Andrea Petromilo/ Fushatizmi, panik apo ndërgjegjësim?

593
“Frika ruan vreshtin” thotë një urti e popullit. Kam bindjen se urtitë, kjo mençuri e ekstraktit filozofik jetësor, asnjëherë nuk e humbet aktualitetin. Në kohështrirjen e tyre sigurisht që mund të pësojnë ndryshime lidhur me interpretimin, por kurrsesi thelbi i tyre nuk ndryshon. Dhe urtia e më sipërme s’ka si t’i shpëtojë këtij lloj aklimatizimi, domethënë, përshtatshmërisë, por në asnjë mënyrë s’ka si të zvetënohet esenca, thelbi i saj. E nëse flasim për thelbin, duke operuar mbi të, nënkuptojmë ligjin, zbatimin e tij! E kush është ai njeri, jo vetëm në konturin që quhet Shqipëri, por në krejt globin, që nuk kërkon zbatimin objektivisht të ligjit? Pra, themi objektivisht, ndërgjegjia ka kaluar në procesin e katharsit, është zhveshur prej subjektivizmit dhe “infeksioneve”, që derivojnë prej tij. “Qiqra në hell”, mund të shprehet shumëkush. Sigurisht! Sepse kjo që shtrohet është krejtësisht e pamundur, është absurditet, është utopi. Por…Kur kjo urti pa dritën , dhe vijon të udhëtoj nëpër kohëra, s’ka si të mos ketë pasur një taban, që e polli, atë të zbatimit të ligjeve me korrektësi, pa anësi nga ato “organe ligjvënëse vendore” të periudhës përkatëse, të atyre kuvendeve pleqnore, që nuk e “ndynin” fijen e mustaqes për hir të interesit të vet, por fjala e tyre peshonte aq sa nuk e tundnin prej vendit dhjetëra burra të tjerë me mustaqe. Fenomeni, pasi ishte bluar mirë e mirë në mendjen e tyre, atëherë kërcente jashtë dhëmbëve mendimi e vendimi. Nëse nuk do të ishte ky ndërgjegjësim, s’do kishte vlerë fjala dhe atëherë kuvendet pleqnore s’do të mundnin të “udhëhiqnin” komunitetin e fshatit apo të krahinës…; s’do mund të ngrinin në këmbë, në momentet kulmore për fshatin, krahinën apo atdheun, e të rrëmbenin armët për të mbrojtur nderin, dinjitetin apo kufijtë, nëpër rrjedhën e viteve. Historikisht njohim shembullin model të funksionimit të tyre, pa qenë e nevojshme ushtrimi i dhunës, i diktatit… U zgjata paksa në këtë për të treguar se zbatimi objektiv i ligjeve ndërgjegjëson masën dhe lehtëson punën drejtuese…E nëse koha ka avancuar kaq shumë, teksa niveli kulturor, shkollimi, njohin një diagramë befasuese ngjitjeje, pa nënvlerësuar gjithashtu dhe kontaktet me kulturën botërore që ka penetruar e rregulluar klimën, atëherë mendësia e ndërgjegjësimit të masave, pa asnjë alternativë, duhet të jetë( është!) në stadet më të larta…se sa të dyqind apo njëqind viteve më parë. Por a ndodh kështu në realitetin që jetojmë? Mendoj se treguesi i ndërgjegjësimit në gjithë shkallëzimin e vet stonon. Jo vetëm “ Fija e mustaqes”, por krejt” mustaqja” është fëlliqur. Për pasojë humbet respekti për atë që të drejton, për atë që vendose në krye, që objektivisht duhet të kujdeset për ty, për popullin, për komunitetin…! Pra, ky respekt është përdhunuar nga vet ata ligjvënës dhe ligj zbatues …Gjatë këtyre dy viteve të fundit, fill pas avullimit të periudhës tetëvjeçare (drejtoi e djathta!!) e po të shtyhemi më tej, në tranzicionin 25-vjeçar, kërkohet të vendoset shteti ligjor. Bukur! Por ,si ? Qysh? Çorapja është shthurur plotësisht!? Hendekut iu erodua kaq thellë shtrati sa ka arritur në palcë të nëntokës?! Përsëri i referohemi një urtie që thotë: Tashti do “t’i bie samarit se nuk kam ç’ ti bëjë gomarit”. Sigurisht, që “s’ka ç’i bën gomarit, pasi me gomarin kanë ngrënë në një grazhd!”