Arsimi nuk është një “pirg” reformash subjektive, por një projekt inteligjent

973
Dr. Jorgo MANDILI 
(Ose një kërkese qytetare për kryeministrin e vendit tim, për një menaxhim intelektual të arsimit) 
Dihet rëndësia dhe lidhja që ka arsimi me individin, shtetin dhe shoqërinë. Madje, edukimi prej mendimtarëve të civilizimit është konsideruar si “Arka e Noes” për shoqërinë. Është kjo arsyeja që shumë personalitete botërore arsimin e kanë pasur prioritet. Jo më kot Lindon Xhonsoni e fillonte punën në Shtëpinë e Bardhë, me problemet e arsimit. Sa për kujtesë, në administratën e Obamës, ministri i Arsimit ka qenë John King, i diplomuar në Universitetin e Harvardit, me master në Universitetin e Kolumbias dhe një diplomë për drejtësi në Universitetin Jeill. Nuk kam qëllim të bëj krahasim me Amerikën, por dua të evidentoj vizionin e përgjegjshmërinë e një lideri si Obama për arsimin dhe të nënvizoj se, kur lideri i një shteti është personalitet, ai padyshim, personalitet me integritet të lartë shkencor dhe moral do ta zgjedhë edhe individin, i cili do të menaxhojë të ardhmen e gjeneratës së re te vendit të vet. Edhe në historinë e arsimit të vendit tonë, në drejtim ka pasur (në periudha të caktuara, qoftë edhe të shkurtra), personalitete të shquara reformatorë, të tillë si L. Gurakuqi në qeverinë e I. Qemalit apo R. Mitrovica e M. Ivanaj në vitet ’30 të shek të kaluar. Madje në monizëm as që mund të krahasohet lidershipi i ministrisë së arsimit i mesit të viteve 80 i përfaqësuar nga prof. Skënder Gjinushi, prof. Bardhyl Golemi dhe prof. Arqile Teta, e një sërë drejtorësh të tjerë në sektorë të ndryshëm, reformatorë dhe personalitete në fushën e tyre. Si shpjegohet që në “demokraci” janë promovuar në më të shumtën e rasteve, (duke përfshirë edhe Rilindjen) si menaxherë politikë të arsimit, disa figura pa identitet individual e mendor, që janë bërë kontributorë realë në zgjatjen e tranzicionit dëshpërues dhe në rrënimin moral dhe intelektual të shoqërisë shqiptare. Kësisoj menaxhimi politik dhe akademik i arsimit, nuk mund të realizohet me mediokër e militantë,të ngratë e me integritet copë – copë, që lenë shijen e keqe të mëshirës dhe neverisë në opinionin akademik e publik, qofshin këta edhe me grada e tituj në shumicën e rasteve të pamerituara. As me përfaqësues të interesave të vogla, meskine, amorale dhe shpirtrave të shitur, të ashtuquajtur “lidership tenderësh e bordesh”i të gjitha niveleve. Kërkohet një lidership politik dhe akademiko – shkencor i formuar në mënyrë të plotë, kunderkonformist racional, që me kurajë civile e guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor anakronik duhet shembur dhe në vend të tij të luftojë të ngrejë një sistem arsimor të lirë, i cili të gjenerojë intelekt e qytetari. Një lidership akademik që nuk e ka pushtetin si qëllim në vetvete,që fokuson sinergjinë e komunitetit akademik drejt një perspektive të qartë të institucionit duke garantuar një ndryshim radikal që potencialisht përmban një revolucion në arsim. Një lidership i pa ‘shqiptarizuar’, i cili me guxim intelektual dhe me kundërkonformizmin racional të realizojë dy akte të mëdha :aktin e Pastrimit dhe aktin e Ndryshimit. I pari, lidhet me pastrimin e mjedisit të rrënuar e të infektuar të arsimit përgjatë këtij tranzicioni, në të cilin ekziston një realitet i trishtueshëm ku mbizotëron mediokriteti në përmbajtje, strukturë dhe metoda të mësimdhënies, ku ka ende korrupsion, abuzivitet, arrogancë e paaftësi emblematike, sidomos në universitete që “përgatisin punonjës për 50 vjet më parë”. Kjo e domosdoshme, sepse nuk mund të guxosh të realizosh Ndryshimin radikal në një mjedis të tillë akademik të infektuar moralisht e të korruptuar materialisht. Përpjekjet për të implementuar vizionin e ri në arsim me këto resurse akademiko – shkencore është anakronizëm dhe vetëmashtrim. Se edukimi është mbi të gjitha një projekt inteligjent. Edukimi është rinia, kundrejt së cilës, njeriu aspiron përjetësisht, është “Arka e Noes” ku shoqëria ka kërkuar shpëtimin dhe prosperitetin e saj . Jo edukimi si riprodhim i një ideali ideologjik, si riprodhim i një brezi sharlatanësh me diplomë e servilë të regjimit,Jo edukimi si riprodhim i një shoqërie të korruptuar e konfliktuale. Por, edukimi si institucioni që gjeneron inteligjencë dhe qytetari. Edukimi, si institucioni në funksion të zhvillimit, i aftë të kapë ligjet që drejtojnë zhvillimin e shoqërisë në përputhje me ndryshimet e shpejta të saj dhe të parashikojë skemat e përballimit me sukses të sfidave që i dalin para. Vetëm një edukim i tillë dinamik dhe vizionar është cilësor. Si i tillë ai duhet ta përgatitë individin që të përshtatet me lehtësi me