Astrit ALIAJ/ Sa e respektojmë simbolin tonë kombetar?

911
Sigal

Rilindja fillon nga flamuri ynë i larë me gjak në thellësinë e shekujve

Çdo ditë pune, me ceremonial apo e zakontë, çdo betejë luftarake dhe jo luftarake, fillon me flamurin kombëtar. Ai tashmë është  pranuar si frymëzues dhe simbol i bashkimit dhe pavarësisë të vendit. Madje, pranohet se, nga studimet e flamujve të  një populli arrihet në një përcaktim ose konfirmohen detaje karakterizuese të një vendi: kultura, organizimi politik, koha e krijimit, kushtet ekonomike të shoqërisë e shumë cilësi të tjera dalluese që shprehen me anë të simbolit që çdo komb krijon. “Nuk janë kombet që krijojnë shtetet, por  është  e kundërta”, ka shkruar Eduard Hobsbaun – duke theksuar se bashkë me rrugët lidhëse të një kombi siç janë shkollat, Forcat   e Armatosura dhe deri tek rrugët dhe  hekurudhat, flamuri është ai që lidh, bashkon, frymëzon tërë procesin e bashkimit dhe identifikimit të popujve, brenda një kombi, apo dhe një organizate, organizmi shtetëror dhe jo shtetëror, pra gjithçka fillon tek flamuri. Për kombin shqiptar, ndryshe nga kombet e tjerë, flamuri kombëtar ka marrë një vlerë më sublime, më ndjenjore, më shprehëse, kjo dhe për faktin e së kaluarës sonë të hidhur. Ajo që ka frymëzuar dhe mbajtur të bashkuar më shumë këtë popull të copëtuar ka qenë pikërisht ky flamur. Mbijetuam se luftuam, sakrifikuam në emër të këtij simboli kombëtar. Shqiptarët kanë thurur me mijëra vargje, tregime, romane, piktura, kanë kënduar qindra këngë, punuar e qëndisur shumë e shumë flamuj, të gjitha këto si shpresë për rezistencë, një forcë për të rritur besimin në vetvete, për të dhënë dhe marrë nga njeri-tjetri moral. Në emër të kësaj sakrifice të popullit tim, si një ushtarak, më dhimbsen disa akte jo kombëtare ndaj këtij simboli të shtrenjtë. Sot, shtrohet pyetja, sa e respektojmë ne simbolin tonë kombëtar, konkretisht flamurin tonë kombëtar? Sa kujdesemi për të zbatuar rregullat e nderimit e ceremonialit për të? Nuk marr përsipër të bëj një analizë të këtij problemi, por si qytetar i thjeshtë më shqetësojnë disa veprime e fenomene që ja zbehin vlerat simbolit tonë të përbashkët si komb. Edhe në BE shkohet me dinjitet, me traditën e zakonet tona, me simbolet tona, që janë të ndryshme nga vendet e tjera, pjesë e kësaj bashkësie, shkohet me flamurin dinjitoz kombëtar. Duke përmendur këto ndryshime dhe qasje të vendeve të ndryshme, do të doja të evidentoja se si po sillemi ne si qytetarë dhe institucionet tona shtetërore me flamurin tonë?! Le të sjellim një traditë, një risi pse jo një paradoks shqiptar. Është bërë traditë që sapo fillon një ndërtim i ri, shtëpi, apo skelet betoni i një pallati, mbi të, në majë të një shkopi apo hekuri vendoset flamuri ynë kombëtar me përmasa të ndryshme, derisa atij t’i dalë ngjyra dhe të griset me kalimin e kohës. Në mjaft raste, simboli ynë ka përfunduar deri tek shkopinjtë e fshesave i ngulur me gozhdë?! A thua se është i kryqëzuar?! Dhe përballë kësaj pamje të trishtuar, askush prej nesh nuk shqetësohet se si po përdhoset ky simbol, aq më shumë zyrtarët tanë, që kur shkojnë jashtë vendit e kanë parë si e respektojnë këtë simbol të huajt, jo vetëm në institucione, por dhe në shtëpi, p.sh. qytetarët e SHBA, etj. Në kënaqësinë e relaksin që i japin këto vizita, ata thjesht mërmërisin me vete:-këtu ka shtet! E pra, zotërinj, Rilindja fillon nga flamuri ynë i larë me gjak në thellësinë e shekujve! Ky simbol duhet të respektohet nga të gjithë, qytetarë, shtetarë, zullumqarë, zyrtarë, se rreth tij bashkohemi të gjithë. Mendoj se duhet bërë rishikimi i programeve mësimore të shkollave 9-vjeçare. Së pari, duhet të fillojmë pse jo dhe me përmirësimin e programeve mësimore në këto shkolla. Në këtë stad formimi fillon edukimi kombëtar dhe se, trajtimi i  temave për njohjen dhe respektimin e simboleve tona kombëtare do të ishte një investim për vazhdimësi formimi të brezave të rinj për interesat Kombëtare. Se rëndom i mëshohet më tepër flamujve të partive gjatë fushatave zgjedhore, që sipas ligjit të zgjedhjeve, 24 orë para votimit duhet t’i ndërpresin të gjitha aktivitet politike dhe propagandistike. Nuk mund të lartësojmë flamujt e partive përballë flamurit kombëtar, siç ndodh zakonisht në një përvjetor apo ceremonial partie, kjo është miopi. Le të kujtojmë flamujt e shumtë partiak të 23 qershorit