Artur AJAZI/ Biznesi, dhomat e tregtisë dhe qeveria

554
Sigal

Biznesi ka pritshmëri të lartë nga qeveria sidomos përsa i takon ndryshimeve në sistemin fiskal, lehtësirave në pagimin e taksave dhe mbi të gjitha reduktimin e korrupsionit dhe abuzimit nga administrata tatimore dhe doganore. Dhomat e Tregtisë, ku biznesmenët organizohen, shpesh organizojnë më anëtarët pyetësorë, për të tërhequr opinionin mbi atë se çfarë presin nga qeveria dhe si mendojnë ata se mund të përmirësohet klima ndaj tyre në vend. Nëpërmjet tyre dhomat kanë tentuar të krijojnë ide të qarta mbi atë se çfarë pret biznesi, për t’i bërë të njohura nëpërmjet aktiviteteve me zyrtarë të lartë, qeveritarë apo parlamentarë. Duke qenë të qarta problematikat për të cilat biznesi kërkon zgjidhje, dhomat e kanë më të lehtë të organizojnë plane pune dhe në top- listën e tyre të vendosin takimet me përfaqësues të qeverisë që mbulojnë sektorët ku biznesi ka më shumë probleme. Dhomat duhet të jenë struktura tek, e cila në fokus të aktiviteteve të tyre të kenë interesin e biznesit e anëtarëve të tyre. Në kohë fushatash, kur partitë politike që garojnë për zgjedhjet parlamentare, shpallin programin e tyre elektoral, mes të cilave një vend të rëndësishëm zënë edhe premtimet për biznesin, është pikërisht biznesi ai që i takon të gjykojë se cilës forcë politike do t’i besojë më shumë. Klasa e biznesit duhet të jetë e vendosur  për t’ i bërë të njohura pritshmëritë që kjo klasë shoqërore, ka karshi klasës politike dhe për t’ i mbrojtur ata në katër vitet e ardhshme. Si pjesë e lobimit që bëjnë dhomat për interes të anëtarëve të saj, shpesh edhe me pyetësorë, këta të fundit  përbëjnë pjesën kryesore të kërkesave me të cilat ajo i drejtohen qeverisë për të ndërhyrë atje ku biznesi ka më shumë nevojë. Janë me qindra kërkesat që biznesi ka përcjellë mes pyetësorëve, ndërkohë që dhomat, si përfaqësuese të tyre, i kategorizojnë ato sipas sektorëve të veçantë. Shpesh mes  kërkesave më themelore qëndrojnë ato mbi reduktimin e TVSH-së dhe mospërdorimi i sistemeve të referencës, duke marrë për bazë çmimet e kontratës. Lehtësimi i procedurave doganore dhe një strategji e qartë për nxitjen e eksporteve, mbeten dy nga kërkesat themelore. Problemi i titujve të pronësisë mbi tokën është gjithashtu një çështje themelore që kërkon zgjidhje urgjente. Por biznesi pret lehtësime të procedurave tatimore ku hyjnë format e parapagimit të taksave si dhe rimbursimi i TVSH-së. Prej vitesh kishte një kërkesë të vazhdueshme nga ana e biznesit për ngritjen e Gjykatës Administrative, e cila më në fund u realizua. Një kërkesë tjetër e vazhdueshme është për luftën kundër korrupsionit, që duhet të ndërmarrë qeveria sidomos në administratën tatimore dhe atë doganore. Çështja e korrupsionit, sjellja arbitrare e tatimeve ka qenë e pashembullt dhe kjo duhet të ndryshojë nga qeveria e re, dhe Ministria e Financave, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Rimbursimi ka qenë dhe mbetet një torturë e madhe për biznesin, proces, i cili duhet të bëhet automatik, në mënyrë që të ketë transparencë maksimale dhe që biznesi të mbetet në varësi të trajtimit selektiv nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Por problem mbetet ai i lejeve, proces i cili duhet të zhbllokohet. Historia e lejeve dhe përsëritja e planeve dhe masterplaneve, sa herë ndërrohen qeveritë mbetet një zhgënjim i biznesit. Një nga mangësitë kryesore mendoj se ka qenë zvarritja pafund e studimeve, planeve, masterplaneve dhe sidomos përsa i takon zhvillimit të bregdetit. Sot kemi një realitet, ku nuk kemi një resort turistik të standardeve më të larta europiane një resort, i cili të ketë minimalisht disa nga ato standarde, të cilat ekzistojnë kudo si në Greqi, Itali dhe në shumë vende të tjera dhe ndërkohë që politika jonë në zhvillimin e turizmit mbetet ende në nivelin e propagandës dhe jo në një realitet me standarde te larta. Nga biznesi ka pasur kërkesa për të bërë investime të tilla. Shpejtësia në plotësimin e kërkesave të biznesit për investimet, të biznesit vendas  dhe të huaj do të jetë përcaktuese për zhvillimin ekonomik të vendit. Përcaktuese mbetet sjellja e qeverisë dhe administratës me transparencë, me efikasitet, shpejtësi në plotësimin e kërkesave të investitorëve, numri i të cilëve është i pafund pavarësisht nga kriza e përgjithshme për të përcaktuar një rritje më të lartë të vendit gjatë këtij viti. Parashikueshmëria dhe transparenca në mbledhjen e taksave është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfida e Shqipërisë është që përmes politikave të reja fiskale, të arrihen rezultate të larta për mbledhjen e të ardhurave, dhe të minimizohet informaliteti. Zgjidhje të shpejta duhet të kenë problemet administrative me të cilat ndeshet sot biznesi, pasi ato përcaktojnë ecurinë dhe koston reale të tij. Qeveria duhet të jetë në një proces diskutimi dhe konsultimi edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe me institucionet e tjera të pavarura për zgjidhjet më të mira, të legjislacionit dhe për luftën kundër korrupsionit, por pa cenuar pavarësinë e institucioneve . Qeveria pret shumë nga biznesi, por ka ardhur koha që edhe biznesi të presë më shumë nga qeveria.