Arben Malaj: Çelja e negociatave dhe thellimi i integrimit evropian

590
“Struktura e Shteteve të Bashkuara të Evropës do të jetë e tillë që do ta bëjë më pak të rëndësishme forcën materiale të një shteti të vetëm. Vendet e vegjël do të kenë po aq rëndësi sa të mëdhenjtë, si dhe do të fitojnë nderin e tyre duke kontribuar në kauzën e përbashkët”.
Churchill, Zyrich 1946
Debati për harmonizimin në kohë të çeljes së negociatave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dhënies përparësi thellimit të integrimit evropian, të theksuar para pak dite edhe nga Presidenti Macron, ka rrënjë të thella historike dhe do të vazhdojë të dominojë zhvillimet e BE-së për kohë të gjatë. Ky proces do të ketë vështirësi, sepse çdo hap i mëtejshëm i thellimit të integrimit kushtëzohet nga një dorëzim më i madh i sovranitetit kombëtare. Aktualisht institucionet e BE-së po tregojnë një vullnet mbështetës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është pozitiv mesazhi publik i z. Junker, Presidentit i Komisionit të BE-së se lënia jashtë proceseve integruese e vendeve të Ballkanit Perëndimor rrezikon rikthimin e konflikteve dhe luftërave. Po të mbajmë parasysh ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor pas rënies së Murit të Berlinit mund të konfirmohet se në këtë rajon është arritur paqja, e cila është parakusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për arritjen e mirëqenies/prosperitetit. Rritja e mirëqënies përveç paqes bazohet në kushte të rëndësishme të funksionimit të shtetit ligjore, të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të dhënies fund të kulturës së pandërshkueshmërisë, të politikave dhe reformave strukturore në fushën e arsimit, shëndetësisë, ambientit të biznesit etje. Pra, nëse pa paqe nuk ka prosperitet dhe pa prosperitet nuk ka paqe të qëndrueshme. Dështimi në rritjen e të ardhurave reale, dështimi në të drejtën e pronës dhe luftës efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe pa një administratë profesionale, kanë rritur zhgënjmin dhe dëshpërimin social në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili shpesh keq-përdoret nga lider nacionalistë, euroskeptikë dhe radikalë. Motivimet nacionaliste brenda ose midis vendeve evropiane ngadalësojnë reformat e thellimit të integrimit, duke ushqyer kriza financiare, ekonomike, sociale dhe politike në nivel kombëtarë dhe evropian. Kjo ka favorizuar nacionalistët dhe euroskeptikët në përfaqësimin politikë në vendet e BE-së dhe në institucionet e BE-së.Lidhur me debatet për çeljen e negociatave dhe avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e anëtarësimit në BE ,në samitin e Selanikut 2003 u theksua e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor ë. Një vit më vonë BE u zgjerua me 10 vende të reja nga Evropa Lindore, tre vite më vonë anëtarësohen Rumania dhe Bullgaria ndërsa në vitin 2013 anëtarësohet Kroacia. Pas këtij momenti u krijua ideja se dyert e BE-së do të ishin të mbyllura qoftë edhe përkohësishtë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga kjo dinamike e zgjerimeve të BE-së dalin në pah dy elementë të rëndësishëm. Së pari – vendet e Ballkanit Perëndimor do të shkëputeshin nga 10 vendet e tjera të BE dhe për to do të kishte një proces më të gjatë, më të kontrolluar dhe më të vështirë. E dyta – edhe pse do të kishte një proces ndryshe dera e BE do të ishte e hapur për vendet e Ballkanit bazuar në parimin e meritës, në plotësimit të kushteve nga çdo vend. Aktualisht jemi në diskutimin se kur do të anëtarësohen vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat ndodhen në faza të ndryshme të këtij procesi. Serbia dhe Mal i Zi kanë çelur negociatat, Shqipëria dhe Maqedonia presin çeljen e negociatave, Kosova dhe Bosnje Hercegovina presin liberalizmin e vizave dhe përfitimin e statusit të vendit kandidatë të BE-së. Përvoja e çeljes dhe përfundimit të negociatave është i ndryshëm për vende të ndryshme. 

Bazuar në raportin e Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor në 2018, debati më i madh është lidhur me vendimin që do të merret në qershor nga Këshilli Evropian për çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Maqedonia ndodhet përball një momenti historik sepse ka vite që është bllokuar në anëtarësimin e saj në NATO dhe BE nga veto e Greqisë. Fakti që nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian është mbështetur unanimisht çelja e negociatave midis BE dhe Maqedonisë, ekziston mundësia që ky unanimitet të arrihet edhe në vendimin e Këshillit Evropian në takimin e Sofies në Qershor. Për qeverinë e Zaevit, është ndoshta e pamundur t’i plotësoj të gjithë kushtet aktuale të qeverisë greke, edhe sepse kjo mund të ushqejë ndjenjat nacionaliste në Maqedoni për të bllokuar vazhdimin e reformave. Mund të ketë edhe opsione win-win që nënkupton gjetjen e kompromiseve për zgjidhje graduale të ndonjë kushti të “pa negociushëm”. Fakti që çelja e negociatave nuk është anëtarësim në BE por një hap i ndërmjetëm i cili përfundon me një vendim unanim nga Këshilli Evropian për anëtarësimin e çdo vendi te ri në BE. Fakti që procesi nga çelja e negociatave deri në përfundimin e tyre është relativsht i gjatë, mund ta lehtësoj plotësimin në mënyrë graduale të kushteve të vendosura nga Greqia ndaj Maqedonisë. Ndoshta Greqia mund të “toleroj” anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në çeljen e negociatave me BE-në, duke qënë se për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, Greqia nuk e ka humbur mundësinë e “vetos bllokuese”, nëse kjo do të jetë e domosdoshme. Lidhur me vendin tonë çelja e negociatave duket më e mundëshme, pasi aktualisht të gjitha vendet në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian u kanë propozuar liderëve të tyre në Këshillin Evropian çeljen pa kushte të negociatave. Sigurisht mesazhet edhe të drejtpërdrejta theksojnë se fillimi i reformës në gjyqësorë dhe rezultatet e para pozitive kërkojnë të plotësohen me një luftë më efektive kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe dhënia fund e kulturës së pa ndërshkueshmërisë.Vendi ynë e meriton çeljen e negociatave, angazhimi i përbashkët i te gjitha forcave politike e lehtëson vendimin e Këshillit Evropian dhe nisjen pa vonese te tyre. Procesi i negociatave nuk po mbivendoset me procesin e thellimit të integrimit. Thellimi dhe zgjerimi kanë një sinergji pozitive nga ndryshimi i secilës prej tyre. Thellimi i integrimit lehtëson zgjerimin. Zgjerimi i BE-së rrit hapësirat e vlerave evropiane në të gjithë kufijtë e saj edhe gjeografike, duke i bërë më të qëndrueshme, më të plota dhe më mirë të shpërndara përfitimet e anëtarësimit në bashkësinë më të madhe globale që promovon dhe mbështet demokracinë, paqen dhe prosperitetin.
Sigal