Asnjëherë nuk është vonë për të korrigjuar vetveten

871
Osman MURATI

(Në përgjigje të shkrimit të profesor Xhelal Gjeçovit tek një gazetë e përditshme, lidhur me 86-vjetorin e lindjes së Dritëroit).

Para së gjithash dua të theksoj se profesor Gjecovin e vlerësoj dhe e respektoj si historianin më të përzgjedhur deri më sot, për aftësitë dhe objektivitetin e tij për qëndrimet parimore dhe të argumentuara për Luftën Nacionalçlirimtare dhe më gjerë. Megjithatë, mendoj se nuk bëj ndonjë gabim, përkundrazi përpjekjet e mia në këtë shkrim janë për ta plotësuar atë në disa detaje lidhur me superlativat e tij ndaj një shkrimtari dhe gazetari politik të kohës së socializmit dhe të “demokracisë”, siç ishte Dritëro Agolli. Për të qenë i saktë, në mendimet e mia, vepra e z .Agolli është poliedrike që ka zënë dhe do të zërë kurdoherë vendin e saj në letërsinë dhe politikën shqiptare dhe është vlerësuar dhe do të vlerësohet si shkrimtar i realizmit socialist. Megjithatë dua të nënvizoj edhe ndonjë mendimin tim për realitetin në të cilin jetoi, veproi dhe ndryshoi Dritëro Agolli.

Së pari, shkrimtarin e madh popullor dhe “babaxhan”, kemi pasur nderin dhe respektin për ta pasur prej shumë vitesh një figurë të njohur edhe të politikës, si deputet i të dy sistemeve, i socializmit dhe i demokracisë kapitaliste që u instaluan në Shqipëri nga viti 1944, mbas Luftës Nacionalçlirimtare e deri me sot. Ai ka qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Zëri, fjala dhe mendimi i tij në kupolën e PPSH-së, sidomos në sekretariatin e Komitetit Qendror ka qenë me peshë, sidomos në fushën e ideologjisë lidhur me letërsinë, artet dhe në fusha të tjera që mbulonte kryesisht Ramiz Alia, para dhe mbas vdekjes së Enver Hoxhës. Si i tillë, veprimtaria e tij politike bëhet e dukshme, mbas Pleniumit të K. Qendror për letërsinë dhe artet, sepse zëvendësoi Dhimitër Shuteriqin si ish kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Në këtë kuptim Dritëroi, mbetet një anëtar i PPSH-së i vendosur deri ditën e fundit kur plejada e tij u fundos “Me funeralin e PPSH-së”, që u përcoll në kongresin e 10-të saj.

