Artur AJAZI/ Mjedisi dhe ndërgjegjësimi qytetar

735

Një ndër postulatet me efekt dhe vlerë shumë të madhe në opinionin publik, padyshim mbetet edhe ai që ministri i Mjedisit Lefter Koka  e deklaroi qysh ditët e para të marrjes së postit të tij: “Mjedisi ynë pikësëpari kërkon nga të gjithë ne një ndërgjegjësim qytetar”. Kjo ndoshta ishte spuntoja, e cila nxiti Ministrinë e Mjedisit, ta  marrë seriozisht punën, për zgjidhjen e problemeve të shumta që ka sot Shqipëria në këtë fushë. Ndërgjegjësimi i çdo qytetari dhe fshatari, do të krijonte mjedisin e pastër, rrugët e qyteteve tona pa mbeturina, rrugët nacionale gjithashtu, por edhe rrugët rurale, të fshatrave e komunave. Çdo turist i huaj që vjen dhe merr rrugën drejt peizazheve malore, ka nevojë të shohë rrugët e fshatrave të pastra, veç atyre në qytete. Por realiteti sot në Shqipëri është krejt ndryshe. Aksionet në terren, mbeten garancia e ruajtjes dhe vlerësimit mjedisor. Shqipëria është përfshirë në zhvillime të vrrullshme urbane,të cilat kanë krijuar një faturë të konsiderueshme mjedisore. Rritja e transportit, mbeturinave urbane apo inerte, derdhja e ujërave të zeza në dete e lumenj, prerja pa kriter e pyjeve, gërryerja e shtretërve të lumenjve, djegia e gomave, gërryerja e maleve, ndërtimet e pakontrolluara, etj., janë vetëm disa prej ndikimeve të ndodhura mbi mjedis. Shpesh njeriu nuk e kupton se ajo çfarë e rrethon, edhe nëse nuk mund ta shikoj si konkretisht ajrin, si  ndikon drejtpërsëdrejti  në cilësinë e jetës. Njeriu shpesh bëhet indiferent ndaj çështjeve të mjedisit, deri në momentin që natyra reagon ashpër. Ndikimi negativ mbi mjedisin, është një  faturë që të gjitha shtetet po e paguajnë për zhvillimin. Për këtë arsye, shpesh, indikatorët e energjisë, transportit dhe mjedisit trajtohen së bashku, pasi është pothuajse e pamundur që të mos ndikojnë te njëri-tjetri. Megjithatë, shtetet e zhvilluara kanë marrë angazhime serioze dhe po mundohen të japin shembullin e mirë se jo gjithmonë zhvillimi në përgjithësi dhe ai i industrisë në veçanti ecën paralel me ndotjen e mjedisit. Nënshkrimi i Protokolleve, të tilla si ai i Kyoto-s për uljen e emërtimit të gazrave, tregojnë se shtetet e kanë rritur ndjeshëm vëmendjen e tyre ndaj mjedisit, pasi kjo lidhet drejtpërsëdrejti me cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre. Akoma më i rëndësishëm është Protokolli i Gothenburg-ut, i cili përcakton tavanet për emërtimin e katër ndotësve më të rrezikshëm të ajrit, që krijojnë shirat acide. Për rrjedhojë, të dhënat mbi indikatorët e mjedisit janë shumë të rëndësishëm, pasi ndihmojnë në hartimin e politikave dhe strategjive, vendosjen e objektivave dhe çfarë është më e rëndësishme, përcaktimin e hapave që duhen ndërmarrë. Tërësia e këtyre indikatorëve ndihmon në dhënien e një pamjeje të qartë të situatës dhe ndihmon vendimmarrësit për të qenë sa më efektivë në punën e tyre, por ndihmon edhe qytetarët, bizneset, investitorët e huaj, etj. ODA ka projektuar një grup artikujsh që lidhen me disa indikatorë të mjedisit, duke i krahasuar ato herë pas here edhe me mesataren e vendeve të BE-së. Jo në pak raste shifrat janë alarmante. Ndotja në disa zona bregdetare është 6-15 herë mbi parametrat e lejuar, mbeturinat urbane janë në rritje të vazhdueshme, ndërkohë që një pjesë fare e vogël e tyre riciklohet. Përgjithësisht, ato digjen. Probleme pa fund shfaqen në trajtimin e mbeturina spitalore, kimikateve të derdhura nëpër lumenj, në ajrin që thithin kryeqytetasit, pluhurat për shkak të ndërtimeve apo ndotjes akustike në qendrat e banuara. Probleme mbart edhe administrimi i burimeve ujore dhe zonave të peshkimit. Raporti për Gjendjen e Mjedisit  i vitit 2013  e përcaktonte vendin tonë si “një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm. Ndoshta Shqipëria nuk është ndër vendet më të ndotura në botë, por duhen marrë urgjentisht masa për ndërprerjen e masakrës mjedisore dhe paralel me të hapa konkret për përmirësimin e situatës. Për të arritur këtë mbetet thelbësore ndërgjegjësimi qytetar, si një “detyrë shtëpie”  për secilin nga ne.