Arian Galdini/ Dekriminalizimi dhe Dekremlinizimi!

580
Po bëhet pothuajse aksiomatike se në peshoren e institucioneve, kur vendosen në njerin krah politika e në tjetrin drejtësia, shigjeta do të tregojë vetvetiu si peshën më të rëndë e të padiskutueshme politikën. Gati-gati në asnjë përballje mes politikës dhe drejtësisë nuk kemi parë ndonjë fitore të Drejtësisë. Kështu ndodhi edhe me Gjyqin Strazimiri-Ndoka-Ndreu. Asnjë çudi, asnjë përmbysje, asnjë risi. Fuqia e politikës, e sidomos e asaj në pushtet e gllabëron me gjithë lecka drejtësinë. Arsyet e politikës nuk i vënë fare në kandar arsyet e drejtësisë. 
Kur politika bëhet një me drejtësinë 
Politika vendos për drejtësinë dhe drejtësia kumton bindshmërisht për politikën. Simbiozë e pandryshueshme, dekurajuese dhe mbi të gjitha e frikshme. Kjo bëhet edhe më ulëritëse si aksiomë, kur mendon se pikërisht pushteti që synon të rilindë edhe drejtësinë, sapo e ka kapërdirë një gjyq si aperitiv për Reformën e madhe që po vjen. Ditën që bëhej solemnisht mbledhja e madhe për Reformën në Drejtësi, oreksi i pushtetit hëngri për antipastë një Televizion kritik me qeverisjen, sikurse është Agon Channel, mu në mes të fushatës elektorale. Vetëm dy ditë më pas, drejtësia e Shtetit të së Drejtës pushon çështjen, duke na lënë të kuptojmë të gjithëve se këto punë zgjidhen mes burrash në Kuvend ose me vetëgjyqësi jashtë Kuvendit. Normal. Nuk mundet drejtësia të bëjë Arbitrin mes Eprorëve të saj të politikës. Besoj se tashmë të gjithë e kemi kuptuar se dekriminalizimi dhe dekremlinizimi i Kuvendit, nuk mund të ndodhë aty ku drejtesia nuk të shpall fajtor kur rreh, vjedh, mashtron dhe vret. Gjykata e Lartë dhe Prokuroria në Shqipëri, të shpallin fajtor vetëm kur nuk paguan ose kur nuk je vrasës, vjedhës apo rrahës me pagesë a urdhër politik. Ndoshta e kemi më të lehtë ta bëjmë dekriminalizimin dhe dekremlinizimin e Kuvendit nga e kundërta. Të nxjerrim nga Kuvendi ata që nuk vjedhin, nuk rrahin, nuk vrasin, nuk porosisin vrasje, nuk mashtrojnë e nuk trafikojnë. Këta janë pakicë absolute. Janë pak shumë pak. Me shumë gjasa, të tjerët janë shumica absolute dhe natyraliteti në Kuvend. Nuk bëhet dot dekriminalizimi dhe dekremlinizimi i Kuvendit duke kërkuar nga shumica natyrale të godasë e zhbëjë vetveten. Është e kote.
Autarkia Ekonomike që kontrollon gjithçka
Edhe Ndërkombëtarët, SHBA dhe BE sidomos, bëjnë mirë të mos na lodhin me deklarata të tipit e ka kush e ka, por t’ia nisin nga pohimi i pakicës që vlen mes nesh në këtë shoqërinë tonë, nëse nuk munden të prishin balancat diplomatike duke publikuar listat e gjata të atyre të shumtëve që nuk duhen zgjedhur. Ambasadori Amerikan Donald Lu si edhe Ambasadorja e BE Vlahutin, prej dhjetorit 2014, ia kanë nisur një pune të vrullshme për të na bërë me dije se ne kemi njerëz të padëshiruar në Kuvend e institucione, madje edhe në listat e kandidatëve për Kryetar a Këshilltarë Bashkie. Trajektorja e seriozitetit të tyre shkon nga paralajmërimet për publikime listash, deri tek thirrjet për pastrime nga listat. Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Vlahutin po shkojnë foltore më foltore për të kërkuar që shoqëria shqiptare të mos i votojë më kandidatët e inkriminuar. Mrekullia vetë. Por, ah sikur shoqëria shqiptare të kishte gjuhë të shprehej dhe gjymtyrë për të lëvizur. A nuk është e dukshme për të gjithë se shoqëria shqiptare është e mpirë, e pafuqishme, e çshpresëzuar dhe e dorëzuar? A nuk është e dukshme për të gjithë se shtigjet e demokracisë janë zënë të gjitha e ngado që lëvizet në gjeografinë e sistemit tonë politik, institucional, shoqëror dhe financiar, të dalin përpara “Policët e Partive” që me bilibila të tregojnë se nga duhet të shkosh, si duhet të qarkullosh, përndryshe gjobitesh dhe e pëson rëndë? Elitat akademike janë shtetëzuar ose skajëzuar. E nuk kanë ç’bëjnë, sepse në Shqipëri është instaluar një Autarki Ekonomike e pastër. Kjo Autarki Ekonomike kontrollon çdo burim financiar, të mirash dhe sipërmarrjesh në vend, e politika ka futur duart e saj dhe kontrollon drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve dhe kujtdo. E theksoj, politika, jo institucionet. Politika të jep bukë ose ta heq bukën, të jep punë ose ta heq punën, në shtet a në privat. Politika ta rrënon apo ndërton karrierën, jetën, mundësinë. Pikërisht këtu fillon edhe rënia e kurajos intelektuale. Përballja me politikën, e bën qytetarin a akademikun të shndërrohet në një dëm të pallogaritshëm personal, familjar dhe bezdi publike. Papunësia, pamundësia, mbyllja e çdo dere, shkretimi i çdo shansi për karrierë, projekte, zhvillim intelektual dhe llumi e sharjet e organizuara administrativisht nga politika janë çmimi që duhet të paguajë cilido qytetar a akademik që vendos të përballet me politikën për hir të lirisë, vlerave dhe të mires publike. Shoqëria civile është bërë xhep i vogël i politikës. Institucionet janë shpërblim si plaçkë lufte për hordhitë që punojnë për Partitë, që këto të fitojnë zgjedhjet. Drejtësia është kapluar nga proçesi i blatterizimit (kam parasysh këtu Joseph Blatterin dhe korrupsionin në FIFA e Arbitrimet e ndeshjeve të trukuara) duke e akaparuar Arbitrimin për llogari të të Fuqishmëve të Politikës, Parasë dhe Krimit. Ndërsa Partitë Politike janë Kryetarizuar e nuk kanë asnjë kusht a mundësi për të ushtruar demokracinë e brendshme. Mediat, sigurisht që i shërbejnë publikut sipas nevojave të Politikës. Atëherë, në ç’mënyrë, në ç’rrugë, me ç’instrumenta qytetarët do të kenë fuqi për të votuar a mosvotuar kandidatët e inkriminuar? Përfaqësimi politik është shndërruar në një “hapwsirë luksi” ku mund të hyjnë e harlisen vetëm milionerët. Mirëpo në një vend si Shqipëria, ku informaliteti sipas një raporti të CIA-s ka qenë 50% e sipas BERZH është 37%, qëllon që, le të themi po kaq përqind e milionerëve të jenë pasunarë të informalitetit, korrupsionit, çifligjeve politike ose krimit të rëndë a të organizuar. 50% a 37% e këtyre soj pasunarëve, nëse po në këtë përqindje sipas të gjitha gjasave përfaqësohen në Kuvend e institucione, nuk ka asnjë mëdyshje se janë fuqi e pakonkurueshme, e pandalshme dhe e pamatshme. Mbi ç’bazë, me ç’fuqi, do të munden qytetarët që të përballen me këtë 50% a 37% të këtij soji të pasunarëve të përfaqësuar në Kuvend e Politikë? Imagjinoni këtu edhe faktin, se 50% a 37% informalitet nënkupton ngjashmërisht po kaq rreze shtrirjeje në punësim, nevoja, shërbime dhe interesa qytetarësh që votojnë. Të njëjtën fotografi mund të bëjmë edhe për financimin e fushatave elektorale dhe të të gjitha Partive e Politikanëve, para, gjatë e pas fushatave. E vetmja e vërtetë që na çliron të gjithëve është rikthimi i Perëndimit si aleat me qytetarët. 
Pas 25 vitesh shqiptarët përsëri të vetmuar
Kur në Shqipëri, qytetarët ishin pa Perëndimin si aleat, pllakosi Diktatura Komuniste për shumë dekada. Në vitin 1990, Perëndimi u bë aleat me qytetarët dhe Diktatura ra. Perëndimi duhet të kujtojë se u desh një Luftë Botërore, një Ideologji e Fortë politike, që Kremlini të zbarkonte në Ballkan. Përsa kohë qytetarët nuk kishin aleat në krahun e tyre Perëndimin, gjatë Diktaturës Komuniste, elitat parësore, dytësore dhe tretësore të rregjimit, ndërlidhnin aleanca me Kremlinin. E kanë bërë këtë për shumë e shumë vite. Lëvizja studentore e dhjetorit ’90, nuk solli vetëm rënien e diktaturës, por edhe rikthimin e aspiratës perëndimore të shqiptarëve në shumicë natyrale. Ama, sot pas 25 vitesh përpjekjekje për demokratizim, liri dhe perëndimorizim të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë ndihen sërish të vetmuar. Perëndimi bën vetëm deklarata të mirëpaketuara me leksione qytetare për demokracinë dhe kujdes diplomatik. Perëndimi bën thirrje për mosvotim të të inkriminuarve dhe kundër shitblerjes së votës. Në fund të ditës, qytetarët shqiptarë e dinë se pasi ka folur Ambasadori Amerikan apo Ambasadorja e BE, asgjë nuk do të ndryshojë sepse kur zgjedhjet të mbarojnë, të gjithë ndërkombëtarët do të rendin të na dëshmojnë me deklarata, intervista dhe raportime se cila nga palët tona politike ka të drejtë në gjithfarë debati a problematike që mundet a do të lindë. Popullorët e Parlamentit Europian do të mbështesin qëndrimet dhe vendimet e PD, ndërsa Socialdemokratët e PE do të mbështesin qëndrimet dhe vendimet e shumicë së majtë qeverisëse. Komisioni Europian, do të përpiqet të mos ia prishë as Popullorëve e as Socialdemokratëve. Ndonjë shtet europian do japë ndonjë dorë në këtë rrokopujë. Departamenti Amerikan i Shtetit, do të bëjë një deklaratë ku mbi të gjitha do të inkurajojë rrugëtimin europian të Shqipërisë. Me pak fjalë, askush nuk pret asnjë çudi. E të ndërmarrësh fushata sensibilizuese diplomatike për t’u dhënë mesazhe të mëdha e të rëndësishme në këto kushte qytetarëve, është njëlloj si ajo historia e viteve ‘80 në Tiranë, kur në kinema doli filmi “Semiramida e Babilonisë”. Njëri e pëlqeu aq shumë filmin sa filloi të shkonte çdo ditë për ta parë e riparë. Në fund fare, kur vjen momenti që Semiramida i zgjat gotën me verë të helmuar Kirit që ta pijë, ky tipi që e kishte parë filmin çdo ditë, ngrihet në këmbë dhe bërtet: Mos e pi Kiri, se ajo po të helmon. Perëndimi duhet ta ndajë mendjen. Kur filmi përsëritet e ripërsëritet papushim, asgjë nuk ka për të ndryshuar. Madje politika do të mbushet me kaqola dhe horra. Pastaj këta kaqola dhe horra do pushtojnë çdo Institucion dhe në fund fare, kriminalizimi dhe kremlinizimi i Shqipërisë do të jenë një ngjarje e pandalshme. Ustallarët e kremlinizimit, nuk kanë qenë kurrë aleatë me qytetarët. Ata gjithmonë kanë punuar me kaqolat dhe horrat. Rrugë tjetër nuk ka. Ose Perëndimi do të rikthehet si aleat me qytetarët, ose përndryshe Kiri gjithësesi do ta pijë helmin e Semiramidës. Dekriminalizimi dhe dekremlinizimi i Shqipërisë, janë jetike dhe pothuajse i njëjti proçes. Perëndimi duhet të flasë e veprojë me qytetarët haptazi dhe troç.
Sigal