Së dyti, kur në Shqipëri në vitet 1990-1992, ndodhën ndryshimet cilësore në përmbysjen e shtetit të PPSh-së, i ndjeri Dritëro me figurën e Enver Hoxhës u zgjodh përsëri si deputet i PPSH-së në Parlamentin e parë pluralist më 31 mars 1991. Në këtë kuptim deri këtu ai mbeti besnik i PPSh, duke qenë i një mendimi edhe me shumicën parlamentare të Partisë së Punës, për ta reformuar partinë, për ta reformuar Shtetin e asaj kohe, me kahe të majtë social demokrate. Në të vërtetë kështu dhe u fillua nga puna në konsensus të plotë me opozitën për ndryshimet kushtetuese, legjislacionin për iniciativën e lirë, pronën private, hapjen me perëndimin, reformimin e drejtësisë me legjislacionin përkatës etj. Për të qenë realist opozita e asaj kohe nuk ishte dakord, nuk pranoi dhe në kor me ndërkombëtarët e kohës nuk kishte besimin se Parlamenti i PPSH-së në shumicë i asaj kohe do të ndërtonte dhe të bënte kthesën e plotë të vendosjes së “Demokracisë Kapitaliste”. Prandaj prej saj nga Sali Berisha me Azem Hajdarin, që ua kishin marrë dorën mitingjeve, sajuan një protestë kurthi në Shkodër që e kishin bastion të tyre, provokuan edhe me vrasje të mitingashëve dhe shtrënguan dhëmbët me mbështetësit e Evropës dhe të SHBA-së, se vrasja e Arben Brocit në Shkodër u bë nga policia e PPSH-së. Kjo akuzë shërbeu si shkak që të shkarkohej ministri i brendshëm i asaj kohe Gramos Ruçi, si dhe u kërkua dhe u realizua skenari më i kobshëm i asaj kohe, përmbysja e qeverisë së re të Fatos Nanos dhe krijimi i një qeverie teknike për të përsëritur zgjedhjet parlamentare brenda një viti, që medoemos duhej t’i fitonte Partia Demokratike që të vinte në pushtet. Në këto pozita ra edhe ish Presidenti Alia, sepse e mbante shpresa se do ta mbronte i nderuari “bel-ami” i tij, Sali Berisha. PPSH-ja po përgatiste dhe zhvilloi Kongresin e 10-të dhe të fundit të saj në muajin qershor të vitit 1991. Ky kongres mbahej në një situatë mjaft të nderë, si brenda vendit dhe jashtë tij, ashtu si në të gjithë vendet e lindjes, sepse populli ishte i përçarë, i agravuar mjaft edhe nga reaksioni i brendshëm dhe i jashtëm. Ky reaksion popullor shfrynte kundër “sistemit komunist” të asaj kohe dhe veçanërisht kundër Enver Hoxhës. Në këto kushte, kongresi i PPSH ndoqi rrugën e tij me analiza me kritika dhe me ndryshime e përmbysje të PPSH-së, të asaj kohe dhe, si rrjedhojë solli këtë katrahure demokracie që trashëgojmë sot. U ndala në këtë problem, jo pa qëllim për të shpjeguar një fakt domethënës që lidhet drejtpërdrejtë tashmë nga shoku, me zotërinë Agolli. Kongresi i PPSH-së, i zhvilloi punimet në një situatë tepër të pa këndshme, me të papritura dhe me një tradhti të brendshme që historia do të thotë në kohën e duhur fjalën e saj. Ndonëse përgatitjet ishin bërë mjaft të kujdesshme, që nga delegatet që kishin ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, ishte përgatitur një raport mjaft i ekuilibruar me përmbajtje të thellë, me kritik me përgjegjësi ndryshe nga herët e tjera. Kishte një ndryshim sepse drejtimin e këtij kongresi e bëri një nga sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së Xhelil Gjoni, i cili dhe tregoi aftësitë e tij për tërë procesin e zhvillimeve të punimeve të këtij kongresi mjaft agresiv, përçarës dhe që u mbyll dhe i dha fund Organizatës së PPSH. Ramiz Alia meqë ishte zgjedhur President, pasardhësi dhe “mbrojtësi i figurës dhe i veprës së E. Hoxhës” kishte zënë lozhën, nuk fliste ishte i tërhequr, megjithëse ndaj kritikave që iu bënë Komitetit Qendror, me sa duket “u trondit” dhe i fshiu supet e tij me një shprehje që foli kundër shokëve të tij: “Ja me të cilët kam punuar”, këtu ishte fjala për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, që me këtë rast, kongresi i përjashtoi nga Partia. Ndërsa Ramizi mbeti përsëri President. Pikërisht, sipas mendimit tim, këtu fillon dhe tragjedia e këtij kongresi, i cili do të mbahet mend, jo për mirë në historinë e Shqipërisë. Po anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror çfarë bënë? Këtë “zgjidhje” e kishte marrë përsipër zoti, Dritëro Agolli, me dy pasues të tjerë të sallës, njëri prej të cilëve ishte zgjedhur nga zoti, Alia, sekretar i K.Q si mëkëmbës i tij për ideologjinë Spiro Dede. Këtu fillon sipas mendimit tim edhe “shpirtligësia”, apo kapërcimi i hendekut pa u lagur i shkrimtarit të “madh”. Dritëroi me iniciativën apo me pëlqimin e “benjaminit” të tij që lexoi në këtë kongres një diskutim gati plotësues të raportit, ku në epiqendër të tij kishte që në krye e deri në fund denigrimin e figurës së Enver Hoxhës. Sipas përmbajtjes së këtij diskutimi, kjo figurë kombëtare, hero i popullit, komandant i Luftës Nacionalçlirimtare, udhëheqës i ndërtimit socialist të vendit, siç ishte Enver Hoxha, na paska qenë “fatkeqësi kombëtare”, për 45 vite jetë të popullit tonë. Mjaft kundërshtim pati në sallën e kongresit nga delegatë të thjeshtë, diskutimi i Dritëroit, i Spiro Dedes dhe i Moikom Zeqos. Ndërkohë që