Arben KONDI/ Helmi i Janollatosit!

112

Një deklarim i prerë kundër Anastas Janollatosit nga ish shefit shqiptar i SHIK-ut, zotit Fatos Klosi dhënë pak ditë më parë në gazetën e shqiptarëve të Amerikës “Iliria”, zgjoi jehonë të madhe në media e po ashtu edhe në shtypin tonë. Si rëndom në raste të tilla, (kujtoj polemikat e vetë Janollatosit me historianin Kristo Frashëri) vjen e shpejtë përgjigjja. Por, këtë herë jo më nga Anastasi, por nga “Sinodi i Shenjtë” i së ashtuquajturës “Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare” (i projektuar po prej tij),i cili për faktin e thjeshtë se nuk ruan as shenjën më të vogël të portretit hyjnor të Nolit tonë të Madh nuk mund të quhet më shqiptare, por thjesht një shtesë apo bisht i autoqefalisë greke. Përgjigjja sjell me vete kundërpëgjigjen. Kështu që ndaj “çështjes Janollatos”, tashmë gati çerekshekullore mbi kurriz të Shqipërisë reaguan historianët e njohur shqiptarë si Beqir Meta, Maringlen Verdhi dhe Pëllumb Xhufi. Domethënës ishte edhe reagimi i shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agolli. Ndërkohë që zërin At Nikollë Markut në mbrojtje të Autoqefalisë Noliane e njohin të gjithë shqiptarët.

 Natyrisht, duke qenë se reagimet e figurave të lartpërmendura i dhanë përgjigjen e duhur “Sinodit të Shënjtë”, nuk e shoh të arsyeshme të përsëris mendimet e tyre. Megjithatë duke qënë se plot pesë vjet më parë kam shkruar një libër “Djaj në veladon” ku veç autopsisë së Kozma Etolianit, (shenjtit grek e njëkohësisht babait shpirtëror të Janollatosit, i cili në gjysmën e dytë të shekullit XVIII arriti të hapë 300 shkolla greke në Epir), kam bërë edhe një ballafaqim idesh mes Autoqefalisë së Fan Nolit dhe asaj të Anastasit. Më poshtë nuk kam ndër mend të shtjelloj subjektin e librit. I shitur në mijëra kopje në Shqipëri, në Kosovë, në Iliridë e në Ulqin ai e ka fituar pashaportën e shqiptarisë. Por i përfshirë vetiu prej jehonës së lartpërmendur do doja të bëja të njohur disa prej reagimeve të hidhura që ka zgjuar libri në fjalë në Panairin Kombëtar të Librit, i cili mbahet çdo vit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe që vetvetiu justifikon titullin farmak të këtij shkrimi.

Ishte nëntori i vitit 2009. Ora shënonte tetë, Pra qe pragmbyllja e ditës së parë të Panairit. Libri kishte pak muaj i botuar. Kur para stendës sonë “Çamëria” qëndruan dy vajza të reja që nuk duhet të ishin më shumë se njëzet vjeç si dhe një i moshuar që nuk duhet t’i kishte kapërcyer të shtatëdhjetat. Duke qënë se përgatiteshim për të ikur, as unë e as ime shoqe nuk folëm. I lamë të lirë në soditjen e tyre. Kur ja. Njëra nga vajzat theu heshtjen. Vuri gishtin mbi kapakun e librit “Djaj në veladon” dhe u shpreh qetë e ftohtë:

– Ky libër duhet të digjet. I duhet vënë flaka në mes të Tiranës.

Shtanga. Mbeta statujë në vend. Kisha botuar mbi dhjetë libra libra për Çamërinë, Kosovën, Shqipërinë Etnike por askund nuk më kishin reaguar kështu! Madje as edhe në Ulqin, Strugë apo Kumanovë ku sllavët nuk mungojnë. Një dallgë e brendëshme më shtyu para për t’i dhënë përgjigjen e duhur këtyre provokimeve, por e mblodha veten shpejt. Ndërhyri ime shoqe që u shpreh:

– Ç’është kjo gjuhë moj vajza?! Libri është djegur shesheve në kohën e Hitlerit. Qenkeni dhe kaq të reja!

Vajzat kthyen shpinën dhe u larguan. Ndërkohë i moshuari që e pati ndjekur skenën heshturazi foli duke u drejtuar me këto fjalë:

– Eshtë helmi i Janollatosit ky more bir! Shkollat e tij e kanë kryer të plotë lavazhin në trurin e një pjese të rinisë sonë. Unë i di mirë këto punë. Jam ortodoks, veç i Nolit të madh.

Kaq tha dhe u largua. Iku pakëz i harkuar duke lënë pas imazhin e një pikëpyetje. Po kjo mesele s’u mbyll me kaq. Të nesermen paradite, para stendës sonë vërshuan me dhjetra të rinj e të reja të veshur me uniforma të grinjta, sigurisht nxënës apo studentë të shkollave greke, të cilët në gjuhën shqipe hodhën këto romuze.