tregjet e punës, tipologjia e të cilave ndryshon shumë shpejt gjatë jetës së tij..Jo vetëm kaq. Një edukim cilësor i brezave duhet të rrit kohezionin shoqëror ,të garantojë ruajtjen dhe përçimin e vlerave kombëtare si dhe të rrit ndërveprimin midis vetes dhe botës së jashtme. Ai i aftëson individët për të përmbushur qëllimet për jetën. Një edukim që zhvillon ndjenjat e qytetarisë dhe përgjegjshmërisë shoqërore dhe kontribuon në konsolidimin e institucioneve publike dhe proceseve të politikberjes. Në këtë kontekst, edukimi nuk është një grumbull mbeturinash projektesh e reformash që kanë arritur pikën e vdekjes , por është një projekt për integrimin e individëve në realitetin shoqëror – historik , duke pasur parasysh interesat, ekuilibrat dhe perspektivën e shoqërisë. Këto qasje nuk janë dëshira subjektive të ndonjë formacioni politik, as të formuluara nga ndonjë komision “ad hock”,por domosdoshmëri objektive e pasqyrimit të ndryshimeve të shpejta që po ndodhin në shoqëri, shkencë,teknologji, ekonomi e kulturë . Si i tillë edukimi është një projekt inteligjent. Jashtë këtij kuptimi dialektik të lidhjeve, madhësive, varësive dhe ndikimeve të ndërsjella të mësipërme nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë ecje përpara, zhvillime, ndryshime e shndërrime të reja, rrënjësore e thelbësore, sasiore e cilësore të vazhdueshme në fushat përkatëse për përgatitjen e produkteve humane të shek XXI. Dhe ky ndryshim në arsim dhe sidomos në arsimin e lartë mund të realizohet vetëm me ndihmën e Diasporës. Të akademikëve, profesorëve dhe shkencëtarëve shqiptarë të Diasporës,si qytetarë të lirë të një Bote të Lirë, që kanë për devizë mendimin ndryshe. Mbi të gjitha, si intelektualë të spikatur,kanë jo vetëm mentalitet tjetër, duke mos u bërë marioneta politike , por edhe një përvojë tjetër, atë euroatlantike në shkencë, mësimdhënie e menaxhim,gjë që i mungon lidershipit aktual akademik tek ne në universitete. Shembulli i prof. Shaskes, “matematicienit të njohur dhe moderator e drejtues i shumë projekteve të NATO-S “, i laureuar dhe doktoruar në universitetet amerikane, me integritet të lartë shkencor e moral, me botime e studime dinjitoze, ish rektori i universitetit të Vlorës, (2008 – 2011), tregoi më së miri se edhe në Shqipëri mund të ndryshojnë gjërat, edhe në Shqipëri mund të ngrihen institucione moderne,. I bindur dhe i ndërgjegjshëm në aftësitë e tij menaxhuese, nëpërmjet një projekti menaxhues ambicioz e sfidues, arriti t’a nxjerrë universitetin e Vlorës nga ngërçi dhe apatia ku kishte rënë. Ndryshimi – theksonte ai-lidhet me vizionin dhe aspiratën e njeriut për të besuar në një ndërgjegje reformuese substanciale……. Ne si individë jemi fare pa rëndësi Janë institucionet ato që mbeten dhe i japin vendit dhe historisë. Shembulli i prof. Shaskes tregoi se suksesi për ndryshim arrihet kur Vizioni është perëndimor, drejtimi demokratik dhe menaxhimi modern. Një personaliteti të tillë dhe shumë të tjerëve si prof. Shaska, me perfomancë të lartë shkencore, akademike,e menaxhuese, u duhet hapur dera si një mundësi potenciale e “artë” për ndryshimin e kërkuar, si “majaja” e shoqërisë moderne shqiptare Dhe jo vetëm në arsim. Por në arsim është më imperativ, se kërkohet rilindja e Intelektit të rrënuar, kërkohet krijimi i qytetarit, mbartësit të mendimit të lirë,të së drejtës dhe demokracisë, kundrejt qytetarit-otoman- një individ që udhëhiqet nga instinktet emocionet dhe interesat meskine, lehtësisht i manipulueshëm për t’u “turmëzuar”. Se arsimi është burimi i burimeve njerëzore. Do të na duhet kohë e gjatë për këtë ndryshim, por të paktën, të hidhen themelet e një Arsimi të Ri, e një Shkolle e Universiteti të Lirë, që pas 20-25 vjetësh të kemi një brez të ri, me mentalitet të ri, me dije të reja, i cili do gjenerojë intelekt, qytetari, kulturë të re, politike të re, administratë të re, drejtësi dhe dinjitet, të domosdoshme për një popull të qytetëruar dhe për një shtet demokratik e liberal. Nëse ndonjë forcë politike apo të gjitha bashkë do ta realizonin në praktikë një projekt të tillë në arsim, atëherë me të vërtetë do të kishim arsye përse do t’i ishim historikisht mirënjohës. Deri më sot të gjitha forcat politike e kanë humbur këtë shans historik. Tani po u jepet një shans tjetër. Për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e brezit të ri. Që të mos ndjehen inferiorë me bashkëmoshatarët e tyre evropiane., për hir të Zotit, zoti kryeministër gjej njeriun e duhur që edhe në Shqipëri të kemi Arsim dhe Shkencë e mbi të gjitha Universitet. Jo shumë e për lumë, por pak dhe të saktë si EVropa. Boll deri këtu. Bëtë çfarë deshët. Mjaft më me mashtrime, spekulime e abuzime.
Sigal