Andrea Petromilo/ Toka e dikujt, e askujt e tjetërkujt…

540
Sigal

Paradoksale çështja e tokës në zonën e bregdetit (nënkuptoj krahinën e Himarës!). Prej tashmë njëzetekatër vjetësh, ose më saktë pas konfirmimit të ligjit famëkeq 7501, ky problem mori karakterin e një legjende absurde, që kurrë s’do gjejë zgjidhje, paçka, edhe nëse do marri formë të prerë ndonjëherë, përsëri në shpirtin e mendjen e njerëzve të kësaj zone (që mbetën me gisht në gojë!) kurrsesi gjurmët e kësaj fabule s’do fshihen e as do humbasin. Nëse do t’i referohemi situatës së sotme, mund ta perifrazojmë me  thënien e popullit: Ku ishe, hiç gjëkundi. Me pak fjalë, deri më tashti, çështja e tokës në bregdet (Himarë) ka mbetur enigmë: S’ka asnjë shpjegim,  askush nuk e di çfarë zgjidhje do marri dhe kur, pasi s’ka asgjë në dorë për tokën e tij( ish e tij!), përveç një dokumenti që i jep të drejtën në përdorim ( por ama, jo të gjithë atyre që e dorëzuan ,gëzojnë një gjë të tillë (!) por ata që u gjendën aty kur u “çliruan!”. Lind pyetja: A është rikthyer toka atij që i takon? Dikur toka ka qenë e dikujt, pra e ka pasur një pronar, i cili e punonte, e mbante tokën të gjallë dhe ushqehej mjaft mirë prej saj. Dihet se tokat e bregdetit kanë një veçanti nga zonat e tjera të vendit, e aq më tepër nga zonat fushore, që jo vetëm në një pjesë të madhe për tu intensifikuar,  në periudhën 1945-1990,investoi shteti, por dhe se me një vizore në hartën kadastrale mund të kuadratohej e ndahej mrekullisht. Që ta kthenin tokën e bregdetit  në atë gjendje që e njohim , dhe më saktë në atë gjendje që e “dhuroi” tokën bregasi për tu bërë e të gjithëve, nëpër vite e shekuj banori i asaj treve theu shkëmbinj, hoqi mënjanë gurë e harca, ndërtoi me to ledhe të qëndrueshme, pastroi dheun e yndyrtë nga rrënjishtet e shkurishteve e guralecët, mbushi me durim, djersë e duar të gjakosura gjithë hapësirën brenda ledhit dhe mbolli ullirin, agrumin, frutin, e çka mundi. Kujdesej ai ndër vite që ta plehëronte dhe t’i shtonte pjellorinë. me pak fjalë e begatoi atë “Oaz”, për të mbajtur familjen e ndritur jetën. Mund, djersë, gjak dhe së fundi buzëqeshje e kënaqësi, gjithçka ishte transformuar në një kopsht të gjelbëruar më bimësi të shëndetshme. Kështu “ udhëtonte” kjo legjendë e tokës në ato brigje. Pra, Zoti i fali klimën dhe njeriut i dha mendjen e vullnetin për t’u binjakëzuar këto dy element, që as njeri e as tjetri të mos “humbitnin vlerën”. E ndërsa para disa kohësh, me një grup për efekt statistikor na duhej të intervistonim një pjesë të mirë të familjeve bregase, askush nuk u përgjigj saktë se cila ishte toka e tij, sa rrënjë ullinj e fruta kishte, sa sipërfaqe mbillte me perime, sa plehëronte, sa ishin livadhe e sa kullota… etj., etj.. Madje, shumëkush prej tyre shpreheshin se tashmë toka ishte e tjetërkujt, e sa për agrumet e pemët frutore ishin degraduar e s’ kish mbetur gjë në këmbë, për veç ullirit, me gjethen që venitet, e që ka rezistuar fal aftësisë së vet