. Po të ishte ndryshe nuk do frikej për ta vënë para përgjegjësisë, por do t’ia rrëmbente nga duart “tepsinë” e do t’ia hiqte një nga një” petët lakrorit”. Duke mos mundur të bëjë këtë, ngre “furtunat” e fushatizmit…mbi të pafuqishmin, mbi të paorganizuarin, mbi popullin e shumëvuajtur, duke mbjellë panik. Pra, ky shtet, që sipas mendësisë së funksionimit, duhet të mbrojë qytetarin, që i dha karrigen për ta drejtuar e kujdesur, ka ngritur kërbaçin e i bie dhunshëm shpinës së popullit, me motivin se ka zhvatur shtetin padrejtësisht, duke dëmtuar arkën dhe tashmë… arka duhet mbushur! Kush e dëmtoi arkën dhe përse? Përse? Ishte ai që e krijoi alalumin? Apo u krijua shtrati që të merrte “rrugën llurba”? Shteti, që drejton veten, që kujdeset për veten, që i vë fortesa për ta bërë më qëndrueshme karrigen, që ia “dhuruan”, u turr pas vjedhjes, u dha pas korrupsionit, duke e lënë “kalin” që të “kullosë” nëpër livadhe hergjele…Pra, shteti u mbyll në kullën e vet të fildishtë, që të miklonte qetë veten dhe harroi se jashtë saj kishte një popull, që priste në ankth për të parë një “qiell të kaltër”…Dhe papritur nisi fushata e “shkopinjve”pa pyetur se ku e zë, në shpinë, në brinjë, në kokën e pambrojtur… U tkurr e u mblodh frikshëm… Pyesim, si mund t’i biesh biznesit të vogël kur ai kërkon, pa të rënë në qafë, që të mbijetojë? Kur ti, qeveritar, që na paske bërë “vezën e kuqe”, rron në komoditet e luks, madje, siç shpreheni dhe vet, me gojën tuaj, nëpër salla e media, për miliona e miliona dollarë e euro, që fluturojnë e gjejnë folenë nëpër xhepat tuaja? S’të mjafton rroga e majme, por organizon fushata tenderash e i jepen atij që të shërben? Sigurisht që shpërblimi, për mirësinë, serviret me “kafen e majme”, ndërsa pa ndrojtje, me “ndërgjegjen e atij që kryen mirë detyrë!” kërcënoni qindarkat e bukës së gojës të biznesit të tezgave, të biznesit të vogël? Dhe s’duhet të harrojmë, që pjesa dërrmuese e atyre që kanë këto lloj biznesesh janë të rinj e familjarë të pikur! Janë të rinjtë që përpiqen të mos jenë frekuentues të rrugëve e kafeneve, janë ata që nuk duan të miqësohen me vesin e keq, janë ata që u kthyen nga rrugët e mërgimit dhe kërkuan të thurnin ëndrra në vendin e tyre. Dhe ti qeveritar, që tu dha në dorë dhe guri dhe ara, vret, pa ndrojtje, me koshiencë, ëndrrën e rinisë, duke u treguar udhët…, udhët e botës, që Shqipëria të “ plaket” para kohe, e ju të jeni agallarët e paprekshëm me njëqind saraje. Kur ti, shtet, nuk i siguron asgjë, as punësim e as strehim e asgjë, asgjë…, atëherë përse e hedh në rrugë? Me ç’të drejtë ua shkatërron ëndrrën? Përse bëhesh promotor i debatit të pashmangshëm familjar dhe pastaj, ai, i riu, detyrohet të marri rrugën e moskthimit jashtë kufijve? Ose, në pamundësi për këtë, hidhet në vese, që problematizojnë jetën e përditshme…? Tjetër ndjekja e përditshme e me kritere e problemeve që ngrihen për bizneset apo në aktivitetet e ndryshme, e tjetër fushatizmi. U bë një fushatë mbi energjinë elektrike. Masa nga më monstruoze u morën. Nisën ovacionet dhe mediat propagandonin realizimin e tejkalimin e të ardhura në arkën e shtetit: E kujt shteti? Atij, që nga njëra anë futen e nga ana tjetër zbrazen, si në një thes pa fund? U ndëshkua populli, por s’u ndëshkuan ata që i marrin paketat të gatshme. Mundej t’i faleshin popullit, qoftë dhe me përqindje, por ajo mund të zëvendësohej më ato miliona e miliarda që s’u dihet adresa( u dihet, sigurisht!!) se ku kanë shkuar. Ose, duke ia marrë popullit në kohështrirje, paçka se situata e krijuar pa pasur tërësisht faj u ndëshkua si fajtor i bindshëm !! Nisi fushata e tatimeve , por ama mbi biznesin e vogël, pasi ata, që kanë aksionet dhe pasuritë gjigandeske, nuk preken. U hap sezoni turistik verës që sapo kaloi. Veç të shikoje, qysh ditën e parë që u hap, sikur të startohej, u derdhën grupe tatimore si “furtarie mbi rërë” dhe mbyllën e ndëshkuan bizneset e vogla, kurse ato, që