Arben Petto/ Teleferikët kabllorë dhe “krizat” urbane

974
Çdo ide e re, sado novatore të ketë qenë, s’i ka shpëtuar dot përpalljes me cinizmin në çastin e parë të paraqitjes së saj. Mosbesimi dhe nënqeshjet ironike, ndërkallur në pyetje të përgjithshme a të pakuptimta personash të veshur me pushtet, kanë tentuar jo rrallë t’i vënë ideatorët në vështirësi. Edhe Teleferiku i Dajtit u duk fillimisht një aplikim thjesht imagjinar dhe i pamundur për t’u realizuar, pasi përpjekjeve, që vërtet nuk kishin munguar, u kishte munguar besimi. Ne e patëm besimin me shumicë. Dhe besimi na mbajti… Nga vënia e gurit të parë deri te testimi i udhëtimit të parë, në fund të të cilit koha e realizimit të një vepre të tillë elitare u duk “papritur” e shkurtër. Tanimë, kur skepticizmin e dikurshëm e ka tretur ndërkohë jo vetëm besimi ynë, por edhe suksesi i projektit të Teleferikut të Dajtit, ka ardhur mbase koha t’u rikthehemi edhe njëherë sistemeve kabllorë të teleferikëve, të njohur botërisht për epërsinë e tyre në transport. Në këtë kuadër, unë dua të ndaj sot, me ju, një tjetër ide novatore, të guximshme sa dhe të realizueshme, se ndërtimi i së cilës do t’ia lehtësonte dukshëm jetën qytetit tonë të strapacuar prej 20 vitesh nga shtrirja e sipërfaqes dhe dyndjet demografike, nga bumi i ndërtimeve dhe trafiku në kufijtë e çmendurisë. Këtë herë fjala është për një mundësi të re të transportit qytetës, e cila mendohet të zgjidhë nevojat e përditshme të lëvizjes së komunitetit, në kushte optimale komoditeti dhe në kohë sa më të shkurtër. 
Përdorimi i teleferikut (sistem kabllor me teleferik) brenda një qyteti me shtrirje të gjerë dhe zona me zhvillim të ndryshëm ekonomiko-social si Tirana, përbën risi alternative në transportin qytetës, pasi shmang pritjet e gjata, rëndimin e trafikut, ndotjen mjedisore, ndotjen akustike dhe shpërdorimin e kohës, duke shtuar njëkohësisht edhe mundësitë e shijimit panoramik të qytetit. 

Zanafilla e sistemit qytetës të teleferikëve kabllorë
Përpjekjet për krijimin e një sistemi qytetës të teleferikëve kabllorë, nisin në fillim viteve 2000 në disa shtete të varfra dhe me problematikë të gjerë sociale të Amerikës Latine. Fillimisht efektiviteti lidhej më shumë me përfitimet e pritshme sociale për zonën ku implementohej sistemi se sa me aspektin ekonomik. Ndaj realizimi i këtyre projekteve kërkonte jo vetëm kurajën e realizuesve, por edhe guximin e autoriteteve mbështetëse lokale dhe qendrore. Ndonëse fillesat lidhen me Veriun e Amerikës Latine, ideja është shtrirë vit pas viti edhe në kontinente të tjera, kryesisht në Azi. Prioritet kanë zonat me dyndje të paparashikuara urbane dhe probleme sociale zhvillimi e transporti, çka nxjerr në plan të parë karakterin social të investimit dhe nevojën e përfshirjes së qeverisjes (lokale dhe qendrore) në projekte të përbashkëta financimi. Ekspertët i konsiderojnë këto projekte të mirëmanaxhueshme nga ana teknike dhe financiare, ndërkohë që administrimin e sistemeve ia besojnë performancës së kompanive implementuese (përvojës, kapaciteteve njerëzore e profesionale) si edhe standardit të bashkëpunimit me autoritetet vendore e qendrore.
Sistemet e teleferikëve kabllorë janë relativisht të lira dhe të shpejta për t’u ndërtuar, për shkak të teknologjisë së njohur dhe sipërfaqen e vogël të tokës së nevojshme (për t’u blerë). Për të mbuluar me shërbim 3000-5000 pasagjerë/orë, kostot për km variojnë përputhur me terrenin dhe distancën.