biologjike, por dhe atë  tashmë e “ vret”  betoni. Me një fjalë  toka nga e dikujt, u bë e askujt (e të gjithëve!) dhe tashti e tjetërkujt. Kësaj pyetjeje i përgjigjeshin me kënaqësi vetëm ata që: ose ishin ardhës aty (dhe ardhës ishin pas viteve 1960, madje, të rekomanduar për blegtor, pasi vendasit, djemtë e vajzat, ishin arsimdashës e shkonin me studime ose kishin zbritur në qytetet e ndryshme të vendit me punë mekanike, shoferë, d.m.th zanatçinj etj.!) dhe  malli- gjëja e gjallë kish mbetur pa çoban,  blegtoria s’kishte blegtor. (Me një fjalë ardhësit, në më të shumtën e rasteve, kishin plotësuar  profesionin vakant të blegtorit!) . Kategoria e dytë ishin ata që “dembelizmin” e kishin në gjak dhe nuk kishin thuajse fare toka ose kishin fare pak të trashëguara. Dhe rasti i tretë ishin ata që  kishin “shtrirë krahët” (falë pozitës në momentin e ndarjes!) dhe kishin rrëmbyer aq sa u kish dashur oreksi, e tashmë s’mund t’i prekte kush! Por ajo që të bie në sy menjëherë ishte se të gjitha tokat (gurat- siç thuhet në gjuhën e vendasve!) kishin toponimin përkatës, të pronarëve që e kishin trashëguar prej vitesh. Pikërisht këtu nis paradoksi i reformës famëkeqe, që, pse të mos e themi drejtë, jo vetëm se ka ngjallur pakënaqësi që vijon prej kaq e ka vjetësh demokraci, e për këtë arsye toka ka mbetur jerm, po degradohet nga dita në ditë, por ka sjellë dhe konflikte të gjithfarëllojshme, madje deri brenda familjes. Dhe pse? E shpjegueshme thjesht. Së pari toka e dikujt, u bashkua me tërësinë. Bukur! Ishte ligji. Sistemi i atëhershëm  që premtoi te prona kolektive, eci si eci, por kurrsesi nuk e shkatërroi tokën, por përveç mirëmbajtjes së ledheve, përmirësoi sistemin e ujitjes, etj, që s’është vendi për t’i trajtuar, por thelbësorja është se kur u dorëzua diku u shënuan, se sa dhe ku e kishte secili, në një regjistër që çdo fshat (këtu nënkuptoj shtetin!) në arkivat e veta sigurisht që i ruajti. Përpos kësaj hartat ishin më se të sakta pasi u kryen studime agrokimike e pedologjike etj dhe në kadastër të çdo rrethi s’ mungonin. Atëherë lind pyetja: Pse nuk  iu kthyen të zotëve sipas këtij regjistri? Së dyti një familje kishte disa pjesëtar, por dikush nga ata, i “imponuar” nga shteti për të kryer diku një detyrë u largua. Atëherë ai s’ka pse të quhet “i humbur” nga trungu i familjes dhe as nga identiteti i fshatit. Ai, pra, inxhinieri, agronomi, mësuesi, filozofi,ushtaraku, mjeku… shkoi me detyrë, por dhe ai që u largua me dëshirën e tij për gjetkë, diku mori një shkresë, ndryshe nuk mundej të lëvizte nga fshati dhe atje ku shkoi bëri një detyrë, një punë…që përveç rogës nuk gëzoi gjë tjetër. Atëherë pse dhe këta të mos trajtohen si pjesëtari tjetër i familjes që i ra fati të punonte në fshat? A nuk dhanë të gjithë këta kontributin e tyre dhe s’u shpërblyen?! Dhe në bazë të arsyetimit të ligjit famëkeq, ata fshatarë tashmë bëhen “të pasurit”, “agallarë”, “çifligarë”, “ pasunarë”,apo  quaji ç’të duash, pasi kanë marrë tokat e