Artur AJAZI/ Amnisti për të burgosurit, jo për politikanët?

56

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi me konsensus projektligjin “Për amnistinë”, nga i cili përfitojnë dhe personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet. Janë 350 të burgosur që përfitojnë nga kjo masë, mes tyre dhe gra të dënuara të moshës mbi 50 vjeç si edhe të miturit të moshës 17 vjeç. Maxhoranca dhe opozita dhanë njëzëri votën “pro”, pas kërkesës që deputeti socialist, Pandeli Majko i drejtoi komisionit që amnistia të ishte vetëm konsensuale. “Nëse diskutohet amnistia sikur një palë duan të nxjerrin disa nga burgu dhe disa janë të shqetësuar pse po dalin këta nga burgu atëherë nuk ka amnisti. Amnisti të PS-së nuk mund të ketë. Do ketë amnisti të Kuvendit të Shqipërisë, amnisti të PD-së dhe të PS-së nuk mund të ketë, ajo të jetë e përbashkët”- kështu deklaruan deputetët e dy kaheve të politikës. Çdo 4 vjet, kush ka qenë President i Republikës, ka bërë amnisti për të burgosurit, kuptohet për ata burra dhe ato gra që kanë kryer krime jo të rënda. Në çdo rast amnistia është shoqëruar me debate, me deklarata, me thirrje e kundër thirrje, me vota pro dhe kundër saj, por në fund deputetët e kanë gjetur “gjuhën” e tyre. Dhe kjo është bërë nga politikanët. Por në rast se do të kishte amnisti për politikanët si do të veprohej vallë ? Mendoj se ata do të kacafysnin me njëri-tjetrin dhe në fund do të binin në konsensus për tu shpallur të gjithë të “pafajshëm”. Klasa jonë politike, mbetet e zhytur në faje të rënda, dhe nuk do të kishte moral asnjë President Republike (i pavarur)  të bënte amnistinë e saj. Sepse kjo klasë politike, është fajtore për gjithçka të keqe dhe çdo tronditje që po kalon vendi dhe shoqëria shqiptare. Krimi, korrupsioni, varfëria, mungesa e investimeve, mungesa e zbatimit të ligjeve, mungesa e tolerancës dhe dialogut mes palëve, lufta e egër klasore politike, institucionale e private, shtrirja e madhe gjeografike që ka sot urrejtja krahinore e cila po bëhet pengesë serioze për mbarëvajtjen e shtetit, janë disa prej fajeve (jo gabimet) të klasës politike. Mjafton një prokuror (jo shqiptar) i huaj, dhe mbi bazën e ligjeve kushtetuese të Shqipërisë, do të mbushte burgjet me politikanët dhe qeveritarët tanë. Kësaj klase politike, i mungon morali, dinjiteti, luajaliteti, mençuria, ndërgjegjja kombëtare, përvoja institucionale, dhe dëshira për të zbatuar ligjet e vendit. I mungon morali sepse është fajtore dhe e akuzuar për situatën e rënduar në gjithë kompleksitetin e saj që po kalon sot vendi, i mungon dinjiteti dhe luajaliteti, sepse nuk ka ditur asnjëherë të jetë përfaqësuese e interesave të shumicës së shqiptarëve, por e interesave të ngushta personale. I mungon mençuria dhe përvoja institucionale, sepse asnjëherë në 23 vjet, kjo klasë politike nuk ka ditur dhe nuk ka dashur, të bëjë shtetin, nuk ka dashur të zbatojë ligjet që ka miratuar me shumicë ose jo votash në parlament. Tek i dëgjon të flasin dhe diskutojnë për “amnistinë e të burgosurve”, ata që janë akuzuar, sharë, fyer, e rrahur me njëri-tjetrin në salla, e komisione parlamentare, ndjehesh i turpëruar. Madje do të thosha se, edhe ndonjë nga ata që pas hekurave pret amnistinë, sigurisht mendon se “shumë prej tyre duhej të ishin me kohë këtu ku jam unë sot”. Në komisionin e ligjeve folën mjaft deputetë, dhanë mendimet e tyre, treguan skepticizmin e tyre, kërkuan të ishin të “gjithë bashkë”, në votën pro amnistisë, ndonjëri madje u shpreh se kjo mund të përdoret për shpërblime politike. Tallja e politikës nuk kursen edhe të burgosurit, në salla dhe zyrat e kuvendit. Një miku im, ish-deputet në sesionin e kaluar më thoshte një ditë se “shtynim kohën, se duhej të flisnim e kishim detyrë nga partia, në fund vendosnim kush ishte më e mira për ne”. Dhe fakti është se, kjo amnisti liron nga burgu ndonjë hajdut celularësh, ndonjë hajdut bagëtish ndonjë shofer që ka aksidentuar dikë, ndonjë që ka bërë 10 vjet dhe i kanë mbetur edhe 12 muaj burg, por edhe ndonjë grua të dënuar prej vitesh për vrasje, dhe të 350 këta njerëz, nesër do ti thonë “Ejvallah” politikanëve. Këta të fundit dalin “shpëtimtarët e tyre”, dhe janë ballëlartë tu trokasin në derë e tu kërkojnë votën kur të vijë dita. Tragjikomedi me njerëzit, e cila luhet prej afro dy dekadash nga profesionistët e politikës shqiptare. Amnistia ndodh edhe në botën e qytetëruar, por për ta bërë atë diskutojnë dhe vendosin njerëz dhe emra të pa përfolur, ligjvënës  dhe politikanë karriere, dhe jo tranzitorë dhe amatorë, siç po ndodh tek ne.