Arian Jaupllari/ Presioni i farmacistëve, i drejtë, por s’duhej të ndodhte

565
Sigal

*Farmacist

 Mësova nga kolegët e mi se një grup, i madh, farmacistësh kanë shkuar pranë zyrave të Urdhrit dhe po bëjnë presion për një vendim arbitrar të qeverisë për ndryshimin e marzheve të tregtimit të barnave. Të them të drejtën, edhe u gëzova, por më shumë u hidhërova. U gëzova për faktin se farmacistët kanë zgjedhur rrugën e drejtë të komunikimit duke iu drejtuar së pari organizimit të tyre profesional, duke besuar mbrojtjen te ai, si shtëpia jonë e përbashkët. Ndërsa hidhërimi erdhi për disa arsye.

Së pari, nga lajmi mediatik i një dite më parë lidhur me iniciativën e fshehtë të MSH për ndryshimin e marzheve të tregtimit, ndërkohë që, kur kontaktova me disa nga miqtë e mi në MSH dhe FSDKSH, ata nuk kishin asnjë dijeni për një vendim të tillë.

Së dyti, për përsëritjen në të njëjtën mënyrë të veprimeve të njëjta si të qeverisë që lamë pas, e cila për 8 vite rrënoi themelet e sistemit farmaceutik dhe e çoi atë në rënie të lirë dhe pa asnjë mbrojtje. Së treti, për pritshmërinë e farmacisteve ndaj bashkëpunimit dhe përfaqësimit në vendimmarrje me MSH, me qëllim final, shpëtimin e sistemit farmaceutik. Arsyet e kësaj keqardhjeje po më bënin të dyshoja në vetvete, por për fat të mirë, në momentin që po shkruaja, u kthjellova shumë shpejt nga fjala e Kryeministrit të Shqipërisë në televizor, në takimin me të gjithë aktorët e sistemit arsimor për reformimin e tij. Ishte vërtet një takim optimist, qartësisht i plotë, bashkëpunues dhe vlerësues për rolin e aktorëve në sistem, pa të cilët nuk mund të pritet ky reformim. Të them të drejtën u gëzova dhe mendimi m’u qartësua. Fusha e opinionit për sistemin farmaceutik m’u fokusua vetëm te MSH, duke sjellë në mendje hapat që ka ndërmarrë ky institucion për reformën në sistemin farmaceutik. Mendja me shkoi te takimi i datës 23 janar në Ministrinë e Shëndetësisë, me aktorët e sistemit farmaceutik për hartimin e ligjit te barnave, i pari në llojin e vet, në të cilin mora pjesë dhe u duk se ishte një fillim i mirë. Por çdo gjë rezultoi ndryshe pas 10 ditësh, kur mësojmë për miratimin e një vendimi arbitrar, të marrë në fshehtësi të plotë dhe pa asnjë studim. Nuk dihet shkruesi i keq i asaj letre me gabime konceptuale në një faqe A4, që ja ka dhënë ministrit, i cili ka qenë duke ikur në mbledhjen e qeverisë për ta paraqitur për miratim në fund të saj. Për sa i përket mbrojtjes në media të Ministrisë së Shëndetësisë, pas reagimit të farmacisteve, nga prononcuesit, mendoj se, lë shumë për të dëshiruar. Të gjitha prononcimet janë bërë për një vendim që nuk kanë pasur dijeni, nuk kanë sjellë asnjë argument për këtë vendimmarrje të gabuar, nuk thanë asnjë fjalë se cili nga aktorët është pyetur, nuk shpjeguan si do të zbatohet dhe kush merr përsipër efektin prapaveprues të tij. Çudia qëndron te analiza që i bëjnë farmacisë dhe farmacistit duke hedhur baltë, me dorën e majtë mbi figurën e tij, për të cenuar marrëdhëniet e mira të tyre me pacientët. U tha, por shumë të tjera janë komentuar në shtyp për figurën e farmacistit, e vetmja gjë që nuk është thënë, fjala, nga kush mbrohet ky profesionist i njerkës, të cilit i paska vdekur nëna. Sigurisht që farmacisti nuk është jetim, ai e ka organizmin e tij të vetë rregullimit profesional, i cili funksionon ligjërisht prej tetë vitesh dhe është aktori më i rëndësishëm, shumë i vlerësuar dhe i mbështetur nga opozita e djeshme, sot në maxhorancë. Urdhri i Farmacistëve, si ent publik, e ka të përcaktuar qartë në misionin e tij, mbrojtjen e përdoruesve të barnave nga keq ushtrimi i profesionit, por dhe mbrojtjen profesionistit nga veprimet arbitrare të administratës publike. Bazuar mbi këtë detyrim ligjor, Urdhri që në krijimin e tij ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve duke kundërshtuar me argumente bindëse çdo nismë ligjore në dëm të cilësisë së shërbimit farmaceutik ndaj qytetarëve. Mund të përmend disa prej tyre. Së pari, ndryshimet në ligjin e barnave lidhur me heqjen e kriterit të negocimit të çmimit të tyre, sepse do të çonte, siç realisht ndodhi, në rritjen e çmimit të barnave.

