Para pak kohëve, mediat vizive transmentuan një dokumentar historik mbi jetën dhe veprimtarinë patriotike të Heroit të Popullit Çerçiz Topulli.
Për hir të së vërtetës , ky dokumentar u mirëprit ngrohtë nga teleshikuesit. Një figurë e spikatur e çështjes kombëtare dhe njëkohësisht një luftëtar i madh si Çerçis Topulli, padyshim që ngjall interes dhe kërshëri për të mësuar sa më shumë nga jeta e tij.
Nëpërmjet fakteve të shumta, të qëmtuara me shumë profesionalizëm nga gazetari Marin Mema, autori hedh dritë edhe mbi bashkëpunimin e ngushtë midis kapedan Çerçiz Topullit dhe kapedan Sali Vranishtit gjatë anagazhimit të tyre në luftimet për mbrojtjen e trojeve amtare nga kërcënimet e shovinistëve grekë gjatë viteve 1913-1914.
Për të qenë realist, ky fakt deri më sot nuk është pasqyruar kurrë në tekstet zyrtare të Historisë. I pari që jep një tabllo të qartë për këtë çështje, pa folur për gurrën popullore, si një kronikane e pandarë e skenës së teatrit të luftimeve të ndryshme, ka qenë avokati Sali Hallkokondi, një nga mendjet më të ndritura të Labërisë, i cili në vitin 1923 botoi librin “Histori e Shqipërisë së Re” .
Një punë të paqme hulumtuese mbi raportet e Çerçiz Topullit dhe Sali Vranishtit ka bërë edhe Bajo Jonuz Topulli në librin e tij monografik :”Topullarët e Gjirokastrës”, botuar në vitin 2008, ku midis të tjerash nënvizon për dy kapedanët se “… Ata ishin shokë të ngushtë. Guximi, trimëria dhe hallet e përbashkëta i kishin afruar me njëri-tjetrin”.
Në altertekstet e ndryshme të Historisë së Popullit Shqipar, vazhdon që jo në pak raste anashkalohen fakte kokëforta apo trajtohen përciptas ngjarje që kanë marrë vulën e kohës. Kjo ka ardhë si rezultat i një pune jo të thelluar shkencore, ashtu si edhe nga mungesa e seriozitetit në përthithjen e çdo risie burimore historike .
Është një praktikë që duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, pasi studjuesit seriozë duhet të çmojnë cdo fakt që ka vlera për pasurimin e historisë tonë kombëtare.
Në këtë optikë, edhe bashkëpunimi midis dy prej kapedanëve më në zë të Jugut, Çerçiz Topullit dhe Sali Murat Vranishtit , nuk ka arsye që të qëndrojë akoma jashtë teksteve zyrtare të Historisë.
Le të flasim konkretisht.
Në fillim të vjeshtës të vitit 1908, në krahinën e Mesaplikut erdhi për të shpalosur platformën e tij si kandidat për deputet Ismail Qemali. Krahas fshatrave të tjerë, ai qëndroi dy ditë edhe në Vranisht, ku kontakoi jo vetem me parinë e fshatit, por edhe me elementë “firarë” që ishin në konflikt me administratën osmane. Njëri prej tyre ishte Sali Murati. Në mbarim të këij takimi, Ismail Qemali u largua për në Korfuz, por la pas ide të qarta për armatosjen e popullit me ndjenja atdhetare e liridashëse. Nga ky takim, jeta e Sali Muratit do të lidhej ngushtësisht me fatet e vendit.
Lëvizja kombëtare kish kohë që po zjente. Qysh në nëntorin e vitit 1905, me nismën e Bajo Topullit, ishte krijuar Komiteti i fshehtë ”Për Lirinë e Shqipërisë”. Qëllimi i ketij Komiteti ishte puna për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Me idenë absolute se liria nuk mund të pritej, por të kërkohej, Bajo Topulli gjykoi se kishte ardhur momenti që perandoria osmane të detyrohej që edhe me forcën e armëve të pranonte vullnetin e popullit shqiptar. Për këtë gjë, ai qysh në janar 1906 krijoi të parën çetë patriotike në Jug. Në këtë çetë, Çerçiz Topulli, vëllai i tij, ishte luftëtari më i shquar dhe më aktiv. Për të përçuar këtë frymë, çeta patriotike e Bajo Topullit fillojë të lëviste pothuajse në gjithë territorin e Jugut të Shqipërisë. Si rezultati i kësaj pune nisën të dalin në skenë edhe çetat patriotike të Sali Butkës, Qamil Panaritit, Spiro Ballkamenit,Themistokli Germenjit, Muharrem Rushitit, Demo Eminit etj.
