Andon Dede/ Një skaner i shpejtë pas-zgjedhor

556
Një çerek shekulli më parë, si zor të ketë pasur njeri me mënd në kokë që të parashikonte se edhe tani, për sa i përket zgjedhjeve, do të ishte po ai polarizim i skajshëm, po ato ulërima të liderëve, po ato premtime të gënjeshtërta, po ajo turmë që i ndjek pas nëpër mitingje, edhe pse në më të shumtën e rasteve në mos në të gjitha, e di se po e gënjejnë dhe po e marrin me të mirë sa për t’i rrëmbyer votën.
Dhe ja, më në fund, zgjedhjet përfunduan. Vlerësime entuziaste, nga liderët e partive, nga analistët tanë mendje-ndritur, nga ndërkombëtarët që nuk i zë gjumi për ne e kështu me radhë, se ato u kryen normalisht dhe pa incidente. Vetë fakti që të gëzohemi kaq shumë që mezi po bëjmë zgjedhje normale, si gjithë bota e qytetëruar, është anormaliteti ynë më i madh që tregon se sa larg jemi ndaj botës ku synojmë të shkojmë. Njëlloj si të kalosh rrugës, pranë një gangsteri e ta falënderosh që nuk të rrahu e të vodhi. Kaq poshtë kemi rënë! 
Pjesëmarrja e ulët, sfidë ndaj politikës e politikanëve
Për pjesëmarrjen në këto zgjedhje ka dy tregues: KQZ-ja e zbret atë nën 50 përqind kurse të tjera institucione e analistë na thonë se kjo nuk është e vërtetë, me qenë se të regjistruar për të votuar janë dhe rreth një milion emigrantë. Ecë e merre vesh këtë punë. Personalisht, jam ndër ata që pjesëmarrjen në votime, në pluralizëm, e kam vlerësuar jo vetëm si një të drejtë por dhe si një detyrë e përgjegjësi. E, me gjithë se them kështu, qysh kur isha në Shqipëri, përveç dy-tre votimeve të para të Pas-Diktaturës, nuk votova më. Madje as këtu në Amerikë. Mos vallë ka një kontradiktë në mes asaj që thashë në fillim e asaj që kam bërë e po bëj konkretisht? Përgjigjen e dhanë qytetarët e fshatarët tanë, në këto zgjedhje: të zhgënjyer nga politikanët, si karrieristë, mashtrues, gënjeshtarë, mafiozë, deri edhe kriminelë në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, ata prej kohësh janë ftohur ndaj tyre, por s’kanë ç’bëjnë. E vetmja armë e tyre është vota. Dhe nuk marrin pjesë në votime. Këtë bëra e po bëj dhe unë, ndaj iu jap të drejtë dhe e vlerësoj si një tregues emancipimi. Ata e shohin se nuk mund t’i lëvizin dot nga karrigia e çimentuar e qeveritarit, deputetit apo kryetarit të bashkisë, ndaj e sfidojnë atë me mos-votimin e tyre, paçka se kjo, siç do ta shtjellojmë më poshtë, mund të çojë ujë në krahun tjetër.
Fitorja e pamerituar e të ashtuquajturve “rilindas”
Parashikimet për këto zgjedhje qenë nga më paradoksalet. Kalonin nga një ekstrem në tjetrin, një tregues plus ky për stadin tonë se sa larg jemi ndaj lirisë e demokracisë. Megjithatë, unë prisja edhe ndonjë çudi më të madhe se kjo që ndodhi. Pse e them këtë? E para : Kam parasysh kërcënimet e Ramës se do t’i linte deri edhe pa bukë “budallenjtë” që do të votonin për kandidatët e opozitës, të cilët, sipas tij, janë njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë e jo më të drejtojnë bashkitë. Mos u hiqni si trima: kur është fjala për bukën e gojës, për më tepër kur je familjar e ke fëmijë, nuk ka as trimëri, e aq më pak mund të bëhet fjalë për liri e demokraci. E dyta. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se në të gjitha zgjedhjet, PS-ja, pasardhëse e PPSH-së me emër tjetër, ka qenë përgjithësisht më e disiplinuar. Kam parasysh dy deklarata të O.Xhaçkës dhe deputetes Veizaj, të Shkodrës: “Ne i dimë, thanë pak a shumë ato, se kush do të votojë për ne dhe jemi të sigurt se do të shkojnë në votime të gjitha ata që na ndjekin, se i kemi verifikuar një për një…” Dhe unë iu besoj këtyre zonjave. Tradita e PPSH-së, qoftë në kuptimin e mirë apo të keq të fjalës, ruhet e madje përforcohet. Për më tepër kur kemi parasysh atë që është në krye të kësaj partie që, për të mbajtur dy karriget, atë të partisë e të qeverisë, është gati të bëjë të gjithçka, të bashkëpunojë e të bëjë aleanca dhe me djallin, siç e ka treguar me fjalë e me vepra tërë këto vjet. Pra, fitorja e “Rilindjes” duhet lexuar vetëm nga pjesëmarrja më e madhe e militantëve të saj dhe ata që nuk votuan janë kryesisht në mos tërësisht nga opozita apo dhe të pakënaqurit e PS-së që nuk përfituan gjë, siç kishin shpresuar apo edhe që mund t’iu ishte premtuar.

Siluret e të pavarurve
Ata e dinin që nuk do të fitonin e, megjithatë, nuk hiqnin dorë nga gara. Teorikisht apo virtualisht, unë do të isha me ata: të dy krahët e politikës sonë e kanë treguar tashmë veten se nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën apo të djathtën europiane, asnjë ideologji por janë dy grupe oligarkike e që luftojnë vetëm e vetëm për pushtet e përfitime. Të pavarurit deklarojnë se janë kundër të dy krahëve. Bukur! Edhe në Perëndim apo SHBA, ka të pavarura të tillë. Por, për Shqipërinë ky është një luks i parakohshëm. Këtë e dinë mirë edhe të pavarurit tanë ndaj, edhe ato vota që marrin, janë vetëm silure për t’i prishur punë njërit krah apo tjetrit. Konkretisht, mendoj se votat e tyre i takonin PD-së, nga që siç thamë më lart, militantët e PS-së nuk lëvizin kollaj nga istikami ku i ka caktuar komandanti i tyre.
Avazi i vjetër i ndërkombëtarëve
Ata vinë, mbushin xhepat me rrogat e fryra e me dietat e larta, bëjnë të ashtuquajturat vlerësime se “këto zgjedhje, përgjithësisht, ishin një hap përpara, por kemi dhe disa vërejtje” dhe ikin prapë andej nga kanë ardhur me xhepat e barqet plot. Ka ndonjë naiv që mendon se ata nuk i zë gjumi për Shqipërinë e shqiptarët. Fare rastësisht, kam qenë dëshmitar i një skene kur një syresh, vite të shkuara, shfaqi kënaqësinë e tij për turbullirat në Shqipëri se do t’i shtoheshin edhe disa ditë dieta(!). Nuk dua të përgjithësoj, por opinioni im për ta është tepër negativ. Pse e them këtë? Se nëse klasa jonë politike e ka treguar veten se kush është për 25 vjet me radhë, po Europa që ata përfaqësojnë, OSBE/ODHIR, etj. ç’kanë bërë në këtë çerek shekulli tranzicioni për të na nxjerrë nga kjo kënetë ku kemi rënë? 
Media, analistët e soj e sorollopi i tyre
Unë kam një mendim krejt tjetër për ato që tha kryetari i bashkisë së Elbasanit. Siç shkruante në një editorial Mero Bazja, ai, me një sinqeritet tronditës i shpjegon gazetarit, as më shumë e as më pak, një të vërtetë që ne nuk na pëlqen ta pranojmë, jo se nuk qëndron. Le të dalë një gazetar që i është kundërvënë shefit apo atij që jep paratë e që nuk ka pasur pasoja?! Fjalët e tij më kujtuan komedinë e famshme franceze “Topuzi” apo dhe dramën “Armiku i popullit”, të Ibsenit. Janë tërë ato të vërteta që ne i ndeshim përditë por, mos bësh gabim dhe i thua se e pësove. Dhe u bë gjithë ai alarm e u mbushën mediat me “mëkatin” që paska bërë ai?! Analistët tanë, me ndonjë përjashtim të vogël, janë radhitur në dy llogore. Për ta nuk ka fare rëndësi se si është e vërteta, mjafton të ruajnë pozicionin se iu ikën kocka që iu kanë hedhur e iu hedhin ata lart, pushtetarë e pronarë. Unë i kam njohur personalisht shumë syresh dhe më dhimbsen tek i shikoj se sa kanë ndryshuar. Po citoj prapë Meron: “Qazimi, me sinqeritetin e tij prej babaxhani, në fakt, na ka pështyrë të gjithëve në fytyrë për të treguar se na ka parë që kur vjen puna tek pushteti, pronarët i sakrifikojnë gazetarët Më shumë se sa ulërima ndaj Qazimit, vazhdon sinqeriteti i Meros, sot gazetarët duhet të ulërasin ndaj nesh, botuesve dhe pronarëve të shtypit, që kemi provuar se kemi bërë gjeste të tilla”. Kaq thotë Merua por unë do të shtoja se gjeste të tilla vazhdojnë të bëhen e do të bëhen, siç u pa turpërueshëm edhe në këtë fushatë që, analistë e gazetarë, në kundërshtim me ato që kishin në kokë, flisnin e shkruanin ç’t’iu urdhëronte shefi apo pronari. Turp e faqe e zezë jo vetëm për ata por për të gjithë ne ku e kemi katandisur të ashtuquajturin “pushtet të katërt”.
Haraçi i madh që do të paguajmë
Në shumë shkrime e blogje, kur flitet për problemet e Shqipërisë, lexuesit , me të drejtë, ankohen: “po mirë me kritikat, mund të jemi dakord, po ç’zgjidhje jepni?”. Edhe pajtohem me këtë kërkesë, kthehem mbrapsht e iu them atyre: Nga kjo klasë politikanësh, që kanë uzurpuar pushtetin apo pushtetet, as mos prisni zgjidhje! Populli i thjeshtë, që e vuan tërë këtë, s’ka ç’bën. Kush i bën thirrje atij që t’i heqë përmes votës, veç gënjen veten, ata nuk i lëshojnë kollaj karriget. Grinden apo dhe përleshen në Parlament apo në media etj., por nuk është e vështirë të kuptosh se ka një marrëveshje të heshtur e të panënshkruar që të ruhet ky status-quo, se ata veç fitojnë e nuk humbasin asgjë. Ndaj as që mos iu shkojë në mendje se me votime do t’i lëkundni sadopak. Duke qenë kështu, haraçi që do të paguajë ai popull do jetë jo vetëm i madh por dhe do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Mjafton të shikoni të ashtuquajturit “të rinj” që janë shumë më të etur për pushtet e përfitime se mjeshtërit e tyre që i kanë ulur në ato karrige. Disa syresh edhe e pohojnë vetë këtë, madje me një farë krenarie, a thua se ai që i’ a ka dhënë atë post është Mesia dhe jo një politikan i neveritshëm si gjithë të tjerët. Mjerë populli gjorë!
Sigal