Asllan SARAÇI/ Ja kush e mban Fullanin

512
Sigal

Zbulohen të tjerë nëpunës të lartë në Bankën Shqiptare, të lidhur me kryeministra e deputetë

Listës së gjatë të familjarëve, miqve e të afërmve të zyrtarëve që punojnë në Bankën Shqiptare (Publikimi i parë me 26 nëpunës të rëndësishëm), i shtohen dhe të tjerë. Burime për “Telegraf” nga Banka e Shqipërisë, i shtojnë listës së mësipërme dhe këto emra: 1-Miranda Rama, kunata e ish-Kryeministrit Sali Berisha, këshilltare e Fullanit, 2-Blerta Kruja, motra e Klevis Krujës, në Departamentin e Administratës, 3-Olta Rushaj, mbesa e deputetit të PS-së, Dashamir Peza. Vjedhja e Bankës Kombëtare ditën për diell në shumën prej 713 milionë lekë të reja, por që padyshim, pritet të rritet e të shkojë në shifra marramendëse, mënyra sesi u vodh, koha e vjedhjes prej katër vitesh me radhë, të thënat e të pathënat, etj., tronditën thellë qytetarët e këtij vendi, të cilët nuk e kishin marrë veten ende nga tronditja që pësuan me vrasjen e bankierit Santo, mu në zemër të Tiranës, të Shqipërisë. Jo vetëm u tronditën, por edhe u zhgënjyen, u hutuan dhe vunë duart në kokë. I vetmi që as është hutuar, as është tronditur e as është zhgënjyer është vetë Guvernatori, z. Fullani. Pa ia bërë syri tërr, e kemi parë sesi deklaron gjithçka, që nga autoriteti i pacenuar i Bankës së Shqipërisë, e deri te optimizmi për ecjen e ekonomisë sonë, sidomos kohët e fundit, pas ardhjes në pushtet të socialistëve… Ndërkohë që, prej tij pritej një lloj ndjese, (sepse dorëheqja nuk është bërë ende zakon te zyrtarët tanë të lartë), ndërkohë që, hetimet priteshin të linin mënjanë “kokat e turkut’, apo “peshqit e vegjël”, disa media shpalosën për qytetarët e varfër pamje të jetës luksoze të tij: Prona, shtëpi, makina, sikur të ishte fjala për ndonjë sheik të vërtetë. Pyetja e parë që të shpërthen: Kush e mban Fullanin? Dy partitë e mëdha heshtin. Heshtja e tyre është një heshtje që na zhgënjen, që na huton, që na vret të gjithëve (sepse, ndërsa të gjithë kemi parë se me çfarë janë marrë parlamentarët tanë, që nga përrallat me Mbret e deri tek “robtë e shtëpisë” së njëri- tjetrit), kurse për miliardat e vjedhura të popullit flasin me një gjuhë elegante, diplomatike, a thua se bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në një kontinent tjetër, sikur ato miliarda të vjedhura të ishin të një populli tjetër. PD justifikohet se mund të krijohen probleme me sistemin bankar (siç duket imazhi i përflakur e i përgjakur i bankave dhe i fondacioneve të vitit famëkeq ‘97 i vjen vërdallë dhe i tremb), socialistët lënë të respektohet institucioni i pavarur…dhe se me të do të merret Prokuroria. Nuk duam të besojmë se ai u ka mbyllur gojën me para (aq më tepër pa folur organet përkatëse). Po edhe sikur të ishte e vërtetë se dy partive të mëdha u ka mbyllur gojën me para, po qytetarëve? Po shoqërisë civile? Po intelektualëve? Pse heshtet? Çfarë pritet?. Një shprehje e urtë thotë: Kur zë furtuna, nuk ka kohë për t’u marrë me nanurimën e ujit të burimit. Por le të kthehemi te pyetja: Kush e mban Fullanin? Përgjigja do të ishte: Me siguri, ata që e ndihmuan dhe e emëruan në këtë funksion. Pra, shtetarët e djeshëm dhe të sotshëm. E nëse Fullani nuk dorëhiqet përballë këtij skandali dhe mburoja shtetërore vështirë se do i vij në ndihmë përballë indinjatës masive në gjithë vendin.