Anastas PJETRI / 100 vjet pavarësi me kishë autoqefale …. greke

66

Para 100  vjetësh, kur Fuqitë e mëdha i  thanë Venezillosit të Greqisë  të  zgjidhte, Ishujt e Mesdheut apo Vorio- Epirin, ai zgjodhi ishujt duke thënë  se, Vorio-Epirin  e kam në xhep. Aty ishte kisha greke dhe ai kishte besim të madh. Kisha greke, “Kali  i  Trojës”  për shekuj e shekuj me radhë. Nga peshkop  Jakovi  i 1912-s,  që e ndaloi  Babain e Pavarësisë, Ismail Qemalin  të zbriste në  Durrës e deri te ky i sotmi, fortlumturia  Anastasi i 2012-s, që po e kthen Ungjillin në një vegël politike. Në  mes tyre  qëndron Pavarësia jonë 100- vjeçare. Një nëpërkëmbje, një tallje  e hapur me kishën shqiptare. Një tallje ortodokse me të krishterët ortodoksë. Ku grekët na qenkan një popull i zgjedhur, i krishterë, ungjillor dhe të tjerët, pra shqiptaret qenkan të padenjë të  kenë  një Hirësi, të zgjedhur nga  kombi i vet. Kundrejt ortodoksisë shqiptare, grekët kanë qenë vandale sistematike. Dhe ja kanë dalë në krye. Kanë  qenë të zotë për të arritur ato çfarë kanë dashur. Në vitet 1850/1851  shumë dokumente të Manastirit të Shën Naumit u shkatërruan me urdhër të patriarkut  grek. Vetë me gojën e tyre  e pranojnë  djegien e arkivave, të cilat hidhnin dritë mbi mënyrën e funksionimit  të kishës shqiptare.  Në sheshin e  Manastirit  të  Shën Naumit,  pas  shumë e shumë  urdhrave  iu vu flaka  të gjitha dorëshkrimeve, në të cilat tregohej elementi  autonom  i ortodoksisë shqiptare,  i shkëputur nga  ai i Greqisë. Kjo ishte njëra anë. Ana  tjetër  që i dha goditje  autoqefalisë në kishën   ortodokse  ishte  prania e turqve në  trevat shqiptare, të cilët e sfumuan akoma më shumë elementin shqiptar. Parimi fetar u vendos  mbi  kombësinë. Që do të thoshte. Të gjithë ata që kishin  një fe, për turqit ishin të një kombësie. Me  fjalë të tjera, të gjithë myslimanët  ishin një komb dhe të gjithë të krishterët një komb armik me ta. Nacionalistët grekë  e kapën menjëherë  këtë  parim të administratës turke, me qëllim  rrëzimin e mëtejshëm të autoqefalisë ortodokse, duke dalë me devizën. Të gjithë ortodokset janë grekë. Pra ashtu siç thoshin turqit. Ja pse shkatërrimi i Mitropolisë së Ohrit dhe djegia  e arkivave nga Kisha greke  ishte një gjëmë e madhe  kombëtare, historike për shqiptaret. Pse? Sepse  u hoqën barrierat historike/fetare  furisë helene për  të  greqizuar kishën shqiptare. Pra kemi një   Shqipëri  të  zhveshur  nga  tradita  e një   kishe   autoqefale, për aq sa ishte e mundur në  atë  kohë. Mbi të gjitha  humbën dorëshkrimet e kësaj tradite. Ishin këto arsyet që e detyruan  Fan Nolin më 1919-n  të shpallë  kishën ortodokse  shqiptare të Amerikës si kishë autoqefale. Kjo  ishte vetëm fillimi. Mbetej  akoma  që kjo kishë të futej  brenda  territorit  shqiptar, përveç  të tjerash  edhe  për të shërbyer si pengese  synimeve politike të Greqisë, e cila përdorte gjithmonë kishën shqiptare. U mbajt Kongresi  kishtar i Beratit më 1922-n  që i dha formulën  se si duhej të ishte  kleri ortodoks shqiptar. E para, kreu i kishës duhet të jetë nënshtetas shqiptar. E dyta të dijë gjuhën shqipe. E treta  të gëzojë të drejta civile dhe politike. E katërta  të jetë i racës shqiptare prei 3 brezash në Shqipëri. I tillë ishte dhe prandaj u  bë  fortlumuria e tij Visarion  Xhuvani. Ai arriti  ta vijoji traditën autonome  nga 1919/1936. Ai mundi ta shqiptarizojë kishën tonë kombëtare, për ta  shpallur  përfundimisht  autoqefalinë  shqiptare. Prandaj  s’është e vërtetë  kur thuhet se, gjoja ne s’paskemi  fare  traditë  përsa i përket autoqefalisë. Përkundrazi  duhet  thënë  me  plot  gojën, se ajo që  bëri  V. Xhuvani  dhe bashkëpatriotët e tij , sot  është  bllokuar  pas 90 vjetësh. Ne kemi  sot  një Hirësi në krye të kishës  tonë që nuk i plotëson pikat e formulës  për hierarkinë  kishtare. Të  paktën  këtë e kupton   fare mire zoti Janullatos. Kisha nuk është një vend  vetëm  për t’ju lutur zotit, por  është një vend, ku ungjilli me gjuhën e vet  tregon se si duhet  të  punojmë  për  kombin.  