Amerika rivendos rolin e saj historik në hapësirë

760
Nga Frank SHKRELI*
Këtë javë, enti amerikan i Hapësirës së Lartë, NASA njoftoi se ka zbuluar një sistem të tërë hapësinor që i përngjan sistemit tonë. Shkencëtarët e entit hapësinor NASA njoftuan për medien dhe për publikun e gjerë amerikan dhe botëror se bëhet fjalë për sistemin e quajtur Kepler -90, ylli i të cilit, thonë shkencëtarët amerikanë është i ngjashëm me Diellin tonë. Kepler-90, është zbuluar më herët, por sipas shkencëtarëve amerikanë të hapësirës së lartë, lajmi që e bën këtë zbulim të “madh” është fakti se kësaj radhe në këtë sistem u zbuluan dy planetë krejtësisht të rinj, të panjohur deri tani – si dhe përdorimi i ri i inteligjencës artificiale që çoi në këtë zbulim të madh, sipas NASA-s. Njoftimi i NASA-s për zbulimin e një sistemi tjetër diellor i ngjashëm me tonin dhe me 7 planetë të tij, të madhësisë së Tokës, shton mundësitë për zbulimin e kushteve për jetesë në universin e gjerë hapësinor. Kjo do të thotë se shkencëtarët amerikanë të entit hapësinor NASA besojnë, se ka të ngjarë që shumica e yjeve në hapësirë të kenë një numër planetësh në orbitën e tyre, gjë që sipas tyre, shton mundësitë e ekzistencës së planetëve të tjera si Toka me kushte për mundësimin e jetës.
Natyrisht, se sot për sot, këto zbulime mund të jenë edhe spekulime se cilat janë në fakt këto 7 planetë dhe ç’përbëjnë ato, por zbulimet e njoftuara nga NASA këtë javë rrisin mundësitë që në një të ardhme jo të largët, njerëzimi të mund të mësojë më shumë, duke siguruar informata më të sakta në lidhje me përbërjen dhe atmosferën e këtij sistemi diellor.
Ky njoftim nga ana e entit amerikan të Hapësirës së lartë ka rëndësinë e vet për nga pikëpamja shkencore, një lajm ky që ka gëzuar shkencëtarët anë e mbanë botës si dhe të gjithë ata që janë të interesuar në hapësirën e lartë dhe kozmosin ndërplanetar. Por një lajm më me rëndësi këtë javë mbi hapësirën e lartë qe njoftimi nga administrata e Presidentit Trump, se pas një pauze të gjatë prej disa vjetësh mosangazhimi në hapësirë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të rivendosin rolin e tyre të dikurshëm në hapësirë. Të hënën që kaloi, në prani të disa përfaqësuesve të Kongresit Amerikan dhe të Këshillit Kombëtar të Hapësirës së lartë, Presidenti Donald Trump nënshkroi Direktivën numër 1, e cila ndryshon politikën e deritanishme kombëtare në fushën e hapësirës së lartë dhe e vendos krijimin e një programi të integruar e në bashkëpunim me sektorin privat dhe me partnerët ndërkombëtarë, por të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky program i posa njoftuar nga Presidenti Trump, në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë ku mori pjesë edhe Zëvendës Presidenti Mike Pence, sipas NASA-s, parashikon kthimin e astronautëve amerikanë në Hënë, program ky që do të pasohet me misione të tjera në drejtim të planetit Mars dhe përtej.