Me këtë mision, pak kohë pasi ishte larguar Ismail Qemali nga Vranishti, vjen këtu Çerçis Topulli dhe i shoqëruar nga patriotë vendas nisen drejt Tërbaçit për një takim më të zgjeruar.
Në Tërbaç, sipas kujtimeve të Gani Iljazit ( “Lëvizja Kombëtare në Vlorë 1878-1912”, Tiranë 1999), para një grusht burrash me ndjenja atdhetare, Çercis Topulli shpalosi pikëpamjen për ngritjen e çetave patriotike. Në këtë takim, krahas Ibrahim Abdullahut, Alem Mehmetit, Zigur Lelos, Zaçe Xhelos, Laze Malos, Murat Tërbaçit, Selam Abazit dhe Azem Sulos, ishte edhe Sali Vranishti. Nuk kaloi shumë kohë dhe nga fundi i vjeshtës të vitit 1908, Sali Vranishti, një ish komit i famshëm, që ishte arratisur nga kalaja e Janinës, ku vuante dënimin, ndikuar tërësisht nga idetë e Ismail Qemalit dhe takimi me Çerçiz Topullin, formoi çetë patriotike me luftëtarë jo vetem nga Vranishti, por edhe nga Kallarati, Smokthina, Tërbaçi, Brataj dhe Kanina. Kjo çetë u njoh me emrin “Firarët e kapedan Saliut”.
Këtu zë fill miqësia midis Çerçiz Topullit dhe Sali Vranishtit për t’u farkëtuar në momentet më vështira që do kalonte Jugu i Shqipërisë në vitet e mëpasme.
Të dy këta burra të shquar, në veprimtarinë e tyre patriotike hipotekuan disa aksione të bujshme. Kryeneçësia, guximi, trimëria dhe kurajua e tyre e pashoq imponuan që të alarmonin autoritetet osmane, të cilat nga sfida e drejtëpërdrejtë që ju bëhej, nuk rreshtën për t’i asgjesuar. Por trimat dinin të çanin rrethime .
Për të mbajtur gjallë shpirtin e qëndresës, populli në krijimet e veta me shumë mençuri vuri në pah se kapedanët qëndrojnë stoik dhe hije rëndë përballë çdo rreziku. Kënga për Luftën e Mashkullorës do të rezononte në gjithë vendin:
“Te rrapi në Mashkullorë,
Foli Çerçizi me gojë:
Mylazim largo taborrë,
Lëri djemtë e mi të shkojnë,
Se të skuq të bëj me bojë,
Çerçiz Topulli më thonë”.
Po ashtu, kënga për atë që hapi hapsanat në mes të Vlorës, nuk do të kishte afeksionin e duhur pa ngjyrimin emocional të këtyre vargjeve:
“Në Vlorë, në kajmekanë
Në rrap e varën fermanë,
Të zini Sali Muranë,
Jo të vdekur por të gjallë,
E rrethosën në Qishbardhë,
Por s’i qaseshin dot pranë”.
Pavarësisht se populli nuk rreshti për ta kërkuar në forma të ndryshme pavarësinë ndaj okupacionit turk, si Çerçiz Topulli, ashtu edhe Sali Vranishti nuk qëndruan indiferentë as ndaj ithtarëve të “Megali-Idesë”, që vepronin hapur në Shqipërinë e Jugut. Nëse çeta patriotike e Bajo dhe Çerçis Topullit do të pagëzohej me vrasjen e dhespot Fotit, në shenjë hakmarrje ndaj Papa Kristo Negovanit, çeta e Sali Vranishtit do shtrinte përdhe Jani Putecin, vrasësin e Kadri Gjatës, kreut të klubit patriotik të Janinës.
Platforma shoviniste greke e “Megali – Idesë”, e materializuar qysh në vitin 1844 nga ish kryeministri grek Koletis, gjatë luftës Ballkanike e veçanërisht në fillim të Luftës së Parë Botrore mori përpjestime të mëdha.
Me rënien e Janinës në mars 1913 në duar të grekëve, ekspasioni shovinist po zgjerohej drejt gjithë Toskërisë. Pavarësisht se Konferenca e Londrës më 1913 njohu pavarësinë e Shqipërisë, duke shkëputur padrejtësisht nga harta politike e shtetit krahas Kosovës edhe Çamërinë, shovinizmi grek nuk u kënaq. Ai vazhdojë t’i shtrijë kthetrat drejt “Vorio – Epirit”, me qëllim bashkëngjitjen e këtij territori shqiptar shtetit helen. Kjo situatë paraqeste rreziqe serioze.
