Artur AJAZI/ Mirëseardhje në BE, por luftoni korrupsionin!

65

SHBA gjithmonë ka qenë, dhe do të mbetet për ne, aleati natyral dhe strategjik, që është gjendur në krahun e shqiptarëve në ditët dhe vitet e vështira. Por miqtë tanë nga përtej oqeanit, gjithmonë duke qenë parimorë dhe striktë në qëndrimet e veta, kanë toleruar mjaftueshëm klasën tonë politike, deri në pikën e “vlimit”, duke mos u pajtuar përjetësisht me mentalitetin e vjetër  ballkanas. Në rrugëtimin e gjatë drejt integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, padyshim SHBA ka ndjekur me vëmendje ecurinë e reformave, arritjet dhe ka bërë vlerësimet për klasën politike. Shpesh këto vlerësime janë bërë edhe nga rrjetet mediatike të SHBA-ve, të cilat e kanë ndjekur dhe po e ndjekin me interesim të veçantë situatën që po kalon Shqipëria dhe kapërcimet e saj nga tranzicioni i stërzgjatur drejt integrimit në BE. Kështu prestigjiozja “Financial Times” në një shkrim të gjatë, të botuar pak javë më parë, gjykon se: “Brukseli duhet të vazhdojë zgjerimin e BE-së”. Por në rastin me Shqipërinë, BE do të dojë të shohë standardet, të cilat pjesërisht u plotësuan me zgjedhjet e 23 Qershorit. Artikulli kujton se, Shqipëria duhet të bëjë shumë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “BE ka mirëpritur një kërkesë për anëtarësim të një vendi të vogël si Shqipëria pikërisht në kohën e krizës së rëndë financiare, të problemeve me traktatin europian dhe marrëdhënieve të trazuara me Rusinë. Mospranimi i kandidaturës së Shqipërisë është një veprim i lehtë, por i gabuar”. Kështu e cilëson këtë hap “Financial Times”, në një artikull për Shqipërinë, pas dorëzimit të kërkesës për anëtarësim në BE. Sipas kësaj gazete, “zgjerimi i BE-së është një nga sukseset më të mëdha dhe duhet të përqasen edhe vende të brishta të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria”. Dhe hapi i Tiranës zyrtare vjen pak kohë pasi BE pranoi një tjetër aplikim, atë të fqinjit malazez. Por Shqipëria, do të presë ca muaj deri sa Brukseli t’i japi “Ok”, pasi do të dojë të shohë reformat, të cilat duhet të jenë në përputhje me standardet demokratike.  Në artikull shkruhet “Mirë se erdhe, Shqipëri!”, dhe kjo ftesë bëhet pasi gazeta dinjitoze gjykon se, Brukseli duhet të vazhdojë zgjerimin edhe në kohën kur përballet me pengesa serioze. Duke parë raportet zyrtare edhe për vendet e tjera ballkanike, ky forum mediatik konstaton se, të gjitha vendet kandidate duhet, të luftojnë krimin dhe korrupsionin, pasi nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë edhe më e vështirë pa perspektivën europiane. BE duhet të vendosë rregullin, sipas të cilit “Traktati i Lisbonës, duhet të fitojë miratimin e gjithë vendeve ndryshe, nuk do të ketë asnjë mundësi  hyrjeje  për vendet e reja, përveç asaj që u bë për Kroacinë”. Edhe Turqia (veç Kroacisë) mbetet aktualisht vendi që është në bisedime për anëtarësim, por me vështirësi të mëdha. Për Turqinë ka mungesë vullneti politik nga BE-ja për shkaqe politiko-parimore, ndërsa për Kroacinë pengonte dukshëm debati me Slloveninë për kufirin. Katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, po përballen me shumë sfida para se të mund të hyjnë në bisedime për anëtarësim. Serbia duket se i ka arrestuar kriminelët e luftës, (i fundit ishte Ratko Mlladiçin, të akuzuarin për gjenocid) kurse Bosnja duhet të dëshmojë unitet më të madh midis komuniteteve të ndara etnike  dhe Maqedonia duhet ta zgjidhë konfliktin rreth emrit me Greqinë. Kurse Kosova duhet të fitojë më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Pas gjithë kësaj rezymeje, Shqipëria mbetet vendi i vetëm i Ballkanit me shanse të veçanta për tu anëtarësuar në BE, vetëm pak vite, pasi këtë qershor do të mund të marrë “OK” si  kandidate e privilegjuar nga anëtarët fuqiplotë të familjes së madhe europiane.