– Mëkat! Mëkat i madh! Si mund të quhet djall kryepeshkopi ynë?! Ai po na ushqen, po na arsimon! Zoti ju mëshiroftë!

 Më trishtuan, m’u dhimbsën këta të rinj. Vetiu më erdhën në mend fjalët e të moshuarit mbrëmjen e shkuar. Ne sapo ishim kthyer nga një mërgim i gjatë në Australi dhe po vinim re se në atdheun tonë, helmi i Janollatosit nuk paskësh qenë thjesht një lavazh i rëndomtë truri, por shumë më i thellë. Ndjeja se në trupin e këtyre djemve e vajzave të reja, ai lëvrinte me forcën e atyre metastazave konceroze që gradualisht po shkatërronin gjithçka shqiptare në shpirtin e tyre. Këtë herë doja të bërtisja, të ulurija fort. Jo thjesht ndaj këtyre të rinjve, por ndaj tolerimit, indiferencës sonë dhe mbi të gjitha ndaj inferioritetit të shtetit shqiptar në raport me shtetin grek. Le të dëgjonte edhe Perëndia. Por, pa u liruar ende prej këtij trishti, stendës sonë ju afrua një zonjë e nderuar e cila u shpreh fisnikërisht me dhimbje për tragjedinë e shqiptarëve të Çamërisë. Por, në çastin që pa portretin e Janollatosit në kopertinë e librit u tjetërsua menjëherë dhe u shpreh me keqardhje.

– Ah, jo, jo kështu! Nuk bën të sulmohet kryepeshkopi. Ai është njeriu i Perëndisë.

Mbeta sërish. Mirë të rinjve, po kësaj zonje të pjekur çfarë t’i thoja?! Ndërkohë që ajo u largua, mua m’u kujtua reagimi i një ish mikut tim, piktor i talentuar, i cili me plotë mllef e duf në mes të rrugës më tërheqi vëmendjen që të mos merresha me Janollatosin, pasi ai jo vetëm e ringjalli kishën shqiptare pas komunizmit, por së shpejti do t’i jepej çmimi “Nobël” për paqe! Më kot u përpoqa të kthjelloja se nuk kisha asgjë personale me Anastasin, por tek ajo çfarë simbolizonte e përcillte ai, pra tek formula e vjetër e megalaidesë, e cila si gjatë shekujve të shkuar e po ashtu edhe sot çdo shqiptar ortodoks e shikon thjesht si një grek.

Nuk ja vura fort veshin ish shokut tim, por më brente shupeja, më vinte inat me veten, nuk arrija të kuptoja se si ishte e munduar që një numër intelektualësh ortodoksë shqiptarë, (këtu nuk e kam fjalën për shpurrën gjakprishur e të shitur me para që i vete pas Janollatosit) nuk arrijnë dot të bëjnë diferencën mes Autoqefalisë së Nolit dhe të Anastasit!

Por le t’i kthehemi sërish Panairit të librit. Në vitin 2011, atë do e vizitonte vetë Anastas Janollatosi. Ai u shfaq befas në katin e e dytë të sallës së Pallatit të Kongreseve me veladonin e tij të zi. Një shpurrë e tërë si gjithmonë e ndiqte nga pas. Në dorë mbante një shkop të grinjtë që nuk di përse më dha idenë se ishte pikërisht ai që pati mbajtur mbi dyqind vjet më parë vetë Kozma Etoliani, babai i tij shpirtëror. U shqetësua ime shoqe që u shpreh:

– Beni, Janollatosi!

Anastasi na ndiqte si rastësisht nga lart. Megjithatë nuk qe e vështirë të kapje irritimin e syve të tij të pangjyrë. Për të qetësuar time shoqe thashë:

– Mos u shqetëso. Ai s’ka kurajë të vijë këtu, pasi e di mirë se çfarë është në thelbin e tij.

Natyrisht, Anastasi jo vetëm që s’erdhi poshtë, por nuk u duk më në Panairin tonë. Por më e hidhura ndodhi më vonë. Nuk kishin kaluar akoma dy tri muaj, kur nga njëra prej librarive më kryesore të Tiranës, libri “Djaj në Veladon” çensurohet si në kohën e diktaturës. Ai hiqet nga raftet e saj. Por më e dhimbshmja ishte kur e pyeta drejtuesuin e saj për shkakun e çensurës. Ai m’u përgjegj se sipas protestës së pesë apo gjashtë shokëve të tij ishte i detyruar ta hiqte. Nuk e pashë të arsyeshme të reagoja. Ika duke i lanë një libër në tavolinë me mendimin që ta lexonte atë me idinë se cila Kishë Autoqefale ju duhet sot shqiptarëve ortodoksë. Ajo e Fan Nolit apo ajo e Janollatosit?