të kaluar, aq shumë sa, si unë dhe shumë të tjerë u lodhëm, madje do të thoja se me të drejtë fëmijët shqiptarë i ngatërronin dhe i konfuzuan. Më tepër se kaq këta flamurë vazhdojnë të qëndrojnë të varur edhe sot deri sa shiu, era dhe dielli të bëjnë punën e tyre. Ky duhet të shqetësoj në radhë të parë, institucionet tona shtetërore, të cilat nuk kujdesen sa e si duhet lidhur me këtë simbol, Flamurin Kombëtar. Në se e ballafaqojmë zbatimin e rregullave të një institucioni me rregullat e Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë, bazuar në Ligjin Nr. 9095, Dt.3.07.2003, duket qartë se nuk zbatohet asnjë standard si në vendosjen e flamurit kombëtar në mjedise të jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme. Flamujt janë jashtë standardeve si në përmasa, lartësinë nga toka, këndin e përkuljes, pozicionin e vendosjes në hyrje të institucionit dhe deri tek ngjyrat që përdoren në flamur. Madje, si për të treguar unin e tij, çdo institucion kërkon ta vendosë sa më lart të jetë e mundur, duke mos respektuar raportin e përmasave të flamurit me lartësinë nga toka. Këto mangësi lejohen dhe tek vendosja e flamurit kombëtar në zyra të titullarit të institucionit. Po në këtë rregullore, përcaktohet gjithashtu se flamurit kombëtar duhet t’i vendoset dhe një ndriçues për natën. Përgjegjësi të kujt janë këto? Po të pyesësh, të gjithë thonë se është përgjegjësi e shtetit. Unë do të thoja se ka ardhur koha dhe momenti që përgjegjësia duhet t’i faturohet atij që drejton “x” institucion që ka në vartësi ceremonialin shtetëror, pra funksionarit që paguhet nga shteti për këtë punë. Dhe këta persona janë me bollëk në institucionet tona, nga lart deri poshtë. Janë këta që duhet të kujdesen dhe të kërkojnë nga pushteti vendor, bashkitë, komunat dhe pushteti qendror zbatimin e Rregullores së Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë, në përputhje të plotë me normat dhe standardet ndërkombëtare. Të gjithë e pamë dhe ndoshta u revoltuam, kur në kuadër të 100-vjetorit të kremtimit të festës së Shpalljes së Pavarësisë, flamujt kombëtarë të prodhuar në Kinë ishin jashtë standardit. Binte në sy forma dhe madhësia e shqiponjës si dhe ngjyrat e përdorura në flamur. Pse u lejua që në këtë jubile të rrallë, ky simbol të vendosej jashtë standardit dhe nuk u parandalua? Gjatë atyre ditëve të shënuara për çdo shqiptar, më erdhi një mik nga Gjermania, i cili shprehu dëshirën të blinte flamurin tonë kombëtar. E kishte zakon Hansi që kur vizitonte çdo vend, si kujtim merrte një flamur dhe e vendoste mbi një shtizë në oborrin e shtëpisë së tij. Kërkuam në shumë dyqane, por nuk gjetëm një të tillë sipas standardit që ai ishte mësuar të blinte. U shqetësova pse ai nuk po blinte flamurin tonë kombëtar? Miku im më tha se nuk e besonte që ky simbol kaq i rëndësishëm për një vend, të mos jetë sipas standardeve dhe si mund të shitej pa aksesorët e tij, si p.sh. cima, që shërben për t’u vendosur në shtizë, se kjo lë vend për abuzim. Me sa duket kudo në vendin tuaj, flamujt janë të vendosur nëpër shtylla me gozhdë si një copë leckë,-vazhdoi Hansi. Dhe në atë situatë festive, kur secili nga ne festonte me krenari 100-vjetorin e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë dhe shpalljen e pavarësisë, flamurin të larë me gjakun e mira shqiptarëve që luftuan për liri, simbolin e bashkimin kombëtar, po shihja e dëgjoja që nuk respektohej. Ndjeva keqardhje bashkë me disa miq, kolegë e shokë për situatën e shpalosjes së flamurit për ditë të tëra. Diskutonim me njëri-tjetrin, (pavarësisht se nuk na i vë veshin kush), dhe gjykonim se, për të parandaluar këto fenomene dhe për t’i prerë njëherë e përgjithmonë rrugë abuzimeve duhet që: prodhimi e tregtimi i këtij simboli t’i jepet një firme të licencuar e serioze, jo të prodhojë çdo kush që mundet simbolin tonë kombëtar; sepse vërtet ky simbol prodhohet jashtë me kosto të ulët, por theksojmë se është totalisht larg çdo normative të përcaktuar në Rregulloren e Ceremonialit Shtetëror. Një flamur i prodhuar sipas përmasave të caktuara, me materialin dhe ngjyrat e duhura, së bashku me zbatimin e ceremonialit dhe rregullave për vendosjen e tij në ambiente, zyra dhe institucione, na bën ne më krenarë e dinjitozë si komb, shtet e individë. Dhe Rilindja apo anëtarësimi në BE i dashur lexues, fillon që nga respektimi i simbolit tonë kombëtar!