Arsim SINANI/Zbehja e Doktrinës politike Gruevski

622
Sigal

Shqiptarët e Maqedonisë të unifikuar ndaj politikës antishqiptare të Gruevskit

Maqedonia po futet në vjeshtë me një krizë qeveritare, krizë e cila do t’i lodhë edhe më shumë qytetarët, të cilët tanimë me energji elektrike të shtrenjtuar, me ushqime që duhet t’i matin me gramë për shkak të krizës, do të duhet të mendojnë edhe për zgjedhjet e parakohshme lokale e parlamentare. Çështja e zgjedhjeve të parakohshme, duket se vjen si rezultat i kryeneçësisë së partisë maqedonase VMRO, e cila kërkon t’i ndëshkojë shqiptarët. Nga ajo që shihet nga afër duket se kryeministri maqedonas është i gatshëm të futet edhe në një cikël zgjedhjesh për shkak të ligjit kontrovers të “branitellëve” duke e rritur tonin nacionalist në kampin maqedonas. Për tu bërë kjo çështje edhe më interesante tanimë kemi dy opsione VMRO dhe LSDM kanë vijë të njëjtë të mendimit për çështjen e “branitellëve” dhe kemi BDI dhe PDSH që kanë qëndrim të njëjtë dhe kërkojnë që edhe luftërat shqiptare të jenë pjesë e këtij ligji. Duke e analizuar situatën, skenari aktual mund të na sjellë fare lehtë tek fakti që, në Maqedoni në vend të integrimeve në Bashkimin Europian dhe në derën e hapur të NATO-s të merremi me zgjedhje të cilat ndoshta edhe mund të ndryshojnë konfiguracionin në qeverisje. Nëse ligji i “branitellëve” futet në Parlament partitë politike shqiptare do të duhej që ta bllokojnë këtë ligj mos të arrijë në seancë plenare duke e shfrytëzuar mekanizmin, i cili quhet Badinter që do ishte një formë për të frenuar nacionalizmin e kësaj doktrine politike. Badinteri realisht shqiptarëve u garanton që ky ligj të mund të bllokohet. Tjetra është që, mijëra amendamente të futen në procedurë që të bllokohet kështu puna e Parlamentit të Maqedonisë që do e vështirësonte dhe do ta parandalonte këtë ligj që të kalonte në Parlament. Tjetra është që PDSH të kërkojë interpelancë të Qeverisë dhe të bjerë kjo qeveri. Dhe shumë lehtë mund të kemi një koalicion të ri ndërmjet LSDM-së BDI, PDSH dhe RDK-së duke iu kundërpërgjigjur injorimit të skajshëm, i cili po u bëhet shqiptarëve në vazhdimësi nga VMRO-ja e Nikolla Gruveskit. Realisht VMRO nuk e ka numrin e duhur për ta mbajtur qeverinë sepse numrat flasin në favor të rënies së kësaj qeverie. Pse them se shqiptarët duhet të jenë një bllok sa i përket kësaj çështjeje dhe çka fitojnë e çka humbin shqiptarët. Pas enciklopedisë skandaloze, pas Shkupit 2014, pas gjithë atyre ligjeve që janë anti-shqiptare, pas ligjit të flamurit, pas bllokimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, pas shumë çkajeje duhet t’i jepet një stop sprintit disa vjeçar të VMRO-së, e cila marrëveshjen e Ohrit e ka bllokuar realisht dhe e mban në frigorifer. Nuk dua që të keqkuptohem në asnjë mënyrë dhe të fitojë dikush përshtypjen se favorizoj LSDM-në, por del se shqiptarët duhet të lirohen nga ky mentalitet që Maqedoninë e mban peng edhe në raport me fqinjin tonë Greqinë dhe 20 vite mbetet vendi i bllokuar nga politikat që nuk e gjejnë dot daljen nga minoranca dhe nga bllokadat e dukshme greke në arenën ndërkombëtare. Shqiptarët për herë të parë në pluralizmin politik kanë shans të tregojnë se ata janë faktor që i mban qeveritë dhe që realisht vendos se kur ato mund të bien nëse nuk e respektojnë votën e shqiptarëve. Nuk dua te keqkuptohem edhe në aspektin që them se tre partitë shqiptare do të duhej të bëheshin bashke me të gjitha organizatat e dala nga lufta sepse vetëm kështu do t’i kundërpërgjigjen kësaj politike e cila i diskriminon shqiptarët. Shqiptarët nëpërmjet partive të tyre politike do të duhej të gjejnë formulën e pengimit të këtij ligji, (ligj i cili realisht është kundër këtij vendi), dhe diskriminon qytetarin shqiptar. Vija e kuqe është ky ligj dhe është