Artur AJAZI/ Rizgjimi dhe historiku i qytetit antik të Apolonisë

1044
Sigal

I klasifikuar tashmë si ndër vendet më të njohura interesante të Shqipërisë së antikitetit, qyteti antik i Apolonisë, përbën një stacion mahnitës për çdo vizitor që shkel në atë tokë, qoftë ky shqiptar apo i huaj. Apolonia është një prej qyteteve antikë më të mëdha të pellgut të Adriatikut, dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera me të njëjtin emër të kohës antike. Qyteti u ngrit mbi një kodër, e cila ka dy maja të larta 101 e 103 metra mbi nivelin e detit, me një pozicion gjeografik që të jep mundësinë të shijosh një panoramë madhështore. Përpara shikon gadishullin e Karaburunit, ishullin e Sazanit, vijën bregdetare të Adriatikut, fushën gjigante të Myzeqesë dhe nga ana tjetër madhështinë e malit të Tomorit dhe maleve të tjera në lartësi më të vogël. Në fillimet e parë të jetës së qytetit, Apolonia mbante lidhje të afërta me Korintin dhe Korkyrën (Korfuzi), duke luajtur rolin e ndërmjetësit në tregtinë e helenëve me ilirët. Në shekullin V Para Krishtit, qyteti u bë qendër e zhvilluar ekonomike me punishte të shumta zejtare, duke zgjeruar marrëdhëniet me botën ilire, me Atikën dhe më vonë edhe me Magna Grecian në Italinë e Jugut.  Lulëzimin më të madh qyteti e njohu në shekujt IV-III Para Krishtit, kur Apolonia u shtri në të gjithë faqen perëndimore të kodrës dhe u rrethua me një mur mbrojtës 4 km të gjatë duke përfshirë një hapësirë të qytetit prej 138 hektarë. Qyteti u ndërtua sipas një plani që mbështetej në sistemin ortogonal të Hipodamit; i përshkruar nga rrugë të drejta, kryesore dhe dytësore, që ndërthureshin me njëra-tjetrën duke sjellë pikëtakime me lagje të veçanta. Nga ndërtimet kryesore veç mureve rrethuese u ndërtua portiku i qendrës së qytetit, teatri, çezma monumentale, gjimnazi etj. Shëtitorja e Apolonisë me dy kalime dhe dy kate, dallohet për planimetrinë e zhvilluar dhe arkitekturën solide. Muri i pasmë mbajtës është me 17 kamare obsidale, në të cilat vendoseshin shtatoret, kolonada e brendshme dhe e jashtme e katit të parë formohej nga kolona 8- këndore.

Në shekujt I-III Apolonia përjetoi një periudhë të dytë ndërtimesh intensive, si tempullin e Agonotetëve, odeonin, bibliotekën dhe një sërë vilash të zbukuruara me mozaikë. Apolonia në kohën e Augustit u shpall qytet i lirë dhe i paprekshëm dhe vazhdoi të mbetej një qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore. Lulëzoi arkitektura dhe degë të tjera të artit, e sidomos skulptura. Ndaj me të drejtë Ciceroni e quan “qytet të madh e hijerëndë”. Në shekujt III-IV qyteti humbet rëndësinë e dikurshme dhe në fillimet e mesjetës  Apolonia  kthehet në një qendër peshkopale.

Marrëdhëniet e ndërsjella të qyteteve koloni me prapatokën ilire shpejtuan procesin e lindjes dhe zhvillimit të disa qyteteve ilire. Qysh në fillim të jetës së tij, qyteti ishte qendër zejtare dhe tregtare e rëndësishme, kurse rreth mesit të shekullin III Para Krishtit, qyteti ilir ishte formuar me tiparet themelore të një qyteti antik. Hapësira e brendshme e qytetit ishte e organizuar sipas sistemit hipodamik, ku agoraja në të cilën ishin vendosur godinat e karakterit politik e shoqëror, kulturor e religjioz (prytaneioni, teatri, shëtitorja, tempujt etj), formonin qendrën e qytetit të ndarë nga pjesa tjetër. Disa shembuj të këtyre ndërtimeve në qytetet ilire e dëshmojnë më së miri nivelin urbanistik të tyre. Parku i Apolonisë është sot për nga sipërfaqja më i madhi në vend. Për mbarëvajtjen e tij është ngritur Zyra për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik (ZKPA). Ky vit në menaxhimin e trashëgimisë kulturore ka sjellë diçka të re sepse kanë filluar aktivitetin e tyre ZAKPA-të. Pas mbështetjes së dikasterit, edhe në Shqipëri u fut praktika e menaxhimit të trashëgimisë kulturore, sipas formave më të përparuara që ekzistojnë sot në botë. Këtu mund të përmendim se modeli i parqeve arkeologjike të tipit Apolonisë ose Butrintit, haset shpesh në vendet të tilla si Franca, Italia, Spanjës, Greqisë, Tunizisë, etj.. Kjo metodë funksionimi nga përvoja botërore del qartë se krijimi i të tilla njësive në terren është forma më mirë për të garantuar mbrojtjen e këtyre pasurive kulturore nga njëra anë dhe shfrytëzimin e tyre në funksion të turizmit kulturor. ZAKPA po merr masat që duke filluar nga muaji i parë i pranverës, t’i bëjë ballë një fluksi turistik në rritje në qytetin antik të Apolonisë. Drejtuesit e monumenteve të kulturës në Fier janë optimistë sepse Apolonia është vendi ideal për turizëm dhe lehtësisht i arritshëm edhe falë pozitës gjeografike, i arritshëm për të gjitha qytetet dhe zonat e banuara të Shqipërisë. Këtë vit pritet të shtohet numri i turistëve të huaj. Për këtë gjë po punohet me agjencitë turistike në mënyrë që anijet e mëdha që organizojnë udhëtime në Mesdhe të bëjnë një ndalesë të shkurtër në portin e Vlorës, për të arritur të vizitojnë qytetin e lashtë brenda një kohe të shkurtër.