Andrea Stefani/ Grekët i kërkojnë qeverisë “Rama” të bëjë vetëvrasje politike

644
Sigal

Evanggelos Venizelos, ministër i Jashtëm i Greqisë, tregon mungesë të theksuar logjike dhe takti diplomatik kur i kërkon qeverisë shqiptare të firmosë paktin për kufijtë detarë me Greqinë me termat e marrëveshjes së firmosur më parë nga qeveria e Sali Berishës. Sepse një gjë e tillë do qe vetëvrasje politike për qeverinë e Edi Ramës që, sa qe në opozitë, e ka denoncuar këtë marrëveshje si tradhti të interesave kombëtare. Prandaj e dërgoi edhe në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Berishës me grekët që u shpall antikushtetuese nga kjo gjykatë. Prandaj edhe tani, qeveria i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë mbi shkeljen e ligjit nga negociatorët e marrëveshjes në fjalë. Praktikisht Venizelos i kërkon Ramës të firmosë sot atë që dje e denoncoi si tradhti kombëtare! Pra të bëjë një akt antikombëtar. I thotë, gjithashtu, të respektojë një marrëveshje që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuse! Pra të bëjë diçka antieuropiane duke vepruar në kundërshtim me një vendim gjykate! Dhe të gjitha këto nën shantazhin e butë dhe të nënkuptuar të mos dhënies nga Greqia të votës për hapjen e negociatave. Nuk ka as logjikë e as diplomaci në këtë qëndrim të diplomacisë greke!