Arroganca dhe cinizmi i kryeministrit Rama ushqehet tek bashkëpunimi me krimin

759
Jakup B. GJOÇA

Edhe pse de facto Partitë politike kanë filluar fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017, vetëm kryeministri Rama nuk ka ndryshuar as sjelljen me qytetarët shqiptarë në komunikimin që bën në rrjetet sociale, por as gjuhën e cinizmit dhe arrogancën që përdor çdo ditë kryeministri Rama ndaj çdo kritike të qytetarëve. Natyrisht, kryeministri Edi Rama sillet në komunikimin me qytetarët me arrogancë dhe cinizëm, ashtu siç ka qenë deri tani. Por, duke u nisur nga aktualiteti, meqë jemi në fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare, ndokush mund të mendonte dhe të befasohej pse kryeministri Rama, të paktën, nuk bën ndonjë përpjekje, që të sillet dhe të komunikojë me qytetarët një çikë me “diplomaci politike”, që sjelljet dhe fjalori i tij publik- të paktën për hir të fushatës elektorale – të “veshin” hipokrizinë politike, sikurse bëjnë, pa përjashtim, të gjithë politikanët që në (çdo) fushatë elektorale mundohen që të “retushojnë” edhe vetveten e tyre përpara elektoratit, të fshehin çdo dobësi, çdo ves, çdo të metë, që mund të grisë imazhin e mirë politik dhe moral, tjetërsohen (natyrisht) si aktorë të mrekullueshëm të hipokrizisë politike!

Vetëm diktatorët nuk sillen me hipokrizi edhe në fushatat elektorale
Kryeministri Edi Rama, përkundrazi. Sillet publikisht, komunikon me qytetarët në në rrjete sociale, përgjigjet në intervista live televizive ashtu siç është! Arrogant dhe Cinik! Natyrisht, me qetësinë që i jep pushteti absolute, që kujton se zotëron! Kulmi i arrogancës dhe i cinizmit (pushtetar) të kryeministrit Edi Rama është përgjigja që i dha një qytetari, i cili e pyeti kryeministrin Rama, përse emëroi ministër një hetues, i cili në Diktaturën Komuniste ka torturuar personalisht të burgosurit për agjitacion e propagandë. Kryeministri Rama, me përgjigjen publike që dha, arriti deri aty, jo vetëm që demonstroi që nuk është penduar, por me një fjalor rrugaçërie akuzoi viktimat e torturave të hetuesit të diktaturës komuniste sot ministër i tij, pa dhënë, natyrisht, asnjë provë fajësie të tyre. Kryeministri Rama, me të tillë qëndrim politik, u dëshmoi (edhe një herë shqiptarëve) që gjithçka që bën politikisht, çdo vendim politik dhe qeveritar që ndërmerr, e ka të mirë studiuar, të paracaktuar, pavarësisht se pasojat janë në dëm të demokracisë, pavarësisht se shkelen drejtpërdrejt TË DREJTAT Njerëzore dhe Humane të shqiptarëve, dëmtohet dhe pengohet progresi integrues i Shqipërisë. Madje, kryeministri Rama, edhe kur “u befasua” live në një intervistë televizive ditët e fundit, nga pyetjet jashtë protokollit, iu drejtua gazetarit, thua se ai, kryeministri Rama ishte xhelati dhe gazetari ishte viktima: “Ore, ti, mos ke pirë ndonjë gjë, që më flet kështu?”! Atëherë, pyetja që lind vetvetiu, nga kjo sjellje e pakorrigjueshme e arrogancës dhe e cinizmit të kryeministrit Rama, në komunikimin e tij me qytetarë dhe me mediat, qoftë edhe në fushatat elektorale?

-Mos vallë kryeministri Rama nuk e ka ambicien, merakun, shqetësimin se sjellja e tij arrogante dhe cinike do t’i kushtojë politikisht në zgjedhjet parlamentare?
– Mos vallë kryeministri Rama nuk “shqetësohet” aspak, se mund të humbasë votat e qytetarëve me sjelljen e tij arrogante dhe cinike me ta?
– Apo, kryeministri Rama është kaq i bindur, që sido që të sillet ndaj shqiptarëve, fitoren elektorale e ka të garantuar dhe të sigurt? 

