Artur AJAZI/ Ky sezon turistik, mision i pamundur

538
Sigal

E ndërsa agjencitë turistike dhe disa media të rëndësishme perëndimore kanë nisur ta shfaqin emrin e Shqipërisë si “vendi me thesare të pazbuluara”, duke u rekomanduar turistëve të vendeve të tyre, mos humbin rastin për ta vizituar, duket se ky vit dhe ky sezon veror, do të jetë më i dobëti në 23 vitet e fundit. Krahasimin mund ta bësh pa ndonjë ekuivok me vitin e mbrapshtë 1997. Tritoli ka trembur cilindo turist të huaj që kishte ndërmend të vinte në “vendin e thesareve të pazbuluara”. Era e tritolit pas prishjeve të pallateve, lokaleve dhe  vilave në zonat turistike, por edhe pas valës së shfrenuar të krimit me të njëjtën “armë” shpërthyese në çdo qytet të vendit, duke marrë jetë njerëzish, kanë deklaruar të dështuar këtë sezon veror. Asnjëherë ne shqiptarët nuk kemi ditur ti bëjmë punët me mbarësi, sipas logjikës, ligjeve dhe kërkesave të tregut, asnjëherë ne nuk kemi dashur dhe nuk jemi përpjekur të vendosur mbi gjithçka kodin  moral të mirëkuptimit dhe tolerancës. Diku një pallat 4 kate pa leje, diku një tjetër pallat 5 kate që ka “prishur” masterplanin e vijës bregdetare, diku një lokal luksi i ngritur buzë superstradës  sërish pa leje, restorante dhe disko, vila dhe karabina, po gjenden nën pushtetin e tritolit. Madje shpesh prishja e tyre ndodh sot për nesër, pra sot dërgohet njoftimi dhe nesër fadromat e Dajtit nisin batërdinë, duke e kthyer gjithçka në një pamje të cilën do ta kishte zili edhe Assad në zonat e tij bregdetare. Vija bregdetare në tërësinë e saj, po mbulohet nga veriu në jug, nga male me godina të shembura nga tritoli, i cili më tepër se kurrë, sot është bërë malli më i dashur për këtë qeveri. Po përse kjo fushatë kaq e egër dhe me tritol ndaj pallateve dhe investimeve miliona euro në zonat turistike, dhe pikërisht kur ndoshta edhe 90 ditë na ndajnë nga nisja zyrtarisht e sezonit veror 2014 ? Agjencitë turistike shprehen se, prenotimet kanë rënë në afro 70 për qind, nuk kemi interesime, madje edhe kroçerat dhe jahtet që vjet mbushnin portin e Durrësit dhe Vlorës, kanë ndryshuar itinerarin dhe kjo padyshim do të thotë një sezon të dështuar, zhytje në krizën që ka mbërthyer rajonin dhe kapitullim të bizneseve turistike. Specialistët e fushës mendojnë se, zgjidhja duhej të ishte më racionale, më e studiuar, më tolerante, duke mos harruar se kjo situate do të ishte dhe mund të jetë edhe për vitin e ardhshëm, një goditje për turizmin, në një Shqipëri e cila ka investuar shumë vitet e fundit për promovimin e tij në mediat e huaja, për prezantimin e resurseve tona të çmuara në zonat bregdetare e malore. Vitet e fundit Shqipëria po bëhej ndër epiqendrat e turizmit dhe një vend i dashur për turistët nga Europa Qendrore dhe ajo Perëndimore. Ne jemi ndoshta ndër të pakta vende, ku kemi të ngritur në infrastrukturë  natyrore  turizmin malor, bregdetar, liqenor, lumor  dhe kulturor. Nuk na mungon deti, lumi, liqeni, malet, fshatrat me klimë të shëndetshme, gatimet tradicionale, stanet, kullotat, bujtinat, etj.. Por ne na mungon më e rëndësishmja, dëshira për të bërë shtetin, dëshira për të zbatuar ligjet, për të investuar  kapitalet tona mendore dhe intelektuale në dobi të vendit, për të vendosur ura  bashkëpunimi e tolerance në shërbim të atdheut dhe të ardhmes, për ne, dhe brezat që do të vijnë. Të paktën në Durrës ky sezon veror, pritet të ndëshkojë mbi 1700 biznese  private, të cilat po shkojnë drejt rrënimit, për mungesë infrastrukture dhe mospagim të taksave që siç thonë ata “kanë mbetur të njëjtat me vitin e kaluar”. Duke parë dhe analizuar situatën,mendoj se ky sezon veror (në mos edhe ai i radhës) mbetet një mision i pamundur për dikasteret promovuese, dhe grupet e interesit, një mundësi më pak për rritjen e nivelit të arkëtimeve në arkën e shtetit, dhe mbushjen e xhepave të bizneseve në zonat bregdetare.