Arroganca e politikës dhe demagogjia e saj

688
Sigal

Prof. Dr. Zamira
Çavo, politologe

Qeverisja “Rama” është arrogante në të gjithë sjelljen e saj.
Besimi se njerëzit përballë Berishës dhe Bashës do vazhdojnë të preferojnë Ramën,
e bëjnë kryeministrin arrogant. Me këtë unë shpjegoj dhe qëndrimin indiferent të
kësaj qeverie në procedimin e shpërdorimeve publike të bëra nga qeverisja “Berisha”.

 Jakup B. GJOÇA

 Prof. Dr. Zamira
Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf” protestën kundër tarifës në Rrugën
e Kombit e quan revoltë të drejtë të qytetarëve të Kukësit për interesat e tyre
dhe jo kundër qeverisjes “Rama”, sepse kësisoj, do të jetë orkestruar nga
Tirana. Prof. Çavo shprehet se duhet solidarizim i protestës kundër arrogancës,
sepse qeverisja “Rama” është arrogante në të gjithë sjelljen e vet, por
politizimi i kësaj revolte do të ketë pasoja të rënda për vendin. Prof. Çavo
thotë se taksat e shqiptarëve shpërdorohen nga qeveria, sepse përfundojnë,“Në
xhepat e bizneseve të mëdha klanore dhe politikanëve që i ushqejnë këto
biznese”.

 -Prof. Çavo,
protesta e qytetarëve të Kukësit, mendoni se është thjesht kundër 
tarifës për Rrugën e
Kombit apo ajo ishte pika e ujit që u derdh nga gota?

Unë kam një mendim pak më ndryshe.
Së pari, nëse këtë protestë e konsideroni si revoltë ndaj qeverisjes “Rama”,
mendoj se i japim të drejtë kryeministrit, kur thotë se kjo protestë është frymëzuar
dhe orkestruar nga Tirana. Ndaj, nuk mendoj se është protestë, që derdhi gotën
e ujit. Sepse, të rrëzosh një qeveri me dhunë nuk është normale për demokracinë,
por as për momentin historik, ku ndodhemi. Ndaj preferoj ta quaj një të drejtë
të qytetarëve të Kukësit, por edhe të rretheve të tjera, për interesat e tyre.
Pra, unë e filloj diskutimin pikërisht nga kjo qasje. Personalisht mendoj, se
kjo protestë mund të shmangej, nëse qeveria do ishte treguar më transparente
dhe kryeministri jo arrogant. Çfarë vihet re? Një tarifë kaluese në mendimin
tim është tërësisht normale për çdo vend. Por çfarë bëri qeveria për të
zhvilluar një fushatë sa transparente aq dhe sensibilizuese? Asgjë. Priti që të
ndodhte ajo revoltë e dhunshme që qeveria të fillojë të bëjë ndonjë sqarim që
edhe kështu nuk është aspak e plotë.

 -Pse ndodhi kështu?

– Sepse qeverisja “Rama” është arrogante në të gjithë
sjelljen e saj. Duke besuar se njerëzit përballë Berishës dhe Bashës do
vazhdojnë të preferojnë Ramën, kjo e bën kryeministrin arrogant. Me këtë unë
shpjegoj dhe qëndrimin indiferent të kësaj qeverie në procedimin e shpërdorimeve
publike të bëra nga qeverisja “Berisha”. Pra çfarë ndodh realisht? Berisha e
ngarkoi popullin me taksën e jashtë logjikshme për Rrugën e Kombit dhe nuk mbikëqyri
aspak punimet në këtë rrugë që sot, nuk ka parametrat e duhur. Por as ai e as
ministri përgjegjës nuk është dënuar për këtë. Kjo rrugë, por edhe rrugët e
tjera, janë jashtë parametrave të duhur. Sërish askush nuk mban përgjegjësi,
por barra i ngarkohet popullit. Sot Rama vendos një tarifë që duket e lartë. Ndërkohë,
që shoferët paguajnë në çmimin e karburantit dhe taksën e rrugëve. Çfarë po i
kthehet shqiptarit për të gjitha sakrificat që ka bërë në këto 28 vjet? Asgjë!
Politika tallet me të. Njëra palë e inkriminuar në vjedhje publike, kërkon
mosbindje civile për të ardhur sërish në pushtet për ta çimentuar vjedhjen e
saj. Pala tjetër bën arrogantin, duke e trembur popullin me gogolin Berisha.
Ndaj gjykoj se kjo situatë është një rreth vicioz, nga i cili shqiptari mund të
dalë vetëm kur ta kuptojë që të qenit bashkë duhet bërë, jo sepse kështu e kërkojnë
partitë, por sepse kështu e kërkojnë interesat tona të përbashkëta. Dhe
protesta e tillë duhet të ishte.

