Arvizu – Pashait: “Ti je një hero!”

704
Sigal

Një episode nga takimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara me krerët e Aleancës Kuq e Zi

Në takimin me drejtuesit e Aleancës Kuq e Zi të pak ditëve më parë, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik me shprehjen “Ju, zoti Pashai, jeni një hero“. Ndërkohë që Prof.Dr. Myslim Pashai me modesti, i është përgjigjur se ai nuk ka bërë ndonjë gjë të veçantë, përveç detyrës si qytetar në mbrojtjen e territoreve tona e të kufirit detar. E megjithatë ambasadori ka përsëritur të njëjtën shprehje, por këtë radhë edhe më i vendosur: “Ju jeni një hero i vërtetë. Keni bërë shumë për atdheun tuaj!”.

Por cili është Myslim Pashai?

Ka lindur në një fshat të Mallakastrës me emrin Kremenar, i cili që në rrënjë ka fjalën “krenar”. Dhe si i tillë, ai u rrit e u edukua: me krenarinë e emrit e të origjinës së tij. Që në moshë të njomë, nëpërmjet bisedave e këngëve popullore, ai njohu historinë e Mallakastrës që nga këngët për Rrapo Hekalin e qëndresën e mallakastriotëve ndaj pushtueseve të huaj bizantinë, sllavë, osmanë, grekë e italianë. U përkund me vargjet lapidarë:

                     Digje, Mallakastra, digje

                     Në ato kodrat brigje, brigje

                     Historinë lart çe ngjite.

   Apo :

                     Dil, o lum i Vlorës – o

                     Dil se do dalim – o

                     Takohemi në Povël- o.

       Povla është lumi që e përshkon mespërmes Mallakastrën e Sipërme.

      Dhe ai u bë vetë poet e shkrimtar. U bë edhe këngëtar. Shkroi e këndoi për Mallakastrën, për historinë e saj legjendare, për luftërat dhe përpjekjet e saj për liri e çlirim kombëtar. Në poemën e tij “Mallakastra” ai shkruan:

                               Mijëra vjet nga rrënj’ e rrënjës

                               Mallakastër – zëri i nënës!

 Por mbi të gjitha u bë atdhetar. E donte shumë atdheun dhe i mbrujtur me historitë e të parëve të tij u diplomua si topograf ushtarak. Por edhe pse i veshur me rrobën e ushtarakut, ai nuk u pajtua me rutinën e kohës. Nga eprorët e tij servilë të pushtetit u akuzua si element i rrezikshëm dhe u degdis larg shtëpisë e familjes për disa vjet i dënuar dhe i mënjanuar nga profesioni i tij si një nga hartografët më të njohur në vendin tonë. U deshën vitet e tranzicionit që ai të kthehej në detyrë me gradën e kolonelit, por edhe këtë radhë rehabilitimi i tij ishte mjaft i shkurtër. Politikanët e rinj, me mendësi të vjetra, nuk mund të pranonin që në krye të Institutit të Gjeografisë Ushtarake të qëndronte një erudit. Ata kërkonin vetëm militantë. Dhe profesori i nderuar për të dytën herë u zbua nga zyrat e Institutit. Por ai mbeti mendimtar e patriot.

E, ndërsa merrej me vepra e botonte libra, befas u zgjua një ditë i lebetitur e i trazuar: Bajlozët po i merrnin kufirin detar. U drithërua e njëherësh u revoltua. Nuk e ndjente veten të qetë. Të huajt po na nëpërkëmbnin. Po na merrnin kufijtë. Po na merrnin nderin dhe vatanin. U ngrit si një dallgë deti dhe publikisht denoncoi tradhtinë e madhe të radhës. Një pushtet i terë u ngrit kundër tij. U anatemua, u akuzua, u fye. Mbi të hodhën baltë, vetëm për faktin se ai mbrojti vendin e tij. Por ai nuk u mposht. Nuk u zmbraps. Qëndroi stoik. Si Anteu. Forcën e gjente tek toka mëmë, ku siç thoshte një shekull më parë poeti ynë i rilindjes, Çajupi, “balta i dukej si mjalta”.  Dhe fitoi. Fitoi mbi dy qeveri: fatkeqësisht mbi atë të vendit të tij e fatmirësisht mbi qeverinë e shovinistëve grekë. Doli fitimtar. Populli e duartrokiti. E vlerësoi. Ndërsa armiqtë e anatemuan. Ai mbeti krenar. Sepse vinte nga një fshat me rrënjën “krenar“, atje ne Mallakastrën e sipërme.

Një filozof i vjetër ka thënë se mjerë ai që kritikohet nga populli i tij e lëvdohet nga të huajt. Myslim Pashai lëvdohet e falënderohet nga populli i tij e kritikohet nga tradhtaret e kombit  dhe nga disa të huaj. Sepse tashmë ai e ka marrë lëvdata edhe nga një mik i shqiptarëve: nga ambasadori amerikan Arvizu. Ai e quajti patriot, patriot të madh, një hero të vendit dhe të popullit të tij. Sepse në fund të fundit ai ka ndjekur gjurmët e patriotëve të Rilindjes, të cilët shkruanin se: “Shqipërinë do ta bëjmë zonjë!”, apo kur poeti ynë kombëtar, Naim Frasheri, shkruante plot pathos patriotik se “Ti Shqipëri me ep nder, me ep emrin shqiptar” Asgjë më shumë e asgjë më pak: Atë që ka bërë e po bën Prof. Dr. Myslim Pashai: mbrojtjen e atdheut, mbrojtjen e tërësisë tonë kombëtare nga të huajt.