I dyti, vëllai, Myrtezai, 1936, “ngjalli” gjyshin. Të dy emra myslimanë. E treat, motra Nashifer Çerma (Lekbello), 1939.Thuhej se ky emër ishte “modern” për kohën. Por ky emër, gjithashtu thuhet, se nuk është mysliman. Është më i lashtë…A s’të përkon pa dashje me emër persian e më tej? A nuk duket sikur Nashifer përcillet nga perëndia e lashtë Nefertiti?!…Është pothuajse…Një emër Pagan. 

Në vitin 1941 vjen në jetë motra e tretë… Elisabeta. Elisabeta?!.. Po. Po, Elisabeta që ne i thërrasim Beta…A nuk ju duket sikur ka lindur në Angli? Është viti 1941!? Në Elbasan, në lagjen “Sul Misiri”. Elisabeta nga “Grant Bretanja”! Ku e gjetën prindërit e mi këtë emer? Në cilin libër, film apo ndodhi të kohës? Po…Në cilën shkollë?!…Nuk e di, por e di shumë mirë se të gjithë “mëhallalijt”, kaurri e mysliman uruan prindërit: Ta gëzojë emrin. Dhe e uruan motrën: Ta nderosh emrin! Një emër Protestan. 

Më 1945 vazhdon tradita e “ngjalljes”. Vjen në jetë Alushi. I vihet emri i dajës. Ne elbasanllijtë, qoftë vëllain e nënës e qoftë vëllain e babës e quajme “daj”. Çuditërisht megjithëse kam pyetur shumë emri Alush nuk gjendet kështu siç është në emrat myslimanë tek askush tarikat. Tek katolikët po. Përdoret shkurt, Lush. Një ditë, këtu ku jetoj dëgjoja një nëne nga Pakistani që i thërriste fëmijës: Alushi, Alushi!… Me theksin tek “i”-ja. E pyeta. Mu përgjegj se është emri “përkëdhelës i emrit Ali!… Emër Bektashian… Pastaj 1949 erdha unë, Astriti…Tregoja shpesh se në një kalendar “me relief” që pashë tek motrat e nënë Terezes në Elbasan, midis ditëve të shenjtoreve ishte edhe dita e shenjtit …Astrit. Le të tjerët, por edhe gruaja nuk e besonte. Në ditën kur “shiten” me ankand ikonat këtu në Boston, në kishën e Fan Nolit, këtë “mosbesim” e pagoi shtrenjtë 280 dollarë për ta mbajtur një vit në shtëpi ikonën e Shën Astritit. Qeshte At Artur Leolin kur unë i thoja se për “gjysmën e parave” isha gati unë t’i bëhesha ikonë”. Një emër Katolik dhe Ortodoks! 

Më 1952 erdhi në jetë motra e katërt, Natasha…Ndofta këtu “është ndikimi i filmave e librave rusë”, por ne, në rrethin tonë familjar, na u shtua edhe një emër puro Sllavo- Ortodoks…
Pesë besime brenda një familje.
Jam i bindur se ky rrëfim, në një mënyrë dhe në një masë tjetër përkon me shumë familje të tjera në Elbasan dhe në tërë vendin tonë, ndaj duan s’duan elbasanllijtë dhe shumë e shumë të tjerë, do ta përbuzin“atë gurin e hedhur’ nga Kryeministri dhe do të vazhdojnë si dikur me dashuri dhe respekt, brenda gjirit të një familje, fisi dhe shoqërie të jetojnë siç kanë jetuar me besimet e ndryshme, pa paragjykime dhe pa e pranuar, por duke e shporrur bile urrejtjen, përbuzjen e mallkimin tutje dhe duke gëluar dhe nderuar reaspektin e shenjët ku të gjithë shenjtorët i urojnë dhe i bekojnë njeri – tjetrit: Gëzuar festat…
Sigal