Avantazhet e teleferikëve kabllorë
Bazuar në përvojën e bashkëpunimit me autoritetet (lokale dhe qendrore) si edhe në personelin teknik, të specializuar për çdo specifikë të këtij investimi, për kompaninë, që unë menaxhoj, realizimi i këtij projekti nuk paraqet risi dhe nuk fsheh më pikëpyetje. Realizimi i projektit të Teleferikut të Dajtit dëshmoi jo vetëm sukses në përdorimin e metodave bashkëkohore të montimit të kullave të tij me helikopter, por edhe rrezikshmëri – zero gjatë shfrytëzimit të tij. Efekti i sistemeve të teleferikëve kabllorë është i dukshëm. Ai bën të mundur, që nga pikat më të largëta dhe problematike të grumbullimit aktual të trafikut, të arrihet qendra e Tiranës për 8-12 minuta. Mënyrat e vjeljes së të ardhurave janë të njëjta me ato të metodave të tjera të transportit, si: biletë për udhëtim, biletë mujore ose abone. Në një fazë të dytë duhet përcaktuar, se cilat do të jenë rrugët ajrore, që do të përshkojnë qytetin e Tiranës dhe cili do të jetë hapi i parë nga do të fillohet implementimi i projektit, i cili po të marrë përkrahjen e opinionit dhe të autoriteteve mund të vërë në rrugë të mbarë zgjidhjen e një problem tejet emergjent, siç është transporti publik në kryeqytet.
Përfituesit nga shërbimi të teleferikëve kabllorë
Grupi më i madh i përfituesve janë punëtorët dhe nëpunësit, të cilët shmangin mjetet me humbje kohe dhe përqendrim të madh njerëzish, pasi në kabinat e teleferikut hyn një numër i kufizuar personash, i cili kompensohet nga shpeshtësia (takt një minutësh) e kabinave që qarkullojnë pa ndërprerje. Nevojës për transport i shtohet edhe kurioziteti për ta parë qytetin nga një këndvështrim tjetër – një aspekt joshës ky i përdorimit të teleferikut, i cili pritet të zgjojë dhe interesin e agjencive turistike, që mund/do të duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Së fundi, ndërtimi i teleferikëve është pjesë e inxhinierisë elitare, që lidhet direkt me vendim-marrjet politike për zhvillimin e zonave ku implementohen sistemet kabllore. Ndryshe nga sistemet e tjera të transportit, teleferiku, si element i transportit qytetës, s’ka vetëm efekt ekonomiko-social, por edhe ndikim në politika. Reagimin politik të qytetarëve e ndikon jo së fundi edhe impakti estetik i sistemit, i prekshëm edhe prej vizitorëve dhe turistëve të huaj. 
Suksesi i një sipërmarrjeje të tillë sigurisht që nuk i zgjidh të gjitha problemet e transportit qytetës. Pavarësisht se si njohës i tyre, unë besoj në perspektivën e gjerë të implementimin sistemeve të teleferikëve kabllore – së shpejti do t’ju paraqes autoriteteve (lokale dhe qendrore) një projekt konkret për realizimin e kësaj ideje, nuk mendoj megjithatë, se ky sistem transporti u bjerr sadopak vlera alternativave të tjera të transportit qytetës e ndërqytetës. Aspak! Sistemi i transportit me teleferik nuk zëvendëson llojet e tjera të transportit qytetas dhe ndërqytetas, qofshin këto me autobus, taksi, metro,etj., por ofron një alternativë shtesë transporti komod dhe të shpejtë, në formën e plotësimit më të mirë të nevojave të qytetarëve për mjete publike transporti. Të shpresojmë, se në emër dhe në interes të të gjithëve, jo thjesht dhe vetëm ideja, por edhe projekti konkret për implementimin e tij në Tiranë, do t’i shpëtojë mbase përpalljes me cinizmin, mosbesimin dhe nënqeshjet ironike. Nëse kjo ndodh, sërish do të vazhdojë të na mbajë besimi dhe të na buzëqeshë suksesi… . Si dikur dhe sot në Dajt!
Sigal