kanë shtrirë krahët e kanë pushtuar gjithë detin e plazhet, as që u luajti qepalla. Vazhdon ende tatimi mbi biznesin e vogël, madje dhe mbi tezgën apo një fastfood, që mezi merr frymë. Nuk themi që ato të mos tatohen, por a është bërë një studim mbi ecurinë e tyre faktike? A janë ulur “ shkencëtarët” e ekonomisë në tavolinë dhe të gjejnë ekzaktësisht se cili duhet të jetë detyrimi i secilit ndaj shtetit, që , të paktën dhe atij që i bie bretku gjithë ditën, të ketë ç’ ti çojë familjes? E përveç kësaj ai mban me bukë dhe një apo dy familje të tjera? Pra, pa parë rentabilitetin e tyre, si mund ta tatosh një biznes që me normat që ti u ke vënë nuk përbën, me sa na thonë, rreth 4 % të të ardhurave në sferën e ekonomisë? Që ndërkohë i shkarkon shtetit, qeverisë një pjesë të barrës së papunësisë? Shteti, qeveria nuk është e aftë ta mbulojë papunësinë qoftë dhe me asistencën e turpshme që jep (!!). Atëherë, përse këta “të ditur”, ministra e nëpunësish me njëqind diploma(!!) nuk marrin mundimin t’i japin zgjidhje këtij problemi? A nuk mund t’ i ngarkojnë biznesit të vogël një kuotë vjetore taksimi që të jetë sa më optimale për atë lloj veprimtarie, duke bërë të mundur shmangien nga fushatizmi e një sërë vështirësish, si burokratizimin e fenomenit, i korrupsionit në administratën përkatëse, pakësimin personelit të mbingarkuar administratës përkatëse dhe njëkohësisht arkës së shtetit sistematikisht i vijnë të ardhurat duke e ndërgjegjësuar individin. Nëse bota ka arritur deri më këtu të ndërgjegjësoj bizneset, nuk e ka bërë me shkopin magjik, e as me fushatizëm që ngre panik, por gradualisht dhe toleranca nuk ka munguar…Si mund të pretendosh të arrish botën, apo të ecësh me hapin e saj, kur ende je në shpërgajë, kur ende ke një popull nën kufirin e skamjes. Them nën kufirin e skamjes, pasi ke një masë të madhe të familjeve që rrojnë me një asistencë qesharake, ke një popull që nuk ka të paguaj as dritat dhe ujin, kur ke një popull që kërkon të braktisi vendin për një jetë më të mirë. Pa dashur të bëjë analogji, por kur kërkohet të analizosh diçka, është i pashmangshëm referimi, ballafaqimi. Nëse sot, pas njëzet e pesë vjet demokraci të quajtur (!), lind pyetja se si shfrytëzohen pasuritë e vendit, si ato nëntokësore e ato mbitokësore…? Kur dikur ndërtoheshin fabrika, uzina, pallate e spitale, shkolla e rrugë, kur mbaheshin shkollat e universitetet nga shteti, kur spitalet gjithashtu, kur administrata gjithandej po kështu, etj.. etj… ,kur sot këto nuk i mbart mbi shpinë me të njëjtin koeficient qeveria, ku shkojnë? Përse u mbyllën minierat dhe përse ato shiten tek të huajt pa kritere fitimprurëse për rritjen e mirëqenies së popullit, por përmes një firme “të agait”, lumi i të ardhurave s’dihet ku e ka “derdhjen” (depozitimin?!). Flitet gjithandej, në media, në kuvend për bërje “krahë” të miliona e miliona eurove, që kishin si burim pasuritë e popullit. Vete qeveritarët e deklarojnë. Nëse është kështu ( dhe kështu është!!) , përse “në emër të popullit” nuk u gjendet vendi dhe jo vetëm, por të sekuestrohen paratë, pasuritë e gjithçka që është krijuar pa djersën e ballit. Atëherë s’do jetë e nevojshme që ndaj biznesit të vogël të ngrihet furtuna e fushatizmit duke kërcënuar me shkopinj mbi shpinë, por mund të gjenden rrugë më efikase për të vjelur aq sa mbajnë këllqet e tij. Se fushatizmi asnjëherë nuk sjell ndërgjegjësim përveç panikut. Se të ndërgjegjësohet një popull duhet që ai që e drejton të ketë ndërgjegjen e tij të pastër, që mustaqen, jo fijen e mustaqes, të mos e ketë të përlyer, atëherë sigurisht që urtësia “frika ruan vreshtin” do ketë filozofinë e vet të qartë, bindëse…
Sigal