Artur AJAZI/ Pallatomania, epidemia që po shpërfytyron qytetet tona

584
Sigal

Ka mbi dy dekada, që qytetet tona po gjenden nën pushtetin e shfrenuar të një dëshire, e cila është kthyer në mani. Bëhet fjalë për “pallatomaninë”, e cila ka pushtuar mendjet e biznesmenëve shqiptarë pa dallim race, seksi, moshe dhe shtrese shoqërore. Pra, mund të bëhesh me pak para, dhe e para gjë që kërkon të realizosh, është ndërtimi i një pallati, pasi sipas këtij mentaliteti bashkëveprues në biznes sot, mund të bëhesh “i pasur” pa shumë lodhje. Pallate sot po duan të bëjnë ish-ministrat, deputetët, ish-muratorët, dhe ish-inxhinierët, ish-mësuesit edhe ata që nuk e dinë, dhe nuk e kanë haberin e fushës së ndërtimit, mjafton të gjejnë një vend me shtëpi të ulëta, të hyjnë në pazare me pronarët e tyre, të gjejnë mikun për lejen e ndërtimit, dhe kaq. Pallati quhet i mbaruar. Por sa pallate të tilla janë bërë prej vitit 1992 deri sot në Shqipëri, duke rrafshuar lagje dhe shtëpi karakteristike mbi 300 vjeçare, e duke ngritur atje pallat aspak funksional, 12 dhe 15 katesh, dhe duke mos respektuar asnjë kondicion urbanistik e ligjor. Qytetet tona, duke nisur nga Tirana, duken sot si vendosja e gurëve të shahut në fushën e lojës, ngjitur me njëri-tjetrin, duke prishur bukuritë dhe vlerat shekullore. Pallatomania njihet si  fenomen edhe në shtetet fqinje me ne, por dhe më gjerë në Europë. Por ndryshe nga ata, ku pallatomania ka zgjeruar qytetet nga veriu në jug, dhe nga lindja në perëndim, tek ne ka ndodhur e kundërta. Qytetet tona po mblidhen si mullarët, duke prishur çdo vit lagje të vjetra dhe duke ndërtuar pallate. Kjo padyshim sipas specialistëve të urbanistikës, ka sjellë shpërfytyrimin e qyteteve, infrastrukturë të cunguar, ngushtim të hapësirave të gjelbërta, kaos dhe ndotje akustike, duke stresuar jetën e banorëve. Dhe padyshim fajtorë për situatën skandaloze janë KRRT e Komunave dhe Bashkive, dhe pse jo, edhe KRRTRSH, e cila në dhjetëra raste në 23 vitet e fundit ka miratuar leje ndërtimi për objekte, të cilat kanë tjetërsuar masterplanet e qyteteve  madje dhe zonave turistike, si në rastin e Gjirit të Lalëzit, Kallmit, apo Gjinarit  dhe Dajtit. Lejet e ndërtimit për të ngopur orekset e pallatomanisë, nuk kanë kursyer edhe objekte me vlera të jashtëzakonshme historike dhe muzeale, pasi janë prishur objekte 300 dhe 400 vjeçare, janë groposur thesare arkeologjike dhe janë ngritur pallate, ku më e pakta që mund të bëhej ishte, konservimi i tyre për studime shkencore. Raste të tilla ka në të gjitha qytetet tona, dhe  fatkeqësisht ky fenomen nuk ndalet, dhe të ngjet me një ortek që ka marrë tatëpjetën dhe po rrënon gjithçka që del përpara. Sundimi i ligjit ka vite që nuk njihet si teori dhe praktikë e funksionimit  të shtetit në Shqipëri. Pallatomania ka pushtuar veç qyteteve, edhe zonat bregdetare, dhe nuk po kursen edhe brezin e rërës kurative për pushuesit. Kjo ka groposur turizmin në shumë zona bregdetare, duke fshirë nga harta e Shqipërisë zona që deri para viteve ‘90, ishin perlat e këtij vendi. Pallatomania mbetet epidemia më e shfrenuar që ka njohur procesi i tranzicionit në Shqipëri, që po shoqërohet me sundimin e forcës së parave, dhe interesave meskine të individëve dhe jo me sundimin e ligjit. Kjo është pasojë e mosfunksionimit të  organeve të drejtësisë, mosfunksionimit të shtetit ligjor, dhe mekanizmave veprues që duhet të ndalin shkatërrimin e qyteteve dhe vlerave tona historike, muzeale, si pasuri e çmuar kombëtare. Pallatomania është epidemia e shfrenuar e këtij tranzicioni të stërzgjatur kaotik, duke përfituar  edhe nga mungesa e ndërgjegjësimit qytetar e intelektual, që po rrezikon pa e kuptuar identitetin tonë kombëtar.