Artur AJAZI/ Histori koalicionesh me impakte pozitive

668
Sigal

Sulmet  politike mbi koalicionin PS –LSI  dhe qeverisjen e tyre, duken  si reagime

nervoz në situatën e krijuar, apo si argumente politike? Historia e koalicioneve në demokracinë shqiptare është e njohur për dukuri të tilla që nuk përbën asnjë lloj precedent  në pluralizëm. Duke parë retrospektivën politike, konstatojmë se, qysh në vitin  1992 kur PD-ja mori pushtetin në mënyrë plebishitare, në qeverinë e tij, Berisha ftoi socialdemokratët e Gjinushit, të cilët iu përgjigjën pozitivisht. Por, edhe në vitin 1997, kur Nano dhe koalicioni i tij fituan bindshëm zgjedhjet, në qeverinë e tij nuk mungonin edhe  themeluesit e PD si Zogaj, Imami, Ceka etj.. Akrobacitë e tilla, të provuara nga dy kampet e politikës realisht kanë dhënë rezultate pozitive, dhe kanë dëshmuar funksionim normal  bashkëqeverisjes, duke krijuar një mirëkuptim madje perfekt. Muajt e fundit nervoziteti që po shfaqet tek lidershipi i PS-së, ndoshta nuk ka asnjë kontekst të justifikuar nga historia e koalicioneve të politikës. Ai mbetet në kufijtë e një përpjekje për të prodhuar alibi që duan të justifikojnë humbjen e PD dhe aleatëve. Por, nga ana tjetër,  duket se, realisht po përgatitet ruajtja e pozicionit të Ramës në krye të PS-së, pavarësisht  se statuti, (Kushtetuta e socialistëve) qartazi e përcakton largimin e kryetarit dhe shpalljen e emrave të garuesve të rinj. Kjo është iniciativë e vetë Edi Ramës në Kongresin që e zgjodhi në mënyrë jo transparente. Për të krijuar një iluzion të rremë në fitoren e 23 Qershorit dhe për të krijuar alibitë që duhet të mbajnë Ramën kryetar partie, shpesh  sulmohet politikisht koalicioni kundërshtar, por edhe aleatët, të cilët janë jo vetëm një normalitet politik, por edhe një domosdoshmëri për stabilitetin e vendit. Koalicionet janë hapat e mundshëm institucionalë dhe parimorë që bëhen në demokraci, alibitë e tjera janë vetëm pazare dhe ndotnin më shumë politikën në Shqipëri. Alibitë gjithmonë kanë rezultuar jo vetëm jofunksionale, por kanë patur një faturë të madhe në proceset integruese Shqipërisë. E ndërsa, para 23 Qershorit në PS nuk mund të flitej për koalicion me LSI, kjo e fundit kishte opsione të tjera, racionale dhe efektive. Ndaj ajo me shumë vështirësi dhe pas një vendimmarrje të vështirë, zgjodhi rrugën konstruktive, atë të bashkëpunimit me PS nuk përbën herezi dhe as argument për të bërë moral. Sulmet e shpeshta ndaj LSI shpesh të pa bazuara, janë pjesë e dëshpërimit për mosarritjen e objektivit. Gjithmonë kanë synuar për ta nxjerrë jashtë loje si formacion politik, dhe kjo është vërtetuar edhe në dy zgjedhjet parlamentare të viteve 2005 dhe 2009. Rezistenca e LSI-së në këto zgjedhje ishte befasuese, pasi ishte nën një presion shumë të madh, por edhe e ndëshkuar nga penalitete me Kodin Zgjedhor. Ato vijuan më pas me pabarazinë e fushatës. Mbijetesa politike e LSI-së, për të fituar jo vetëm zgjedhjet, por edhe për të nxjerrë nga politika figurat e vjetra e ktheu atë në “kyçin” e zgjidhjes në 23 Qershor. Duke i thirrur kujtesës, konstatojmë se LSI-ja mbetet një standard që duhet vlerësuar dhe që ka sfiduar fanatikët dhe ekstremistët. Zgjidhja dhe zgjedhja e LSI mbetet impakt pozitiv dhe kontribut i standardit të bashkëjetesës politike dhe mes kundërshtarëve tradicionalë politikë. Si forcë politike ajo dha shembullin e sfidës, sipas të cilës pas garës zgjedhore, mund të bashkëpunohet e bashkëqeverisjet edhe me kundërshtarin politik. Votuesit  shqiptarë kanë arsye të ndjehen europianë për koalicionet e reja; së pari sepse Shqipëria është tashmë në konturet demokratike të bashkëpunimit me aktorët politikë dhe e dyta, se përfundimisht ka marrë fund politika që synonte krijimin e kultit të individit që  përfaqëson një njeri me impakt të rrezikshëm në administrimin e pushtetit. Me iniciativën e saj LSI ka rrëzuar një psikologji që padrejtësisht ishte në politikën shqiptare dhe kishte ngushtuar rrezikshëm polarizimin negativ që akoma vazhdon të jetë prezent. Mendoj se, ky koalicion me LSI do të jetë jo vetëm një impakt pozitiv në kulturën demokratike dhe në stabilitetin e vendit, por do të ketë ndikimet e veta edhe në integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane.