Andon Dede, Nju York

585
Sigal

A e meritojmë statusin?

Kur shkova për herë të parë në Itali, në një konferencë ndërkombëtare, në Montesilvano, krahas kënaqësisë që ndjeja tek shijoja komoditetet e atjeshme, duke filluar nga infrastruktura moderne, bollëku i tregut e shërbimet e kulturuara në hotele e restorante, për asnjë çast nuk më hiqej nga mendja vendi im që kisha lënë pas. Sado që përpiqesha të mos e shfaqja brengën që më mundonte, herë pas here, dashje apo pa dashje, kolegët e atjeshëm më “kapnim mat”, tek më shihnin të mërzitur, qoftë edhe në momentet më të gëzueshme që na krijuan gjatë ditëve të konferencës. Pyesja veten: “Ç’i kemi bërë Perëndisë që na ka lënë kaq pas, në çdo gjë, absolutisht në çdo gjë?!”

Me siguri, nuk duhet të jenë të paktë ata që thonë se tani, pas dhjetëra vjetësh të ndërrimit të sistemit, edhe ne kemi realizuar transformime të atilla me të cilat, në mos të krenohemi të paktën të mos na skuqet faqja tek përballemi me botën. Unë edhe jam dakord, edhe nuk jam dakord me një pohim të tillë. Që janë bërë shumë gjëra, në të gjitha fushat, kjo as që vlen të diskutohet. Por, problemi duhet parë shumë më gjerë: në kushtet e reja që krijoi pluralizmi, me një klasë tjetër politike, më të ndershme e sidomos, më të përkushtuar ndaj halleve të popullit, a mund të ishin bërë shumë më tepër? Përgjigja ime është e prerë: PO! Një “PO” e madhe, duan ta pranojnë, duan mos ta pranojnë të tjerët, cilitdo qofshin ata. Por shtjellimi i kësaj çështjeje, nuk është objekt i këtij shkrimi, ndaj le të kthehemi për pak minuta tek përjetimi i dyfishtë i imi në Montesilvano të Italisë. E kisha fjalën tek dhimbja që ndjeja për vendin tim dhe kënaqësive që na kishin krijuar mikpritësit e sidomos tek keqardhja që ndjenin edhe ata tek më shihnin mua të mërzitur. Jo njeri, por disa prej tyre, më thoshin: “Mos u mërzit, edhe ju do të bëheni si ne. Edhe ne nuk kemi qenë kështu siç po na sheh, por hyrja në Bashkimin Europian i dha impulse të fuqishme zhvillimit tonë…Kur të hyni dhe ju aty, do ta shihni se shumë shpejt do të ndryshoni për mirë në të gjitha drejtimet…”.

Për hir të së vërtetës, apo për ta çuar edhe më tej diagnostikimin e tyre, më duhet të them se të njëjtën gjë ma thanë edhe disa miq grekë kur shkova me shërbim diku matanë Selanikut. Le të bëj edhe një parantezë tjetër, për të mbështetur hipotezën apo argumentimin e tyre. Jugu i Italisë, para apo dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk ka qenë shumë larg nesh. Mjafton të lexosh “Krishti u ndal në Eboli” të Karlo Levit, që në shqip ka ardhur me titullin “Tokë e mohuar”. Ose, le të kujtojmë Greqinë e pas Luftës që, si të mos i mjaftonte ajo që bëri ndaj pushtuesve, u shkatërrua mes vetit në një luftë absurde civile, që i detyroi mijëra e mijëra grekë të provonin shijen e hidhur të emigracionit, përfshi edhe vendin tonë, sado e çuditshme të duket. Por le të vazhdojmë me temën që nisëm.

Pra, nga gjithë sa thashë më lart, krijova mendimin se po të mundnim edhe ne të hynim në BE, do të kishim zhvillime të vrullshme. Pse jo? Ç’kishin më tepër të tjerët që ia kishin arritur kësaj, veç disa parakushteve gjeostrategjike, që nuk vareshin nga popujt përkatës? Në të kundërt, neve, që kishim vuajtur aq shumë, nën një diktaturë që s’e meritonim, na duhej dhënë dora e ndihmës e të pranoheshim sa më parë në BE, për të dalë nga mjerimi shekullor që na detyroi të ringjallnim eksodet biblike. Unë e konceptoja, pse jo, edhe e konceptoj akoma, hyrjen në BE, si funksionim të enëve komunikuese: ecin të tjerët, do të ecnim edhe ne. Pranimin në BE, qofsha i gabuar, e vlerësoj më shumë se anëtarësimin në NATO, e shoh si një mundësi zhvillimi konkret e të vrullshëm, që ne si popull e meritojmë për njëqind arsye. Duke qenë kështu, pse na kanë kthyer disa herë e rrezikohemi edhe tani të mos na pranojnë, jo më në BE, por që të futemi në radhë e të presim për të hyrë, një status ky që të tjerët e kanë gëzuar me shumë më pak përpjekje e sakrifica, po për ato arsye gjeostrategjike që përmendëm më lart?! Kuptohet se këto i shtroj si pyetje retorike, se përgjigja është e qartë për këdo që merr vesh nga politika. Ata, drejtuesit e BE-së, nuk ta hapin kollaj derën po nuk plotësove kushtet, që janë thënë e stërthënë nga media e politikanët tanë aq shumë deri në mërzi. Pra, kemi një kontradiktë të madhe: si popull e meritojmë, por kushtet për të hyrë nuk i plotësojmë. Pse? Se ata që na kanë drejtuar e po na drejtojnë, duke parë thjesht e ngushtë interesat e tyre, pak e kanë çarë kokën për të ndryshuar në ato drejtime që kërkon BE-ja. Pra, duam apo nuk duam ne, po qe për kushtet e vëna, siç thashë një “PO” të madhe për popullin që e meriton, kam guximin të them një “JO” po aq të madhe përsa i përket klasës drejtuese të vendit apo thjesht politikanëve tanë, duke filluar nga pushtetmbajtësit e rangjeve më të larta e deri deputetët e drejtuesit lokalë. Këtu nuk shtrohet problemi i perceptimit tim apo i dikujt tjetër, por janë simptoma e shkaqe që ia bëjnë “muuu”, siç thotë populli. Ne kemi një pozitë e opozitë që jo vetëm nuk merren vesh midis tyre, qoftë edhe për probleme madhore kombëtare, por që e shohin njëra- tjetrën, si dy grupe armiqësore, gati t’i ngulin thikën prapa shpine, siç nuk ia kanë kursyer sharjet apo dhe grushtet. Ne kemi akoma nivelet e krimit e të korrupsionit nga më të lartat në rajon e më gjerë. Ne kemi sistemin e drejtësisë më të korruptuar që mund të përfytyrohet. Krime e korrupsion ka kudo, por tek ne këto kanë përmasa e nivele rrëqethëse. Nuk e vlen të zgjatemi me tërë ato kushte që na kërkojnë ata e që ne nuk i plotësojmë dot. E di se s’po them ndonjë gjë të re, por sa ç’do të gëzohesha sikur të na lejonin të futeshim në radhë, aq edhe më shtohet urrejtja për klasën tonë politike, të të dy krahëve, që direkt apo indirekt, kanë bërë e po bëjnë ç’është e mundur për t’i vënë stërkëmbësha njeri-tjetrit, duke bërë të pengohen, të rrëzohen e të vuajnë jo opozitarë e vet, por populli i thjeshtë që meriton të kundërtën.

Duket sikur nuk i është dhënë akoma përgjigja pyetjes që vura edhe në titull, por nuk është ashtu. Ekuivoku i lindur me këtë rast, është më se i qartë për këdo, edhe për ata që e kanë shkaktuar këtë gjendje, edhe për ata që po e vuajnë. Mund të shpresohej se eurodeputetët që do ta shqyrtojnë kërkesën tonë, do të vënë dorën në zemër e do të mendojnë për popullin dhe jo për një grusht pushtetarësh që e kanë vënë poshtë atë e po i marrin shpirtin, edhe pse u bënë kaq vjet që mezi shpëtuam nga diktatura e mëparshme. A thua se do ta bëjnë këtë kësaj radhe? Si zor ta besoj. “Pse?”, – mund të pyesë me të drejtë dikush. Po e them fare troç e pa doreza: Se e kanë treguar veten deri tani, edhe ata, që as duan t’ia dinë fare se ç’heq populli i një vendi tjetër, mjafton të mos prishet rehati i tyre apo dhe i popullit që i ka ulur në ato karrige.