Arian JAUPLLARI/Qeveria që po ikën, po çon në kaos total shërbimin farmaceutik

621
Sigal

Zullumet e kësaj qeverie ndaj sistemit farmaceutik nuk kanë të numëruara. Të gjitha shënojnë kthesa mbrapa. Fillimi ishte heqja e konceptit të negocimit të çmimit të barnave, gjë që çoi vetëm në rritjen e çmimit të tyre. Hapi i dytë i gabuar ishte licensimi i farmacive nga DSHP-të duke hapur farmaci pa kriter nga pashallarët e këtyre drejtorive. Pas kësaj, erdhi hapi i tretë i pseudoreformës, heqja e kritereve teknike në hapjen e farmacive, distancës dhe numrit të popullsisë, të sanksionuara në nenin 30 të ligjit të barnave. Kjo solli grumbullimin e farmacive në Tiranë, duke lënë pa shërbim disa qytete të kategorisë së dytë. Në qytetet e mëdha çoi në grumbullimin e tyre rreth spitaleve dhe Qendrave Shëndetësore, duke lënë zona të tëra periferike pa shërbim. Shtimin e numrit të farmacive dhe kioskëzimin e tyre. Hapjen e oreksit për të blerë diploma nga universiteti me blozë, që mban emrin “Kristal”. Falimentimin e farmacistëve të vjetër e profesionistë, përballë matrapazëve jo profesionistë që u shërbejnë pacientëve nga mëngjesi në darkë, në farmacitë me licenca të blera. Vendosja e TVSH-së 10% për barnat dhe shërbimet, në të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor, të cilën unë që në momentin e vendosjes e kam quajtur Taksë Vetëm për Sëmundjen ose TVS. Tashmë, kjo u provua që është e tillë, sepse pacienti përballet me të, në vend që të jetë e kundërta. Në momentin e vështirë të sëmundjes, pacienti ka nevojë për ndihmë për ta përballuar me sa më pak dhimbje të keqen. Premtimi i qeverisë Rama për ta hequr atë, është shumë kuptimplote. Të gjitha këto prapësira, por jo vetëm, qeveria në zhdukje i realizoi me sukses. Ajo që i mbeti merak dhe do ta realizojë në grahmat e fundit të saj, është të lërë të sëmurët pa barna nëpërmjet të ashtuquajturës pullë dyfishe për çdo kuti bari.

Historia e pullës dyfishe ka filluar që në vitin 2009, kur u sanksionua në ligjin e barnave dhe vendosja e saj duhej të përfundonte brenda dy vjetësh dhe procesi do të realizohej nga QKKB. Pasi kaloi afati, dhe ligji u shkel, bënë një shpikje shqiptare duke e quajtur pullë fiskale për të justifikuar dhe TVSH-në, gjetën dhe koncesionarin, duke e paracaktuar me ligj ( gjë e padëgjuar ndonjëherë), lanë dy vjet afat, nuk u kujtuan më. U bë dhe një takim në MSH-së, më 22 korrik 2013, me praninë e QKKB, Urdhrit të Farmacistëve dhe Koncesionarit, në të cilën ne përfaqësuesit shqiptarë e hodhëm poshtë me argumente, pse nuk është e nevojshme kjo pullë dhe të vazhdohet me pullën e sigurisë së emetuar nga QKKB, ky mendim mori dhe miratimin e Ministrit të Shëndetësisë. Sot mësojmë, se është dërguar një shkresë zyrtare nga Ministria e Financave, e cila detyron QKKB të ndërpresë dhënien e pullave importuese të barnave. Ky lajm i keq, le të sëmurët pa barna. Pse po ndodh ky fenomen dhe kujt i intereson?

1. Kontrata e qeverise shqiptare me kompaninë koncesionare, të përcaktuar në ligjin e barnave për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale të barnave. Rast unikal në botë.

2. Mospranimi i kompanive prodhuese të huaja, lidhur me manipulimin shtesë për vendosjen e pullës shqiptare të barnave nga ana e tyre.

3. Mospranimi nga importuesit e barnave në vendin tonë të burokracive të panevojshme për importimin e barnave.

4. Mosmiratimi i një vendimi qeverie për përjashtimet e mundshme në këtë proces apriori.

5. Mostërheqja e mendimit të aktorëve të sistemit farmaceutik në ndërmarrjen e kësaj reforme pullëzimi, si dhe mospërfillja e kundërshtimeve të bëra nga ana jonë. Pasojat e këtij procesi, bien në radhë të parë mbi konsumatorët e barnave, por edhe mbi sistemin farmaceutik në tërësi, të cilat po i rendis si me poshtë:

a) Mbetjen e tregut farmaceutik pa barna dhe shqiptarëve pa trajtimin me to.

b) Rritje të çmimit të barnave, për shkak të kostos së lartë të kësaj pulle, sidomos për alternativat e para të barnave të listës së rimbursimit.

c) Ndryshim të çmimeve në listën e barnave të rimbursueshme dhe miratimin e një liste të re barnash me ndryshimet përkatëse.

d) Ndryshimin e çmimit të barnave të tenderuara nga MSH dhe ribërjen e kontratave nga e para.

e) Kaos total në sistemin farmaceutik dhe përballje të farmacistëve me pacientët për çmimet e ndryshme të barnave midis pullave ekzistuese nga të rejat, për të njëjtin bar.

f) Asgjë të re në lidhje me sigurinë e barnave, sepse pulla ekzistuese i plotëson më së miri ato.

g) Asgjë të re për ISKH-në, përveç rritjes së shpenzimeve të buxhetit, sepse në shkelje flagrante të ligjit të barnave, i cili e përcakton si pullë dyfishe, është katandisur rrugës së gjatë dy vjeçare në pullë njëfishe. Vetëm ky argument do të mjaftonte për ta bërë nul këtë proces të pullës së turpit të përfitimit koncesionar.