Artur AJAZI/ Revanshi i krimit nuk ndalet

572
Sigal

Krimi ka marrë një revansh të paparë. Po vret kudo, në rrugë, lokale, hyrje pallatesh, makina, dhe brenda banesave. Revanshi i krimit nuk ndalet as me propagandën e policisë dhe statistikat e saj si 9-mujor, duke renditur si “arritje” rritjen e forcës goditëse dhe zbuluese nga 40 në 65 për qind, as edhe me deklarata pompoze drejtuesish të lartë se “krimin e kemi bërë zap, çdo akti kriminal do të ketë ndëshkim”. Kjo demagogji e dalë boje dhe kjo metodë e vjetruar, ka sjellë situata të favorshme për krimin. Edhe kriminelët tashmë e dinë dhe janë mësuar me recitimet standarde. Ata e dine se, pas “aksioneve” të tyre, do të shohin në ekrane zyrtarë të lartë të Ministrisë Brendshme dhe Policisë Shtetit, duke paralajmëruar “identifikimin dhe kapjen e kriminelëve”. Dy net më parë në qendër të Durrësit u vra nga një dorë e stërvitur mirë, një shtetas, një biznesmen, të cilin e etiketuan dhe lakuan mjaft media. Por gjithsesi ai u vra në qendër të Durrësit, 20 metra larg Bashkisë, dhe 30 metra larg Prefekturës, ku qytetarët bëjnë çdo pasdite xhiron e darkës. Pavarësisht se bulevardi ishte plot, pavarësisht se vetëm pak metra larg vendit të atentatit ishte edhe një patrullë policie e cila nuk dihet pse kishte ndaluar, krimineli nuk ka pyetur shumë, por ka shkrehur gjithë karikatorin ndaj objektivit të tij. E fundit që ka ardhur (pas ambulancave) ishte policia. Erdhi me ekspertët e saj, dhe nisi matjet, mbledhjen e gëzhojave, dhe asgjë tjetër. Pak minuta më vonë në një komunikim me mediat policia tha vetëm kaq, “po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, kanë ikur në drejtim të paditur”. Po si nuk ndryshoi njëherë kjo deklaratë e policisë. Qytetarët tmerrohen nga atentatet, nga vrasjet, nga tritoli dhe aktet e tjera kriminale dhe policia sërish reciton versionet e trashëguara në komunikimin me mediat dhe qytetarin. Revanshin e krimit e pranojnë edhe drejtuesit e policisë, edhe ata nën zë thonë se “situata ka marrë për keq”. Dhe vetëm kaq. Vetëm për vitin 2014 të paktën në Durrës kanë ndodhur çdo muaj 3-4 vrasje. Plagosjet nuk janë në evidencë fare. Më të shqetësuarit, më të frikësuarit dhe më të tmerruarit nga këto akte kriminale që nuk po ndalen as në qendrat e qyteteve tona, janë qytetarët e thjeshtë. Vetëm një ditë pas atentatit, qytetarët e Durrësit shprehen se “na ka marrë frika të afrohemi dhe ulemi edhe në lokale tani, nuk dihet çfarë ndodh, ecim me frikë rrugëve, krimi mund të godasë objektivin e tij, por mund ta pësojmë edhe ne”. Qytetarët nuk ndjehen të sigurtë për jetën, pronën e tyre, ata nuk ndjehen të sigurtë në banesat e tyre në lokale dhe tregje, madje as në qendra qytetesh. Dhe si për ironi të fatit, sa herë ndodhin krime të tilla makabre, policia ose nuk gjendet fare në patrullim, ose gjendet e strukur diku pas rrugicave me pretendimin, “jemi me shërbim”. Duket sikur krimi ka organizim më perfekt, ndërlidhje më perfekte, dhe transport më perfekt. Krimi ndodh në qendra qytetesh, kriminelët arrijnë të largohen qetësisht përms bulevardeve dhe rrugëve dalëse me mjetet e tyre, i braktisin ato, dhe policia gjen vetëm gëzhojat dhe makinat e braktisura. Specialistët e kriminalistikës thonë se, “revanshi i krimit lidhet me dobësimin e forcës goditëse të policisë, gjithmonë që ajo bie, krimi ngre krye dhe godet pa mëshirë”. Revanshi i krimit nuk ndalet, dhe as ka shanse të ndalet. Sot krimi dirigjohet nga specialistë të krimit, ata kanë struktura të mirëfillta, kanë sistemin e tyre të ndërlidhjes, bizneset e tyre, shefat e tyre, bazat e tyre. Gjithçka e ngritur në sistem, ndaj dhe revanshin e tyre nuk e ndal as policia. Ajo për të cilën sot shqiptarët duhet të kërkojnë me ngulm nga kjo qeveri duhet të jetë rendi dhe siguria e munguar. Shqipëria çdo vit regjistron qindra të vrarë nga aktet kriminale, kurse policia krahasimet i bën me “uljen e numrit të vrasjeve nga ky vit, në këtë vit”. Vrasjet sot nuk përbëjnë më alarmin për policinë, pasi ato janë kthyer si vjedhjet e xhepave dikur në trena dhe autobuzë, dhe kjo është e tmerrshme. Një punonjës policie më tha se “çdo ditë që marrim turnin, plagosjet dhe vrasjet po i regjistrojmë si ngjarje ordinere, aq të zakonshme janë bërë”. Po deri kur vendi do të mbetet peng i krimit, deri kur qytetarët do të mbeten peng i pasigurisë për jetën e tyre dhe fëmijëve në rrugë e kudo, deri kur policia do të rrijë strukur rrugicave dhe periferisë? Gjendja e rënduar e rendit dhe sigurisë është e jashtëzakonshme, ndaj ajo kërkon masa të jashtëzakonshme.