Asnjë lëshim grekëve!

822
Muharrem Xhafa
Media duhet të studioje librin “Dy popuj miq” të Enver Hoxhës dhe të shkruajë e të thotë të vërtetën e tij historike! Është shkruar në media dhe flitet se midis Shqipërisë dhe Greqisë ka shumë çështje të mbartura që nga koha e socializmit, e Enver Hoxhës! Ky pohim nuk është i saktë. 

Së pari, gjithkush duhet të dijë se në kohën e Enver Hoxhës marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë kanë qenë marrëdhënie midis një shteti socialist dhe një shteti borgjez. 

Së dyti, asnjë çështje e mbartur nga e kaluara midis Shqipërisë e Greqisë nuk ka mbetur pa zgjidhur për faj të Enver Hoxhës e të shtetit shqiptar, po për faj të shtetit e të shovinizmit grek. Po të kishte qenë ndryshe, Greqia, e mbështetur fuqishëm nga borgjezia ndërkombëtare, do të kishte reaguar ashpër për të ndërkombëtarizuar problemin në interes të saj.

Së treti, cilido qoftë lexuesi, ai duhet të dijë se shtetit grek iu krijuan kushte për të bërë presion e për të vepruar në dëm të Shqipërisë për territore, ujëra, minoritet, varreza etj. vetëm pasi u vendos regjimi kapitalist në Shqipëri. Në shtyp, në media shkruhet e thuhet se ka ikur koha kur Enver Hoxha kërcënonte grekët në fundin e viteve ’60-të të shekullit të kaluar, se do të rrëmbenin ndonjë centimetër toke shqiptare “kur të shikonin majën e veshit pa pasqyrë”! Që ajo kohë nuk është më, kjo është e vërtetë. Që Enver Hoxha ia thoshte hapur e me të drejtë grekut atë çfarë kishte, edhe kjo është e vërtetë. Por kjo e vërtetë, që Enver Hoxha ka pasur të drejtë, duhet thënë me zë të lartë! Pa vend është edhe kur thuhet e shkruhet se Enver Hoxha bënte presion mbi shtetin grek, kur deklaronte se ai, shteti grek, do të mund të merrte një centimetër tokë ose det, veçse kur të shikonte majën e veshit pa pasqyrë! Ky s’ishte presion, po një e vërtetë e provuar! Më e ndershme do të ishte të thuhej e të shkruhej, se Enver Hoxha ishte në të drejtën e tij, ishte, përveç kësaj, edhe i vendosur për të vepruar dhe i zoti për të mbrojtur ushtarakisht çdo centimetër të Atdheut të shqiptarëve! Shteti grek kishte frikë të vepronte, sepse e dinte që ishte në të padrejtë. Po kështu ai nuk guxonte të ndërhynte me forcë, siç kërcënon sot, se i kishte provuar Enverin e pushtetin popullor në provokacionet e gushtit 1949 etj. Greku ishte i bindur se Enveri do të vepronte fuqishëm, si me ’49-n e më fort, për shkak se socializmi në vitet ’60-të ishte shumë më i fuqishëm! Enver Hoxha nuk të falte për Shqipërinë e për popullin shqiptar! Asnjë lëshim grekëve!
Sigal