Nëse Kryeministri Rama është kaq i sigurt, që fitoren elektorale të 18 qershorit e ka të garantuar, edhe pse u sillet shqiptarëve me arrogancë dhe cinizëm, atëherë pyesim: Cilët faktorë ia garantojnë fitoren elektorale arrogancës dhe cinizmit të kryeministrit Rama?
Çdo standard dhe çdo përvojë elektorale në të gjitha vendet, ku zgjedhjet parlamentare janë zhvilluar qoftë edhe gjysmë të lira, historikisht dëftojnë që cilido udhëheqës, që sillet ndaj votuesve me arrogancën dhe cinizmin pushtetar, i ka humbur të gjitha zgjedhjet elektorale! Madje, kryeministri Edi Rama, në dukje publikisht, demonstron që nuk bëhet hiç merak, as për balancat elektorale, derisa me aleatët e vet elektoralë, njëherë përdor karotën dhe shumë herë përdor kamxhikun. Ndërkohë, që aleatët, që i “mbushën” thesin e Aleancës ASHE me 140.000 vota në 2013, kryeministri Edi Rama i shpërfilli dhe injoroi, duke mos i vlerësuar me pjesëmarrje në qeverisje, sipas kontributit që dhanë me vota sipas marrëveshjes që nënshkroi me aletatët, me aleatin kryesor LSI, kryeministri Rama herë përdor darkat për lutje dhe herë përdor presionin me dosjet e akuzave ndaj LSI që publikon, për ta detyruar të bëhet patericë e pushtetit të tij absolut. Asnjë herë në asnjë zgjedhje parlamentare (por edhe për bashkitë) deri tani Partia Socialiste nuk ka fituar shumicën për të vetëqeverisur. Madje, në 2015, PS-ja, edhe pse në 2 vjet qeverisje, humbi 312.321 vota më pak se në zgjedhjet e 2013! Këtë realitet e di edhe kryeministri Rama. Që Partia Socialiste, me proces zgjedhor të ndershëm dhe me votim të lirë, KURRË nuk mund të fitojë zgjedhjet e vetme!!! Por as ky realitet nuk e shqetëson hiç kryeministrin Rama, që edhe tani, në fushatën elektorale, të sillet publikisht me arrogancë dhe cinizëm ndaj qytetarëve dhe të përdorë Kamxhikun dhe Karotën me aleatët e vet elektoralë. Vetëm diktatorët, që zgjedhjet parlamentare i zhvillojnë me tabela gjoja të lira, të vullnetshme nga populli, e kanë të garantuar dhe të sigurt paraprakisht rezultatin zgjedhor, ngaqë vetë procesi zgjedhor është një farsë elektorale, e ushtruar nën terrorin dhe dhunën e pushtetit!

Kryeministri Rama fitoren elektorale e mbështet tek bashkëpunimi me krimin e organizuar
Kryeministri Edi Rama deri tani nuk ka kurajën dhe ndërgjegjen që të pranojë para shqiptarëve fajin politik, që bëri deputetë dhe kryebashkiakë personat me rekorde kriminale. Ligji i dekriminalizimit detyroi disa deputetë dhe kryebashkiakë socialistë të dorëzonin mandatet e tyre. Ishte Edi Rama, si kryetar i PS-së, që përzgjodhi në listat e PS për deputetë dhe kryebashkiakë personat me rekorde kriminale. Kryeministri Edi Rama nuk u kërkoi falje shqiptarëve, qoftë edhe me pendesën, që t’u thotë shqiptarëve, që ai, si kryetari i PS nuk kishte asnjë dijeni, asnjë informacion që të përzgjedhurit e tij për deputetë dhe kryebashkiakë kanë pasur rekorde kriminale. Kjo mungesë e pranimit të fajit politik, mungesa e kërkesës së pendesës nga kryeministri Rama për kriminializimin e Politikës (Parlementit dhe bashkive) dëshmon që kryeministri Rama qëllimisht bëri deputetë dhe kryebashkiakë persona me rekorde kriminale. Edi Rama, si kryetar i PS e mbështeti fitoren elektorale në 2013 dhe 2015 te bashkëpunimi me krimin, sepse personat me rekorde kriminale i garantuan PS dhe kryetarit të PS financime të jashtëligjshme, por edhe vota, nëpërmjet ushtrimit të forcës ndaj elektoratit. Fenomeni i kultivimit dhe i trafikimit të Canabis në Shqipëri në fenomene kaq të mëdha, saqë Shqipëria ku qeveris kryeministri Edi Rama të cilësohet “Kolumbia e Canabis në Evropë” rrezikon që të blejë edhe rezultatin zgjedhor të 18 qershorit 2017. Këtë fakt e pranoi publikisht edhe ambasadori i ri i OSBE në Tiranë, i cili deklaroi se “…qarkullojnë në Shqipëri mbi 2 miliardë euro nga kultivimi dhe trafikimi i Canabis, të cilat mund të blejnë votat dhe deputetët në zgjedhjet parlamentare”. Përgjegjësi kryesor i Canabinizimit të Shqipërisë është qeveria e Kryeministrit Edi Rama. Atëherë, edhe përfituesi elektoral është Kryeministri Edi Rama, nëse miliardat euro të trafikimit të Canabis në Shqipëri do të blejnë votat dhe deputetët në zgjedhjet parlamentare. Kjo garanci dhe siguri e fitores elektorale ushqen edhe arrogancën dhe cinizmin publik ndaj qytetarëve të kryeministrit Edi Rama. Kryeministri Rama sillet ndaj shqiptarëve me Arrogancë dhe Cinizëm, sepse kujton që Pushtetin do ta blejë me paratë e Krimit. Arroganca dhe Cinizmi i kryeministrit Rama ushqehet te bashkëpunimi me krimin. Për ata shqiptarë që janë INDIFERENTË për Dhunën Pushtetare të kryeministrit Rama dhe nuk merakosen hiç që kjo dhunë pushtetare e kryeministrit Rama djeg shtëpinë e fqinjit, por duhet ta kuptojnë , duhet të ndërgjegjësohen që është tepër vonë të reagojnë vetëm atëherë, kur ky zjarr i arrogancës dhe i dhunës së pushtetit i kryeministrit Rama mbërrin te shtëpia e vet!
Sigal