Së dyti, heqjen e kritereve për hapjen e farmacive, e cila solli një amulli të paparë në shërbimin farmaceutik, pasi farmacitë u grumbulluan në Tiranë duke lënë pa shërbim farmaceutik rrethe të vogla, por dhe brenda Tiranës dhe qyteteve të mëdha, zona të tëra pa shërbim, për shkak të grumbullimit të tyre rreth qendrave shëndetësore dhe spitaleve.

Së treti, ka denoncuar me fakte, pse spitalet nuk kanë barna dhe fenomenet e këtij korrupsioni kronik. Së katërti, ka dhënë alarmin për sigurinë, cilësinë dhe efektshmërinë e barnave që vjen nga fenomeni i falsifikimit të barnave duke u  rrezikuar jeta e pacientëve. Së pesti, ka dhënë alarmin për sigurinë dhe cilësinë në shërbimin farmaceutik të ushtruar nga jo profesionistët dhe kontrabandistët e barnave. Së gjashti, ka dhënë sinjalin “SOS”, për formimin bazë të farmacistëve dhe profesionistëve të tjerë të shëndetit të diplomuar nga universitetet që e kanë kthyer dijen në mall dhe shesin diploma pa iu trembur syri. Së shtati, ka kundërshtuar vendosjen e TVSH së barnave dhe shërbimeve shëndetësore duke e konsideruar atë, siç u bë faktikisht, “Taksë vetëm për sëmundjen”. Së teti, ka kundërshtuar të gjitha ato vendimmarrje për sistemin shëndetësor, të cilat rëndojnë shëndetin dhe xhepat e qytetarëve. Së nënti, ka qenë një aktor shumë aktiv në të gjitha përfaqësimet, tavolinat e rrumbullakëta, seminaret, konferencat e zhvilluara nga vendas dhe të huaj, në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Së fundi, për të mbrojtur jo vetëm me fjalë, por edhe realisht pacientin dhe profesionistin, ka kërkuar zbatimin e tre detyrime ligjore, përfaqësimin, bashkëpunimin dhe vendim marrjen. Shpresoj se Ministria e Shëndetësisë do të respektojë detyrimet themelore ligjore, por në rastin konkret edhe ato të neneve 3 dhe 7 të ligjit 9150, datë 30.10.2003, “Për Urdhrin e Farmacisteve në Republikën e Shqipërisë”, ku veç të tjerave shprehimisht thuhet: “Urdhri i Farmacistëve merr pjesë në hartimin e projektligjeve dhe dokumenteve të rëndësishme të farmaceutikës shqiptare”.

Kjo është arsyeja pse farmacistët protestuan pranë zyrave të Urdhrit.