nuk reagoi askush, për mirë ose për keq, nga ish kupola e partisë apo Ramiz Alia që ishte në lozhën të kongresit. Megjithatë nga ky diskutim dhe dy pasuesve të tjerë, u rrit presioni në sallë dhe Dritëroi ynë, “babaxhan” u eksitua u drodh, hodhi sytë nga lozha dhe tha afërsisht: “Kështu si flisni ju, nuk do të reformoheni asnjëherë”, “largohuni nga kjo erë e keqe” (e kish fjalën për E.Hoxhën.) Unë nuk isha dakort me një qëndrim të këtyre diskutantëve, në këtë kongres, as në atë kohë dhe as sot e kësaj dite. Ashtu si me mendimin tim janë me mijëra shqiptarë, që mbrojnë dhe do ta mbrojnë figurën e Enver Hoxhës, si në Shqipëri dhe më gjerë, sepse ai ka hyrë në enciklopedinë botërore si udhëheqës, ju pëlqen ose jo klaneve amerikane apo evropiane e nëpunësve ambasadorë në Shqipëri. Hipokrizia, egoizmi, apo të shtyrë nga interesa meskine, mjaft figura “intelektuale” u përshtaten situatave politike dhe bëhen dhe robër të tyre. Fakti vërtetoi që në atë kongres, kur erdhi puna për të zgjedhur komitetin drejtues të Partisë së “reformuar”, socialistë me anëtarët e PPSH-së, Dritëroi nuk e pati të vështirë të pranojë përsëri të rizgjidhej nga ish anëtar i K.Q të PPSH-së, në anëtar të Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste, në një kohë që i gjithë Komiteti Qendror i PPSH-së u shkarkua përfundimisht. Dritëroit nuk i hyri “ferrë në këmbë”. Kur Xhelil Gjoni e pyeti, nëse donte të vinte kandidaturën për t’u zgjedhur në Komitetin Drejtues të PS-së, ai tha nga një qoshe tavoline që ishte katandisur në atë seancë kongresi se “unë kam vendin përsëri aty” Gjithkush mund dhe ta nxjerrë vetë konkluzionin për veten e tij, por ky ishte një veprim që sipas meje e ul karakterin e një intelektuali. Po të ish për të pranuar në këtë farë feje ishte në radhë të parë Xhelil Gjoni që ishte edhe deputet dhe për momentin aktual i duhej edhe për një kohë partisë socialiste për t’u kërcitur dhëmbët reaksionit të brendshëm dhe të jashtëm që i hipën në shpinë Shqipërisë që edhe historianin Gjeçovi e shkarkuan nga puna që nuk kish qenë asnjë dite në udhëheqjen e PPSH-së, apo në përbërjen e shtetit shqiptar. Atëherë shtrohet pyetja e thjeshtë: A duhet që ne të ecnim në rrugën e Dritëroit, të bashkoheshim me mercenarët dhe bashibozukët e sistemit, të bashkoheshim me Sali Protopapët e Dritëroit, në asnjë mënyrë. Ky është mendimi im i i pa lëkundur, sado të jenë dritë hijet e Enver Hoxhës ai mbetet kurdoherë komandanti legjendar, udhëheqësi i vegjëlisë dhe i një partie që i bëri ballë dhe siguroi jetën e shqiptarëve në këto troje që na lanë të parët, duke ruajtur krenarinë, integritetin dhe dinjitetin e shqiptarit. Po çfarë ndodhi më vonë pas një kohe të shkurtër me të “madhin” Dritëro. Siç e thekson edhe profesor Gjeçovi, në një përvjetor të ditëlindjes së “Heroit të Popullit”, Haxhi Lleshi që iu nënshtrua edhe torturave të kriminelit Sali Berisha, shkrimtari “i madh” edhe me origjinë të hershme nga Dibra, në këtë takim përkujtimore tha: “madhësia e një mali duket sa më shumë t’i largohesh atij” këtë thënie të tij unë e kam përsëritur edhe herë të tjera, ndërsa Gjecovi kujton se Dritëroi paska thënë në këtë ceremoni përkujtimore, se kur isha i ri, ëndërroja të bëhesha si Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Enver Hoxha. Të nderuar lexues më thoni çfarë qëndrimi të mbaj unë? Kur edhe Edvin Rama, i sotëm kryeministër, rreshtohet në “armiqtë” e PPSH-së, me theks të veçantë kundër Enver Hoxhës. Ai bën ceremoni shtetërore në Pallatin e Kongreseve për vdekjen e deputetit Dritëro Agolli dhe lë në harresë për ti bërë ceremoni mortore shtetërore ish kryetarit të akademisë Ylli Popës, i cili ka qenë dhe ndër demokratët e parë që ka shkruar në gazetën “Zërin e popullit”, për ndryshimet demokratike, kur zoti Dritëro militonte ende si komunist i devotshëm. Ja në çfarë kohe paradoksi jetojmë!!! Kanë ardhur kohë të tilla që dalin në pah veset dhe karakteret e njerëzve. Sot jemi në një luftë klasash në shkallë ndërkombëtare midis dy sistemeve, ish socializmit, rendi që u mbyt nga vetvetja dhe kapitalizmit vdekjeprurës. “Demokracia” e sotme dhe liritë me të drejtat e njeriut janë bërë velloja e mbulimit të shkallës më të egër të globalizmit të kapitalizmit “paqësorë”, që ka pushtuar rruzullin tokësorë, me kapriçiot dhe thellimin e pabarazisë shoqërore që sundon njerëzimin në të gjithë botën. Prandaj dhe një pjesë e njerëzve shkelin edhe mbi ndërgjegjen e tyre, mjafton të përfitojnë diçka nga ky destabilitet mashtrues që sundon në Shqipëri dhe kudo. Në këtë aspekt kurrë mos u kthefshim te cenimi i figurave kombëtare të Shqipërisë për të denigruar figurat si Enver Hoxhën me 28 mijë dëshmorët e lirisë dhe mijëra e mijëra punëtorë, intelektuale, ushtarakë që për mbi 50 vite derdhën gjakun, mundin, djersën dhe dijet për një Shqipëri të lirë, të pavarur nga askush, dhe për të ndërtuar jetën e tyre, në këtë copë toke që na kanë lënë të parët tanë me nder e dinjitet kombëtar. 
Sigal