për tu përshëndetur qëndrimi dinjitoz i partive politike shqiptare që treguan një pjekuri të madhe dhe u pozicionuan që nuk do të mbështesin këtë ligj. Kjo gjë është një sihariq për shqiptarët e Maqedonisë që shumë vite presin për një bashkëpunim, i cili do të parandalonte doktrinën politike Gruevski, politikë që shqiptarët i konsideron si leckë. Që shqiptarët i konsideron se mund t’i përdorë për nevojat e veta. Pjekuria politike e shqiptarëve është shumë e rëndësishme sepse shqiptarët sot kanë nevojë për një politikë unifikuese, këtë e tha edhe lidershipi i Tiranës dhe më duhet ta përshëndes këtë bashkëpunim në mes forcave politike shqiptare. Zëshëm duhet ta themi se, ne shqiptarët në Republikën e Maqedonisë jemi faktor shumë i rëndësishëm dhe se pa shqiptarët asnjë qeveri nuk mund të funksionojë, dhe jo vetëm kaq, shqiptarët janë ai stabilizatori i këtij vendi dhe nuk e lëshojnë humbjen e rrugës e perëndimit. Shqiptarët janë ata që Maqedoninë e mbajnë në rrugën euro atlantike dhe këtë do ta bëjnë edhe në të ardhmen. Doktrina politike Gruevski duhet ta kuptojë se na ka bërë një nder të madh dhe është për tu falënderuar sepse shqiptarët falë kësaj doktrine po arrijnë të unifikojnë qëndrimet e veta dhe kjo do të ndikojë në përmirësimin e klimës politike të shqiptarëve në përgjithësi në Maqedoni. Shqiptarët në Republikën e Maqedoninë, që nga themelimi i këtij vendi, kanë protestuar dhe kanë qenë mur i fortë duke mos lëshuar pe në qëndrimet e veta të drejta dhe demokratike. Nuk është vështirë që shqiptarët t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat që i jep demokracia dhe kjo doktrinë politike do e shohë se si mund, shumë lehtë, të kemi një krizë të re politike, ekonomike dhe institucionale. Nëse doktrina e këtillë politike mendon se shqiptarët mund shumë lehtë t’i përdorë për nevojat e veta politike ditore e ka shumë gabim, përgjatë  kohës shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë gjithmonë unik dhe të koncentruar në çështjet e tyre jetike, këtë duhet ta kuptojë klasa politike maqedonase, e cila duhet të gjejë guxim dhe të pranojë realitetin e ri në Maqedoni sepse vetëm shqiptarët kanë treguar mirëkuptim për ta shembuj konkret kemi me vendet fqinje të cilat për çdo detaj kërkojnë mizë në raportet me Maqedoninë. Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë janë konsekuent dhe realisht kanë shansin që të parandalojnë zhytjen e Maqedonisë në ujëra të turbullta sepse nëse ligji i “branitellave” u bë mollë sherri, atëherë kësaj çështjeje duhet t’i shkohet deri në fund. Nuk është fundi i botës nëse bie doktrina politike Gruevski sepse nëse kryeministri nuk dëshiron siç ka treguar me lëvizjet e tij që shqiptarët të kenë vendin e tyre në shoqërinë e Maqedonisë, atëherë lirisht shqiptarët t’i kundërpërgjigjen në mënyrën e duhur, në mënyrë demokratike dhe me të gjitha mjetet, të cilat ua ka dhënë vota e elektoratit shqiptar. Dalje nga kriza ka, por jo në dëm të shqiptarëve apo ndonjë tip kompromisi i cili ia vazhdon jetëgjatësinë këtij mentaliteti politik. Po e përmbyll këtë shkrim me një batutë që ma tha një plak me të cilin po pija kafe dje kur doja të dija gjendjen e shqiptarëve. Ai është kategorik në mendimin e tij se duhet t’i jepet një përgjigje kësaj politike që ka shumë vite që kërkon një përgjigje. Kur ky plak e ka të qartë se si duhet t’i përgjigjet  kësaj doktrine politike, pse partitë tona mos t’ia japin përgjigjen që populli e kërkon. Gruevski kërkon revansh. A do ta shfrytëzojnë politikanët shqiptarë këtë për tu unifikuar dhe a do ta kapitalizojnë këtë në favorin tonë mbetet për tu parë. Bekimin e shqiptarëve e kanë, sepse  populli i ka thënë jo këtij ligji dhe të gjitha ligjeve tjera antishqiptare.

*Kryetar i Akademisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë