Ardit BRAHO/ Shërbimi provës, tregues i politikave penale sipas modelit europian

1126
Shqipëria, si çdo vend tjetër post-komunist në zhvillim e në tranzicion, popullsia e të cilës pas viteve ‘90 ka rënë në kontakt me fenomene dhe marrëdhënie të reja social-ekonomike e penale, natyrshëm që ka pjesë të saj edhe krimin e çdo lloji, i cili po me të drejtën ligjore, prej 23 vitesh kryesisht po përballet me drejtësinë. Si jurist që jam, por edhe si qytetar që progresoj si ide e qëndrim, një mendësi e vullnet tjetër në politikat penale të krimeve jo me rrezikshmëri të lartë shoqërore, mendoj se duhet të aplikojmë më gjerësisht shërbimin e provës në dënimet penale me natyrë sociale, ndaj kategorisë së individëve bartës dhe ushtrues të krimeve të lehta, të cilat kanë hapësirën për t’u menaxhuar nëpërmjet këtij shërbimi prove, me liri të kontrolluar e të monitoruar sociologjisht nga institucioni i shërbimit të provës dhe komuniteti ku jeton dhe vendoset të punojë i dënuari me alternativën e shërbimit të provës. Siç dihet, shërbimi i provës në Shqipëri, veçanërisht 2 vitet e fundit, ka qenë një platformë me ide dhe praktika progresive në mbështetje integruese sociale, ndaj individëve të dënuar për vepra penale të kategorisë së “lehtë”, por me të dhëna penduese e reaguese për shkëputje nga bota e krimit, me perspektivë integrimin e natyrshëm si pjesë normale e shoqërisë. Në dy vitet e fundit, kam ndjekur me vëmendje praktikat dhe politikat penale e sociale, të futjes në veprim të shërbimit të provës. Në këtë shërbim janë dhënë provat e një suksesi, që tregon për politika penale të avancuara në integrimin e personave të dënuar, të cilët mund të jenë jashtë institucioneve të edukimit me izolim fizik e shoqëror. Ministria e Drejtësisë ka treguar konkretisht se ka bashkëpunuar dhe po bashkëpunon ngushtësisht me aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë penale, si gjykata, prokuroria, policia e shtetit, drejtoria e përgjithshme e burgjeve, duke e ndjekur këtë lloj shërbimi të integrimit në faza të ndryshme të procesit nëpër të cilin kalon një shkelës i ligjit. Gjatë një konference ndërkombëtare në lidhje me shërbimin e provës, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço prezantoi praktikën e zbatuar dhe platformën në vazhdim të dënimit me liri të kontrolluar dhe me kusht (provë). Ka një sistem drejtësie në Shqipëri, me rol monitorimi edhe brenda sistemit të drejtësisë penale, i cili është ai i asistimit të gjykatës dhe prokurorisë, në lidhje me vlerësimin dhe individualizimin e alternativës së dënimit me shërbim prove, për secilin prej shkelësve të ligjit, si dhe në përdorimin e metodave sociale, të ndërhyrjes për t’u siguruar për mbarëvajtjen e ekzekutimit të alternativës së dënimit me shërbim (liri e kufizuar ose me liri të plotë me kusht, me qëllimin e vetëm, për për t’u bindur e garantuar, që personi i rikthyer në komunitet të jetë i pastruar nga ndikimet e krimit të përsëritur. Qëllimi i shërbimit të provës, si një vlerë e shtuar në sistemin e drejtësisë penale, mbetet ai vlerësues, parandalues dhe trajtues, me synim uljen e aktivitetit kriminal në shoqëri dhe më shumë siguri për jetesën në komunitet. Mbështetja e përpjekjeve të Ministrisë së Drejtësisë, për të formatuar reformën në sistemin e drejtësisë edhe nëpërmjet ‘instalimit’ dhe praktimit të gjerë të shërbimit të provës, mbetet një element i rëndësishëm, tregues kjo i shoqërive e drejtësive të vendeve të përparuara, diktuar me detaje dhe prioritet edhe në tryezat e organizuara nga Ministria e Drejtësisë, OSBE dhe BE për zbatimin e alternativave të liberale të dënimeve penale edhe jashtë masës së dënimit me burgim, ku është vlerësuar bilanci pozitiv dhe efektsjellës në shoqëri, i shërbimit të provës në vendin tonë. Duhet thënë e pranuar, se krijimi dhe aplikimi i shërbimit të provës, ka qenë dhe mbetet domosdoshmëri. Fakti është, që ky shërbim, fal asistencës profesionale e teknike të institucioneve dhe ristrukturimit profesional të këtij institucioni nga Ministria e Drejtësisë, sipas direktivave të BE, ka shënuar një hap shumë të rëndësishëm në edukimin penal e social të të dënuarve, që përfitojnë nga kjo alternativë dënimi. A duhet bërë më tepër në këtë drejtim? Natyrisht, që Po! Unë mendoj dhe kam krijuar një bindje konstante, se iniciativat e muajve të fundit të Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me konsolidimin e shërbimit të provës, janë politika penale e sociale integruese, me baza të rëndësishme për të ardhmen e kësaj alternative, mbasi i shërbejnë publikut në mënyrë konkrete me prioritet mbështetës e rehabilitues jetën e përditshme të individëve të prekur nga krimi por edhe të familjeve të tyre në planin ekonomik dhe kontribuojnë në procesin e integrimit të tyre individual e kolektiv. Ndër qëllimet e tjera të këtij institucioni, shumë i rëndësishëm në funksion të mbrojtjes së shoqërisë dhe rritjes së sigurisë publike, është rehabilitimi i autorit të veprës penale, në mënyrë që t’i rikthehet jetës sociale dhe të mos përsërisë më veprën penale. Nëpërmjet ndjekjes së programeve individuale të trajtimit të kësaj kategorie individësh, synohet ulja e rrezikshmërisë dhe riedukimi i kontigjentëve kriminalë të mundshëm. Për të mundësuar aplikimin e dënimeve penale të ashtuquajtura “individuale” është reformuar Kreu VII i “Kodit Penal”, që rregullon masat alternative dhe ligjin për ekzekutimin e dënimeve penale. Shërbimi i Provës është organ shtetëror, i ngritur për mbikëqyrjen e zbatimit të dënimeve alternative dhe për të mbështetur dhe ndihmuar të dënuarit në përmbushjen e detyrimeve të caktuara me vendim gjyqësor, si dhe në kapërcimin e vështirësive për riintegrimin social. Në këndvështrimin dhe vlerësimin tim si jursit i ri në profesion, Shërbimi i Provës bëhet pjesë aktive e sistematike gjatë të gjitha fazave të procedimit penal, pra gjatë fazës së hetimit, fazës së gjykimit dhe gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit gjyqësor, shoqëruar me një raport vlerësues për të dënuarin, ku pasqyrohen në mënyrë analitike kushtet dhe rrethanat shoqërore të tij, të familjes dhe grupimit shoqëror ku bën pjesë. Raporti i vlerësimit të dënuarit me shërbim prove, përbën në thelb një akt ekspertimi ku paraqiten të dhëna që i vijnë në ndihmë prokurorit, ose gjykatës, në marrjen e vendimit në çdo fazë të procedimit penal, të dhëna që sigurohen nëpërmjet intervistimit, paraqitjes në mënyrë objektive dhe të paanshme të rrethanave dhe arsyeve të kryerjes së veprës penale, si dhe një sugjerimit për llojin apo masën e dënimit sipas çdo rasti e individi konkret. Kështu, për masën alternative të parashikuar në Nenin 58 të Kodit Penal që do të thotë “gjysmë liri”, Shërbimi i Provës harton dhe zhvillon një program ditor individual për