Mirëpo këtë  gjë s’ka se si ta kapërdijë   Fortlumturia e tij. E gjitha kjo është një aventurë afatgjatë që nuk i shkon për shtat  100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së një vendi. Një shtet i pavarur  me një kishe ortodokse  të drejtuar  nga greke. Ky është një fakt. Një fakt, madje, kokëfortë. Një  fakt  që sot përbën problem. Autonomia e një kishe nuk është thjesht çështje  vetëm e besimtarëve të saj. Autonomia  i takon, i intereson të gjithë kombit. Dhe këtu  nuk pi ujë asnjë argument që ta kundërshtojë. As ajo e ministrit tonë të Jashtëm, kur thotë se kisha është e ndarë nga shteti. Budallallëqe dhe  idiotizma. Sado ta justifikosh me  të ashtuquajtura  globalizma, integralizma e izma e izma   të tjerë. Kaloi një kohë e gjatë. Tepër e gjatë. Dhe kur kalon masa  e të zgjaturit në kohë, çdo gjë shkon në të kundërtën e saj. Çdo qëndrim i mëtejshëm në krye të kishës  është në dëm dhe  të vet kishës  ortodokse  në përgjithësi  dhe të vet z. Janullatos në veçanti. Këtu nuk kemi të bëjmë me  emrin  e nderuar të z. Janullatos. Ortodoksia shqiptare dhe qeveria jonë e kanë vlerësuar  së tepërmi personalitetin e  Anastas Janullatosit. Mbi gërmadhat  e kishës ortodokse u ngritën  gati 400  famulli. U krijua Akademia  teologjike. U bënë me shkollë  150 klerike. U ndërtuan  145 kisha të reja. U themelua  qendra   mjekësore me 24 specialitete në Tiranë  si dhe 4 qendra të tjera jashtë kryeqytetit. Kisha ortodokse organizoi edhe një program humanitar për gati 40 mijë  refugjatë gjatë luftës në Kosovë. Z. Janullatos  pati një rol të padiskutueshëm  në ngritjen e   kishës ortodokse. Një personalitet i nderuar me medalje   për kontributin e dhënë edhe për librat shkencorë dhe artikujt studimorë. Gjithsesi,  jemi në Ballkan. Sensibilitetet  fetare  sot janë modë  në mënyrën e jetesës. Feja  është  pjesë përbërëse e qytetërimeve. Dhe sot  kush ka sy  e shikon  se kemi të bëjmë me përleshje qytetërimesh. Në këtë kontekst  autoqefalia e ortodoksisë shqiptare  është më e mprehtë se kurrë. Kjo merr theks më tepër se kudo në territoret, ku banojnë shqiptarë,  si një territor  multikolor në çështjet fetare . Një komb  si ky i yni   në këtë 100 vjetor i shpërndarë  në 5 shtete, çështja fetare  është tepër e ndjeshme… E pra, për këto  më sipër  e të tjera si këto, z. Janullatos, prania e tij  e mëtejshme   e  ka kaluar masën. Madje, edhe ai vet e ka kuptuar këtë gjë. Çështja është shumë e thjeshtë. Z. Janullatos është një grek etnik, me kombësi greke. I ardhur nga Greqia, marrëdhëniet me të cilën  edhe sot e kësaj dite  janë të ndera. Lëre se ç’thotë politika  ditore, zyrtare e Athinës dhe e Tiranës. Z. Janullatos erdhi në krye  të  kishës shqiptare  duke shkelur dispozitat e shenjta  të vet  Patriarkatit.  Erdhi në krye  një prelat i kishës  që nuk ishte shqiptar, as për nga kombësia, as për nga shtetësia. Jo pak, por  disa herë  Anastas   Janullatos s’ka  qenë neutral, si shërbëtor i zotit, si kreu i KOASH  në disa ngjarje,  të cilat morën  edhe ngjyrime politike. Rasti i vrasjes së një të riu në Himarë, ku Hirësia e  tij u  shpreh me tone etnike ndaj ngjarjes. Skandali tjetër , ai i zhvarrimit të eshtrave  të fshatarëve nga Përmeti  për t’u varrosur si ushtarë grekë la shije  jo të  këndshme  dhe në vet komunitetin ortodoks  shqiptar, i cili po  përgatitet të festojë 100 -vjetorin e  shpalljes së Pavarësisë. Vetëm ky fakt i fundit, në këtë 100-vjetor , në  meshën që do të mbahet, shqiptarët  ndihen të fyer.  Të krishterë e mysliman, do festojnë Pavarësinë  nga turqit  dhe ku  i pari i kishës ortodokse  është grek dhe jo shqiptar. Nuk shkon fare. Pavarësia  dhe autoqefalia  me në krye një të huaj  përjashtojnë njëra- tjetrën.  Pavarësia   është   eveniment   kombëtar. Gjuha është e para. Feja është  e dyta  në thelbësoren e një kombi. Ngjarja  më e rëndësishme  pas shpalljes  së pavarësisë  ishte  autoqefalia  e Kishës Ortodokse . Si ka mundësi në  këta 22 vjet  të mos përgatitej   një shqiptar me rrënjë e me  degë  dhe të ishte në krye të autoqefalisë  shqiptare. Sinodi  i kishës  ortodokse  është grek. Pse? Sepse vetëm 1 prej tyre është shqiptar. Të  tjerët janë grekë. Pra, një shtet i pavarur  me kishë  ortodokse të varur . Ky është absurdi shqiptar  i  radhës. Të vjen keq kur shikon  At’ Nikolla Markun  e  Elbasanit, i vetëm, i braktisur,  si  një zë  në shkretëtirë,  me tone tragji-komike i  kërkon  shtetit të tij 100- vjeçar,  që kisha të jetë shqiptare. Hirësia  të jetë  nga kombi i vet, si  në të gjithë popujt ortodokse të rajonit. Asgjë më shumë. Se Zoti në qiell  nuk ekziston vetëm  për hir  të një grushti  grekësh në tokë. Tallje ortodokse  me të krishterët ortodoksë  shqiptarë,  nga z. Janullatos  në këtë 100- vjetor të shpalljes së Pavarësisë.