Artur AJAZI/ Lëvizja Studentore, si nisi rruga drejt Europës

2729
Sigal

Pikërisht në 8 dhjetor 1990, plot 23 vite më parë, në kryeqytetin e Shqipërisë, në qytetin “Studenti”, studentët e universitetit të Tiranës ngritën krye për herë të parë në historinë 46-vjeçare të komunizmit, kundra këtij regjimi enveristo-komunist. Në 8 Dhjetor 1990 ishin studentët që vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundra regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën ndodhi edhe incidenti, nga ku  policia e ushtria përdorën dhunë për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të jetesës ata kërkuan lejimin e pluralizmit si dhe dënimin e dhunuesve të studenteve. Pas shumë protestave ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua me 11 Dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave ku priteshin në takim nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe President i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i lëvizjes studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkangjitur tashmë dhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria, dhe pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte Pluralizmin Politik në Republikën e Shqipërisë. Lëvizja Studentore Shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash studentore e demonstratash që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e Luftës Civile në një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit totalitar. Pas  23 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik, dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga Lideri i Demokracisë, “Nderi i Kombit” Azem Hajdari si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa. Data 8 Dhjetor i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarët si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste. Roli dhe rëndësia e 8 dhjetorit kurrsesi nuk mund te kuptohen të ndarë mes tyre, pasi kur themi 8 dhjetori, nënkuptojmë edhe rolin e qindra intelektualëve në ndryshimin e madh politik.

-Shqipëria shteti i fundit totalitar e policor në Europë

Protesta e studentëve në dhjetorin e vitit  1990 vendosi në axhendën e shqiptareve ballafaqimin mes tyre dhe sistemit 50 vjeçar komunist. Dhjetoristët dhe gjithë populli në këtë ditë historike, nderojnë kujtimin e Liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili u vra më 12 Shtator 1998. Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit shqiptar, rinia studentore e nisi 23 vjet më parë nga ai vend që sot quhet  Sheshi “Demokracia”, dhe në krye ishte Azem Hajdari. Studentët e udhëhequr nga ai mbushën rrugët e Tiranës, sheshet dhe shpirtrat e shqiptarëve me dritën e lirisë. Në dhjetor të vitit 1990, Shqipëria ishte i vetmi shtet policor në Europë. Në atë kohë të acartë, kur diktatura komuniste ishte në përpëlitjet e fundit, barra e përplasjes ra mbi studentët e Tiranës, Korçës, Shkodërës, Elbasanit e Gjirokastrës. Studentët demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit prej sistemit totalitar në një sistem demokratik. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore, kanë qenë kontribues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës shqiptare.

-Si u provokuan studentët

Ish- kryeministri asaj kohe Adil Çarçani shkoi, pa njoftuar, për vizitë tek studentët në qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. ku gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri”! Pastaj u hodhën parullat: “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”. Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10-15 minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë, dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit”, me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”. Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte. Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me Ramiz Alinë. Delegacionit  iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.

-Drita e shpresës

Pikërisht 23 vjet më parë, Shqipëria ishte zhytur në mjerimin dhe izolimin më të tmerrshëm të historisë. Ajo që kishte pllakosur vendin ishte zija e urisë. Dyqanet e boshatisura si pasojë e mungesës së prodhimit të brendshëm kishin detyruar sistemin që të aplikonte prej vitesh tollonat, ku një familje nuk mund të merrte më shumë se një pako 200 gramësh gjalpë në javë apo një gjysmë kilogram djathë. Radhët për ushqime sa vinin dhe shtoheshin, ndërsa durimi kishte kaluar të gjitha kufijtë. Paralelisht me këtë situatë mjaft të rënduar politike, duke parë edhe erën e ndryshimeve që po frynte në shumë vende të Europës Lindore, diktatura vendosi të reagonte me ashpërsi. Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar mbijetesën e sistemit. Burgjet ishin të tejmbushur me të burgosur politikë dhe numri i tyre sa vinte dhe shtohej. Diktatura po tregonte dhëmbët edhe në kufi, ku raportoheshin me dhjetëra raste të vrasjeve në kufi. Synohej të krijohej një situatë frike për të mbajtur nën presion popullin, përndryshe çdo tërheqje apo tolerim do të kuptohej si një dobësi. Në shkollat e mesme dhe të larta u dha alternativa që çdo ditë të zhvilloheshin biseda me nxënësit, ku të flitej se Shqipëria ishte një rast i veçantë dhe nuk mund të kishte ngjashmëri as me Gjermaninë Lindore dhe as me Rumaninë, ku ishte ekzekutuar diktatori Çaushesku. Ndërkaq në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera të vendit sa vinte dhe shtohej revolta e brendshme. Sinjali ishte dhënë me ambasadat, ku mijëra të rinj shpërthyen muret e izolimit m’u në zemër të diktaturës, duke e sfiduar hapur sistemin e saj të dhunës. Mitingu famëkeq i atyre ditëve, ku ata mijëra të rinj u konsideruan huliganë, vandalë dhe armiq të popullit, nuk solli asnjë efekt, përveçse rriti dozat e zemërimit popullor. Për çdo natë në Tiranën e atyre ditëve pëshpëritej për një reagim, i cili mund të niste në Sheshin “Skënderbej”, ku ishte edhe epiqendra e asaj kohe e rinisë. Ndërkaq, sinjali erdhi pak metra më tutje qendrës së Tiranës. Atje ku disa dhjetëra studentë vendosën të përballen me aparatin e diktaturës. Ajo lëvizje u bë drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë.

-Mision i realizuar

Shqipëria sot, është ajo që donin studentët dhe shumica e shqiptarëve në dhjetor të ’90-ës. Mesazhi dhe misioni i Lëvizjes Studentore është i realizuar. Shqipëria sot, është shumë më tepër se ajo që mendonim dhe shpresonim në atë kohë të ishte. Dhe vërtet këtu është një meritë, së pari, e vetë PD-së që përgjithësisht në gjithë jetën e saj historike e mbajti këtë flamur të mesazhit të lëvizjes studentore të ’90-ës, është meritë e gjithë shqiptarëve që demokracinë e bënë shumë shpejt mentalitet të qenies së tyre dhe të shtetit të tyre. Ëndrra e studentëve dhe e shumicës së shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike është bërë realitet me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me pranimin e kërkesës për të qenë vend kandidat për në BE.