sojit e të sorollopit dhe u “ zgërdhihen” atyre që ende vetëm toponomia  e ngastrave u ka mbetur  si “vula e skllavit” në shpinë. Një paradoks tjetër, derivat  i të parave ishte se gjoja s’ kish zgjidhje për ata të ardhurit? Unë mendoj se kishte dy zgjidhje në mos më tepër. E para  atyre u shtrohej pyetja nëse kishin dëshirë të ktheheshin në trojet e tyre ku do merrnin sipas trashëgimisë pronat që u takonin, dhe e dyta, nëse dëshironin të qëndronin aty ku u punësuan sipas kërkesës së dikurshme nga kryesia e kooperativës, t’u jepej tokë në mushat e fshatit dhe s’kishin pse të ngatërroheshin me pronat e pronarëve të dikurshëm  siç edhe u bë. Gabim trashanik, ose i qëllimshëm për të krijuar anormalitet dhe grindje që s’do shuhet kurrë. Por ka dhe diçka tjetër në këtë mes. Të gjithë të ardhurit në breg, kanë pronat e tyre në vendlindjen dhe i gëzojnë dhe atje në bazë  të ndarjes që është bërë. Por ka dhe diçka që stonon me logjikën dhe mendësinë më të mirë. Duke qenë se në vendlindje trungu familjar nuk është ndarë (si gjendje civile certifikata familjare), e njëkohësisht një pjesë e trungut edhe pse jeton,  punon, e ka shtëpi në vendlindje, është futur pjesëtar dhe në fshatin ku është zhvendosur një pjesë e trungut (ardhur në bregdet!), çudi! Dhe askujt nuk i ka shkuar në mendje kjo (!) dhe as që i shkon nëpër mend për ta verifikuar e për t’i dhënë zgjidhje (zgjohu, o kryeplak!). Një katrahurë e vërtetë ky ligji 7501! Banorët e fshatit ende i njohin kufijtë, ngastrat, toponimet! Po përse duhet  që të rikthehen me njëmijë e një mundime, kur u dorëzuan thjesht me një firmë! E përsëri fjalë e “mirë” e gurë në trastë!? Qoftë dhe me 7501 një sërë dokumentacionesh, që sigurisht, pa qenë fajtor pronarët e dikurshëm, administrata e dikurshme ndoshta i ka lënë me ndonjë pasaktësi(!)? Atëherë le të ngrihej  një komision që të vepronte në bazë të njohjes dhe pastaj të shtrihej në kuvendin e fshatit për zgjidhjen përfundimtare, por duhet që pronari që dorëzoi gjithçka, të blejë e të riblejë tokën e vet e të presë vite që të zgjidhet e të harxhojë qimet e kokës? Në një takim me deputet, mes të tjerash, shtrova një pyetje: Ky  ligj famëkeq u aprovua në kuvend me një ngritje dore. Kur ka një sërë të metash që të çojnë deri në vëllavrasje, (flas gjithnjë për bregun!) a nuk mund të zgjidhet (një zgjidhje specifike!), me një ngritje tjetër të dorës? Jo? Pse? Ndryshe toka që iu mor atij që e kishte fituar në fushë a gjetkë përmes shfrytëzimit të punës së të tjerëve e ndryshe në breg, ku bregasi e mblodhi grusht e nga një grusht, e krijoi brezaren. Por paradoksi tjetër është se tokën e dikujt tashti e gëzojnë “çifligarët e rinj” që kanë marrë porcione të mëdha, pasi gëzojnë  e pajisen me tokë dhe ata fëmijë që janë në rritje  dhe të porsalindurit( hap gjendjen civile!), “që kanë derdhur lum djerse e gjaku për ta hapur e selitur atë tokë!” Mjerë mendjes  që e formuloi atë ligj dhe fatkeqësi kush nuk e rishikon këtë paradoks që u bë legjendë.