ekzekutimin e kësaj mase nga i dënuari, ku janë të përcaktuara oraret e hyrjes dhe daljes në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, personat me të cilët i dënuari lejohet, ose ndalohet të mbajë kontakte gjatë kohës së qëndrimit jashtë institucionit, mjediset e lejuara dhe ato të ndaluara për frekuentim apo kushte të tjera. Shërbimi i Provës në Shqipëri, funksionon që prej vitit 2009. Aplikimi i kësaj alternative është shumë më pozitiv se politikat penale represive (burgosje) në funksion të edukimit, risocializimit, rritjes së ndërgjegjes te shkelësit e ligjit lidhur me përgjegjësitë e tyre ndaj viktimave dhe shoqërisë. Instrumentet ndërkombëtarë, në veçanti Rregullat e “Tokios”, kanë theksuar se burgimi duhet të konsiderohet si mjeti dhe mundësia e fundit dhe se duhet të trajtohet me vëmendjen që i takon, gjetja e një zgjidhjeje sa më të përshtatshme midis të drejtave të viktimave nga njëra anë dhe të drejtave të të dënuarve nga ana tjetër. Misioni aq i rëndësishëm i institucionit të shërbimit të provës, ka imponuar përcaktimin e një ligji të posaçëm të rolit procedural të këtij institucioni, të standardeve që duhet të respektojë, të të drejtave dhe detyrimeve që duhet të respektohen gjatë procesit të mbikëqyrjes etj. Për rëndësinë e të gjitha detyrave që duhet të përmbushë ky institucion në Rekomandimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës të vitit 1992, është përcaktuar se shërbimi i provës, duhet të jetë i rregulluar me ligj të posaçëm dhe kjo tashëm është realitet i politikës penale në Shqipëri, madje i sukesshëm. Për të përmendur është mungesa e një data-baze funksionale ku të pasqyrohen të dhënat për çdo urdhër ekzekutimi të regjistruar dhe të pushuar sipas veprës përkatëse në mënyrë që të jetë i mundur gjenerimi i të dhënave statistikore në funksion të matshmërisë së mikro-kriminalitetit, grupmoshave, arsimit, kushteve sociale, etj. Që prej nëntorit 2013 ka nisur puna për arshivimin dhe dixhitalizimin e të gjitha dosjeve të pushuara dhe pasqyrimit të tyre në data-bazën e përgjithshme me qëllim identifikimin e personave që janë realisht në mbikëqyrje. Një punë e tillë nuk është bërë për rreth pesë vjet dhe jemi të detyruar të përpunojmë një një afat kohor sa më të shkurtër një numër të konsiderueshëm dosjesh. Shumë mbetet për të bërë gjithashtu edhe për të rritur bashkëpunimin me institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, pasi shërbimi i provës ndjek një numër të konsiderueshëm personash në nevojë, për kurse të posaçme formimi apo trajnimi dhe këtu kam parasysh të gjithë të miturit, të cilët për arësye zgjedhjeje ose pamundësie ekonomike nuk mundet të ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë. Për këtë kategori, duhet të punohet në kuadër të përmirësimit të politikave aktuale të trajtimit, qoftë nëpërmjet përfshirjes në shkollat profesionale ekzistuese, qoftë nëpërmjet realizimit të kurseve afatmesme dhe afatshkurtra të formimit që ofrohen nga institucione të ndryshme jo fitimprurëse. Qëllimi është që të vijojë të rritet bashkëpunimi në përmbushjen e masave në komunitet dhe kryesisht ato të punës në interes publik, duke ndërgjegjësuar të dënuarit se impenjimi i tyre në përmbushjen e detyrave të ndryshme përmirëson vetëvlerësimin e tyre nga njëra anë dhe njëkohësisht, rrit vlerësimin e komunitetit për efikasitetin e masave alternative. 
Sigal