Artur AJAZI/ Politika dhe shtojca e saj, analistët

578
Sigal

Periudha e tranzicionit politik, e cila po zgjatet e zgjatet prej mbi 23 vitesh, po shoqërohet me fenomene tashmë të zakonshme për syrin dhe vëmendjen e opinionit publik. Veç politikanëve, në ekranet e TV dhe faqet e gazetave, një hapësirë jo të vogël kanë sot edhe “analistët”. Ata përkrah politikanëve (kështu e quajnë veten edhe ata që kanë 6 muaj deputet) pra analistët, parashikojnë situatat dhe ndryshimet politike, kushtetuese, qeveritare, e deri tek ndryshimet e lungomareve dhe autostradave. Ata, pra “analistët” prej vitesh janë kthyer në shtojcat e politikës, e cila i përdor ata sa herë i nevojiten citate, deklarata, duke i trajtuar si zëdhënës, dhe si specie të veçanta, duke intriguar për të vërteta dhe të pavërteta. Misioni i tyre për të vërtetat dhe parashikimet e politikës, kanë detyruar po i detyrojnë njerëzit ti braktisin, këta modifikues dhe vrastarë të një pjese të papërgatitur të opinionit publik. Ka kohë që mes politikës dhe “analistëve” është vendosur pakti i koduar, ku njëri ka marrë përsipër të bëjë drejtuesin, tjetri të bindurin, sipas skenarit për ta manipuluar opinionin, me fjalë boshe, për ta mbajtur në gjendje të tensionuar atë. Të kapardisur me kostume firmato, të kombinuara shpesh edhe me kollare si të politikanëve, shumë prej tyre paguhen me rroga partie të majme. Ata e marrin “rrogë” nga politika edhe kur nxijnë faktet dhe situatat normale, ata paguhen edhe kur zbardhin gjoja misteret. Ata vazhdimisht e kanë një opsion dhe alibi, kanë një përgjigje që shuan kureshtjet apo qetëson e ndez debatet. Rastësisht apo edhe shpesh ata duken më pozantë se politikanët dhe mund të shtyjnë me këmbë çdo derë në TV, dikastere dhe fatkeqësisht edhe redaksi gazetash. Ndonjë viktime, ata i japin shansin të ngrihet edhe në post të lartë, kurse për xhelozi ata duke u fshehur pas politikës, i turren çdo kundërshtari , duke i kujtuar atij shkarkimin, denoncimin, lënien pa punë etj. Shpesh këta “analistë” u diktojnë butë-butë edhe shefave të tyre politikanë vendimet në situata të caktuara. Por ata shpesh në misionin e tyre pasi mundohen ta bindin opinionin për kauzën e drejtë të politikanëve të tyre, kurse pas disa muajsh do t’i shikosh të rreshtuar si kundërshtarët më të betuar të tyre. Shpesh shefat e tyre (politikanët) u japin “analistëve” rolin thelbësor të proceseve momentale, i dekorojnë dhe gradojnë me medalje për shërbime të vyera , për shërbime të pavlera, për nivelin e tyre të aktorit në ekranet e TV. Fatkeqësia më e madhe është fakti se, shpesh emisionet kryesisht politike, me analistët në studio kthehen në shou të ndjekur edhe nga më hallexhinjtë. Ata mundohen të kenë karizmën e shefave, u sqarojnë teleshikuesve biografinë e deputetëve, ministrave, dhe politikanëve, duke marrë shpesh poza qesharake në poltronët. Madje, ke prej tyre që deklarohen si “shkruesit e fjalimeve të ndonjë deputeti” në parlament. Ka të papunë, pensionistë e familjar që bëjnë sherr me gratë dh e fëmijët e tyre, për të mos ndërruar kanalin televiziv darkave sepse “ po flet analisti”. Duke i dëgjuar për kureshtje dhe jo për të mësuar prej tyre, shpesh më kujtohet një fjali nga ish-diktatori ynë “jemi ne analistët, pa jeni ju o popull”, pra ju gjejmë kokën dhe ju vëmë festen. Në një shtet ligjor, me një klasë politike të përgjegjshme për fatet e vendit dhe popullit dhe me një medie të pavarur dhe të formuar profesionalisht, kjo kategori do të ishte më e pakta e papunë.