– Solidarizimi me
banorët e Kukësit, a duhet kuptuar që është thjesht, refuzim për të paguar
tarifa rrugore?

– Sigurisht. Por besoj se është edhe një solidarizim ndaj
arrogancës qeveritare. Ama e ritheksoj se përdorimi politik i këtij
solidariteti është me pasoja shumë të rënda për vendin.

– A ka shpërdorim të
forcës së pushtetit, kur protestuesit u arrestuan në mesnatë, dhe jo protestë?

– Unë nuk di, nëse janë arrestuar protestuesit apo vandalët.
Nëse djeg, prish e shkatërron pronën, duhet të përgjigjesh. Mbase jo me burg,
por me xhep, po! Kjo për mua është taksative. Kam qenë gjithnjë kundër dhunës së
parapërgatitur. Ne duhet të kuptojmë se, nëse djegim e shkatërrojmë i bëjmë dëm
vetes, pasi sërish ne i paguajmë dëmet. Për aq kohë sa nuk jemi ende të gatshëm
të përballemi për të zhdukur të gjithë klasën politike të vendit, atëherë dhuna
e pjesshme i shkon për shkak njërit krah të politikës, dhe dëmton sërish xhepat
tanë. Ndaj le të paguajnë ata që dogjën dhe shkatërruan.

– A është shprehje e
arrogancës pushtetore, kur Kryeministri nuk denjon të shkojë dhe të bisedojë me
banorët e Kukësit, por këmbëngul se tarifa do të paguhet me çdo mjet dhe kosto?

– Unë e dëgjova kryeministrin që ishte i gatshëm për të
biseduar në Kukës me këshilltarët, apo kryebashkiakun. Por edhe kështu
mendoj se nuk shkon. Një veprim i vonuar në
politikë është, ose shprehje e një pasigurie politike, ose shprehje e një
demagogjie të pastër. Në të dyja raste është arrogancë!

– A janë të
justifikueshme kaq shumë taksa që do paguajnë qytetarë dhe biznese, të cilat po
vihen njëherësh nga qeveria e Majtë e Rilindjes?

– Unë e kam thënë edhe herë të tjera, kur ju më keni pyetur.
Rilindja nuk është e Majtë! Ndaj është tipike e kësaj ideologjie neoliberiste
taksat dhe koncesionet dhe privatizimet. Unë nuk habitem nga kjo. Unë mërzitem
kur shikoj që kolegë e fryjnë me të gjitha mjetet një politikë të tillë, që e
ka çuar pabarazinë mes shqiptarëve në ekstrem.

– A ka raport të zhdrejtë
(në dëm të familjeve shqiptare) midis shumës së taksave që paguajmë, të rritjes
së çmimeve të dritave dhe ujit, të cilat akoma janë publike, me rrogat dhe të
ardhurat që ka çdo familje në Shqipëri?

– Personalisht jam me një rregullim tërësor të shpërndarjes së
të mirave materiale në vend. Jam për pronën publike dhe investimet në të, jam për
punësim dhe rritje pagash. Por jam gjithashtu e bindur se ka shumë intelektualë,
akademikë, gazetarë që jo vetëm janë kundër kësaj politike, por e nxisin edhe më
shumë qeverinë të mos mbrojë qytetarin e vet!

– Investime publike
nuk kemi, rritje të ndihmës sociale nuk kemi, rritje rroge dhe pensioni nuk
kemi, rritje të buxhetit për Arsim, shëndetësi publike nuk kemi. Atëherë, ju si
mendoni, ku shkojnë taksat që paguajmë?

A, po. Kjo është përgjigje e thjeshtë: Në xhepat e bizneseve
të mëdha klanore dhe politikanëve që i ushqejnë këto biznese.

Kush,
cilët faktorë politikë e ushqejnë arrogancën pushtetore të qeveritarëve tanë?

 – E thashë edhe më sipër.
Si nuk e vini re që Rilindja, edhe pse ka folur shumë për Reformën në Drejtësi,
edhe pse flitet shumë për “peshq” të mëdhenj, sërish nuk ka çuar askënd para
dyerve të gjykatave? Arsyeja është po kaq e thjeshtë: Asnjëri krah nuk është për
popullin! Si veprohet në të ardhmen? Më së pari, duhet të kuptojmë se politika
të manipulon me të gjitha mjetet, ndaj duhet të qartësohemi çfarë kërkojmë dhe
si e kërkojmë. Por nuk është fort e lehtë për ta kuptuar këtë. Fatkeqësisht!