Artan Fuga: Pse nuk jam pjesë e qeverisë

599
Pas përfoljes për të qenë pjesë e qeverisë, Fuga: Jo me këtë formulë 

Pas nënshkrimit të marrëveshjes nga dy partitë e mëdha dhe nisjen e konsultimeve nga ana e PD-së për të zëvendësuar emrat e ministrave që do të lënë karriget, një nga emrat e përfolur është edhe ai i Artan Fugës. Ky i fundit nuk e ka mohuar faktin se është kontaktuar nga kreu i PD-së, por në një postim në rrjetin e tij facebook, ka argumentuar pse ka kundërshtuar dhe pse nuk do të donte që në këto momente të ishte pjesë e kësaj qeverie si ministër i arsimit. “Nisur nga fakti që në rrjete të ndryshme sociale përmendet edhe emri im për të qenë një kandidaturë e opozitës e propozuar për të qenë në qeveri, dëshiroj t’i falënderoj shumë të interesuarit dhe ata që kanë besim te unë, të cilin asnjëherë nuk do ta zhgënjej. Desha të njoftoj se opozita, pa pasur asnjë detyrim, lëvizja për Republikën e re, edhe vetë Lulzim Basha, janë treguar moralisht dhe politikisht shumë korrekt për këtë çështje me mua. Unë i qëndroj mendimit tim, se modeli ekonomik, social, kulturor dhe politik që ka vendi ynë sot është krejt i tejkaluar nga koha.

Ai duhet rinovuar me themel, sepse e ka lënë Shqipërinë në prapambetje, prodhon kriza dhe ka përjashtuar, denigruar, fyer qytetarin. Unë jam shumë i qartë se çfarë duhet bërë për ta zëvendësuar atë brenda një kohe shumë të shkurtër, dy- vjeçare, me një model të ri, të kohës, mbështetur në arritjet më të mira të këtyre dekadave dhe duke shëruar plagët e shumta të grumbulluara”, shkruan Fuga. “Ndërkohë, aktualisht, sot, detyra e anëtarëve të qeverisë, të cilët propozohen nga opozita dhe aprovohen nga kryeministri është, si duket thjesht për disa javë dhe vetëm për të qenë në një farë mënyre rojtarë të ndonjë paudhësie nëpunësish :). Për këtë funksion, që nuk them se nuk ka fare dobi shoqërore, nuk ndjehem gati të angazhohem. Muajt e verës që i kisha rezervuar për të ribërë një tekst për studentët, po i harxhoj për këtë punë, më mirë sesa të qëndroj para ose pas ndonjë tavoline, ulur në kolltuk ose duke parë larg përmes dritares dhe duke mbajtur me dorë perdet e trasha. Pra duke falënderuar miqtë dhe të interesuarit, çështja është e mbyllur nga ana ime duke e lënë rehat opinionin publik. Ndërkohë më gjatë do të shpjegohem më pas, ndërkohë që gjatë javëve që vijnë do të jem si gjithmonë aktiv për të sensibilizuar së bashku me opinionin qytetar politikën, se çfarë presim ne për Republikën e re.

Unë mbetem thellësisht, deri në fund, plotësisht me besimin, se ne na pret ose një Republikë e re ose barbaria dhe mjerimi e humbja si komb. E kam thënë dhe e përsëris: Njerëzit ikin e vijnë, ideja do të mbetet! Ne si qytetarë duhet t’i japim udhë asaj. Ka ardhur sahati! Ne mundemi!”, – e mbyll ai statusin e tij.
Sigal