Artur AJAZI/ Politika, sindikatat dhe furgonët

570
Sigal

Prej afro 10 ditësh, politika, mediat, analistët, deputetët, kryetarë bashkish e komunash, kryetarë sindikatash të varura dhe të pavarura, drejtues emisionesh dhe edicione lajmesh, duket sikur janë futur në furgon. Në një furgon 8+1, të mbledhur të gjithë bashkë, në pritje të zgjidhjes dhe pretendimit të shoferëve të tyre për “kthimin bosh apo plot me pasagjerë”. Duket si një refren i stisur, që po bëhet i vështirë për zgjidhje pambarim, por që në të vërtetë e ka një të tillë. Po përse kjo zhurmë, kur dihet se, ligji e përcakton qartë pajisjen me licencë, format dhe rregullat e lëvizjes, pajisjen me taksimetër, dhe zbatimin e çdo detyrimi ligjor nga të gjithë pronarët e këtyre furgonëve. Përse në lojë u futën sindikatat, (kur prej 20 vitesh nuk ka një lëvizje të tillë)  deputetët, politikanët, analistët, kur ky problem ka qenë dhe mbetet për zgjidhje, vetëm detyrim i  specialistëve të fushës. Përse pompohet një tullumbace e shfryrë, kur zgjidhja është kaq ligjore sa nuk ka vend për mendime analistësh, psikoanalistësh, apo edhe kryetarësh sindikatash të shpërgjumur. E ndërsa politika prej afro 10 ditësh është qasur drejt furgonëve duke nxjerrë në  skalionin e parë sindikatat e duke dirigjuar ato, duket se edhe populli, paçka se ka halle të tjera  po i bashkohet  kërkesave të tyre. Kësaj proteste, i janë bashkangjitur edhe “analistët”, edhe  drejtuesit e emisioneve, madje edhe ndonjë ekspert i fushës së artit e kulturës. Me bindje e them se, asnjeri prej tyre nuk ka hipur në furgon prej vitesh dhe as nuk e njohin ligjin që toleron dhe ndalon në disa pika këtë lloj biznesi. Ajo që sot kërkojnë shqiptarët, në qytete dhe fshatra  qofshin, është siguria rrugore për jetën e tyre, standardet e rrugëve, dhe zbatimi i ligjit. Pak ditë më parë në një nga fshatrat e Kukësit, e të Sarandës, vdiqën nga aksidenti me furgonë, 11 persona, të gjithë qytetarët të pafajshëm, në një hark kohor prej 2 orësh. Por aksidente të tilla ka çdo ditë, në akset tona rrugore nacionale dhe rrugët dytësore, në qytete dhe fshatra. Persona që nuk i kanë kaluar 21 vjeç, pajisen me patentë të çdo grupi dhe marrin furgonin, paguajnë, edhe detyrimet në tatime, dalin në stacione, e mbushin me pasagjerë dhe prej atij momenti ata quhen  biznesmenë të lirë. Me këtë logjikë kemi ecur  kuturu  prej 23 vitesh dhe sërish na rekomandohet të ecim edhe 23 vite të tjera. Na rekomandojnë ata që 6 muajt e vitit jetojnë  jashtë Shqipërisë, apo ata që çdo javë dalin jashtë shtetit dhe shikojnë transportin në Europë, apo ata që furgonit i dinë vetëm emrin. Në asnjë vend të Ballkanit dhe Europës, (madje, edhe në Maqedoni e Kosovë) nuk ka transport pasagjerësh me furgona, por ka linja tramvaji, autobusë modernë, trena etj.. Dikush mund të thotë nuk i kemi, por duhet t’i kërkojmë, që t’i kemi. Ku ishin sindikatat “e pavarura” deri sot, ku ishin fshehur, pse nuk janë ngritur në protestë për 1001 halle që kanë pllakosur mbi shqiptarët, për rritjen e çmimit të naftës, ujit, dritave, rrugët e prishura, mungesën e rendit e qetësisë, largimet nga puna etj.. Rizgjimi i  sindikatave  “të pavarura” nuk është aspak tunduese për qytetarët e thjeshtë, pavarësisht se po mundohen të  duken si “mbrojtëse të shoferëve të furgonave”. Kjo është sa ironike aq edhe fyese për ata pronarë furgonësh, që po tentojnë të manipulohen nga kryesindikalistët pa sindikatë. Në qoftë se ka vend, ku mungon totalisht lëvizja sindikaliste, por edhe përvoja  sindikaliste, ky vend është Shqipëria. Shqiptarët kanë mbi 2 dekada që aspirojnë për t’u bërë pjesë e pandarë e familjes europiane, por deri atëherë do të na duhet të implementojmë realisht rregullat dhe normat e asaj familje, si zbatimin e ligjeve, ndarjen e pushteteve, pavarësinë e organeve të drejtësisë, pavarësinë e sindikatave etj.. Dhe detyrimin për të zbatuar ligjet, Europa e shikon si kriterin bazë  të afrimit dhe integrimit drejt familjes së saj. Futja e politikës dhe sindikatave në “furgon” është  rikthim tek e kaluara, tek skenarë të dështuar që veç lënies pas dere dhe pas dore, e detyrojnë Europën të fshijë nga axhenda e saj,  pranimin e Shqipërisë si kandidate dinjitoze për një afat të pacaktuar në familjen e madhe