Në fillim të vitit 1914, grekomanët shpallën në Gjirokastër “Autonominë e Vorio-Epirit” me në krye Jorgji Zografon. Promotori i lëvizjes aneksioniste ishte pseudogreku himarjot Spiro Milo, që në Athinë e thërrisnin “Venizellosi i Epirit”.
Në kushtet kur andartët grekë masakaruan, dogjën e plaçkitën fshatra të tërë, shpirti patriotik shqiptar shpërtheu furishëm në gjithë Jugun.
Me këtë preukupacion, Çerçiz Topulli së bashku me Sali Vranishtin dolën në ballë të luftëtarëve nga Gjirokstra, Lumi i Vlorës, Kurveleshi, Delvina e Bregdeti.
Përshkallëzimi i situatës në Jug, e shqetësoi jashtë mase Ismail Qemalin, i cili megjithëse kishte dhënë dorëheqje si kryeministër, nuk mund të rrinte indiferent kur kërcënohej seriozisht sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit shqiptar. Diktuar nga kjo atmosferë, ai krijoi ”Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë”me qendër në Vlorë. Sipas kujtimeve të Thoma Papanos, sekretar Ismail Qemalit në këtë Komitet, Çerçiz Topullin dhe Sali Vranishtin i priti në takim Plaku i Vlorës. Si morën udhëzimet e duhura prej tij, ata u nisën drejt fshatit Kolonjë. Këtu, në bashkëveprim me krerët e çetave të Jugut, u vendos mbi drejtimet nga do të godisnin andartët grekë, si do të mbroheshin dhe nga do të furnizoheshin. ”Sulmi i mirëorganizuar filloi ofensivën në drejtimet Tepelenë-Gjirokastër, Labovë-Libohovë, Kuç-Himarë, Këlcyrë-Përmet-Frashër-Leskovik, Qafë e Skërficës-Delvinë ”(S.Vllamasi “Ballafaqime Politike” fq. 74). Gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit prill 1914 u kryen luftime të ashpra. Zmbrapsja përkohësisht e andartëve grekë nga territore të caktuara, iu dha kohën e duhur burrave kordhëtarë, që nën drejtimin e Çerçiz Topullit dhe Sali Vranishtit, të organizonin një mbledhje të gjerë në një fushë rrëzë malit të Golemit, me qëllim përballimin e kundërofensivës barbare dhe gjakatare greke. Për këtë fakt, që e pohon në kujtimet e veta Thoma Papanua, na vijnë njëkohësisht në ndihmë edhe vargjet e mëposhtme:
“Çerçizi me Salinë,
Shpejt në Kurvelesh mbrinë,
Atje thirrën njerëzinë,
Të shpëtojnë Shqipërinë”.
Pas kësaj mbledhje, luftimet midis palëve kundërshtare ishin të pandërprera. Kardhiqi, Mashkullora, Cepua, Kurveleshi, Rrëzoma, Tatzati, Borshi, Llogoraja, Gurra e Vranishtit, Qafa e Mretes, Qafa e Skërficës etj u kthyen në fortesa të heroizmit popullor, ku sipas historianit Sali Hallkokondi, kronikanit të vëmendshëm të kësaj periudhe, në këto vende “Çerçiz Topulli me kapedan Sali Vranishtin bënë shumë therori….”
Këtë bashkëpunim kostant midis këtyre dy kapedanëve e pasqyron edhe kënga për marrjen e kalasë së Borshit, një nga pikat më dominuese që ishte nën kontrollin e grekërve:
”Krisi batare e parë,
M’u te Borshi nën hundë,
Me ato të pakta armë,
Vdekjen nuk e bën kabull,
Nëpër tym e nëpër zjarrë,
Kalanë e Borshit e zunë,
Çerçizi ç’e dha komandë,
Mbetën grekërik si kërcunjë,
Sali Vranishti me famë,
Sokëllinte përmbi gurë”.
Luftimet për mbrojtjen e trojeve amëtare të Jugut e ngritën në një shkallë më lartë emrin dhe famën e Çerçiz Topullit dhe Sali Vranishtit, të cilët para se të farkëtonin armët, kishin farkëtuar zemrat.
Sa qenë gjallë Çerçiz Topulli dhe Sali Vranishti si rrallë kush fituan titullin “Kapedan”, kurse pas vdekjes ata mbetën fatosa të lirisë, Heronj të lavdishëm të Popullit. Kapedanëve të tillë nuk ua shton lavdinë pesha e bronxit të derdhur në shtatoret e tyre, por kujtesa e pandërprerë historike e materializuar në shpirtin poetik të popullit. Këtë fat nuk mund ta ketë kushdo.