Në një njoftim të NASA-s titulluar, “Presidenti Donald Trump po dërgon astronautët sërish në Hënë”, thuhet se politika e re i kërkon Administratorit të këtij enti që, “të udhëheqë përpilimin dhe zbatimin e një programi inovues dhe të vazhdueshëm në bashkëpunim me partnerët privatë dhe ndërkombëtarë, me qëllim për të bërë të mundur zgjerimin e veprimtarisë njerëzore anë e mbanë sistemit diellor dhe për të sjellë në Tokë njohuri dhe mundësi të reja.” Sipas ekspertëve kozmikë, pritet që kjo ndërmarrje e re të jetë një nismë më efektive organizimi të përpjekjeve qeveritare, të industrisë private dhe ndërkombëtare – gjë që nuk ekziston tani për tani – drejt kthimit sërish të astronautëve në amerikanë në Hënë dhe, njëkohësisht, të vendosë një prani amerikane atje për eksplorime drejt sistemeve të tjera diellore. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të direktivës 1, Presidenti Trump u shpreh se, “Direktiva që po nënshkruaj sot do të rifokusojë programin kozmik të Amerikës duke u përqendruar në eksplorimet njerëzore dhe në zbulime të reja. Ky është hapi i parë”, shtoi Presidenti Trump, “drejt rikthimit të astronautëve amerikanë në Hënë, për herë të parë që prej vitit 1972, për eksplorime dhe qëndrim afatgjatë atje. Kësaj radhe, jo vetëm që do të vendosim rishtas flamurin tonë dhe të lëmë gjurmët atje, por do të vëmë bazën për një mision të ardhshëm në Mars dhe ndoshta edhe në shumë botë të tjera ndërplanetare dhe përtej Marsit, më vonë.” Kjo direktivë, shtoi Z. Trump, siguron se program amerikan i hapësirës së lartë do të udhëheqë dhe do të frymëzojë rishtas mbarë njerëzimin, pa përjashtim.”
Njoftohet se politika e re mbi hapësirën erdhi si rrjedhim i një rekomandimi unanim të Këshillit të ri Kombëtar mbi Hapësirën që kryesohet nga Zëvendës Presidenti amerikan Mike Pence. Ky ent këshillon dhe mbështet Presidentin që të zbatojë politikën e tij mbi eksplorimet kozmike, si një përparësi të politikës kombëtare amerikane. Z. Pence citohet të ketë thënë, se nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Amerika do të udhëheqë rishtas në të gjitha frontet e eksplorimit hapësinor.” Ai ritheksoi se hapësira e lartë përbën mundësitë më të mëdha për eksplorimet kozmike dhe e tillë është, jo vetëm detyra jonë – por edhe fati ynë – që këto eksplorime të udhëhiqen nga nga Amerika, nga kuraja dhe nga vlerat amerikane, shtoi Zëvendës presidenti amerikan Mike Pence.
Duket se politika e re për rivendosjen e rolit historik amerikan në hapësirë, përveç përfitimeve shkencore dhe teknologjike, është edhe edhe pjesë e menduar mirë e politikës zyrtare të interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Zëvendës presidenti Pence u shpreh gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë se, “Rivendosja e një pranie amerikane në Hënë është jetike për sigurimin e objektivave strategjike të këtij vendi.” Arritja e këtyre objektivave, tha Z.Pence forcon sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara si dhe kapacitetin për mbrojtjen e popullit amerikan. 
Administratori i NASA-s, Z. Robert Lightfoot e priti mirë angazhimin e administratës Trump për eksplorime të mëtejshme në hapësirë duke thënë se, “Kjo ndërmarrje do të përfshijë ekspertët më të mirë dhe më të mençur në radhët e qeverisë dhe të industrisë private, si dhe partnerët tanë anë e mbanë botës, për të arritur suksese të reja për njerëzimin…Brezi i ri do të ëndërrojë pakufi për të arritur zbulime të reja, ndërkohë që po fillojmë këto misione sfiduese drejt
përparimeve teknologjike, në këtë rrugë tepër dinamike”, tha zyrtari i lartë i NASA-s.
Ishte pikërisht më 25 maj të vitit 1961, kur presidenti i atëhershëm Xhon F. Kennedy, në fjalimin e tij historik para Kongresit të Shteteve të Bashkuara, sfidoi kombin amerikan me programin e propozuar prej tij për eksplorimin e kozmosit dhe për dërgimin e astronautëve amerikanë në Hënë para mbarimit të asaj dekade. Ashtu edhe ndodhi. Por, ndonëse njoftimi, këtë javë, i Presidentit Donald Trump për të rivendosur rolin historik amerikan në përpjekjet për eksplorimin e hapësirës së lartë, ishte më pak spektakolar në krahasim me fjalimin e ish-presidentit Kennedy më 1961 – mbetet për t’u parë, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës — me të vërtetë — do të luajnë përsëri rolin udhëheqës historik në eksplorimin e hapësirës së lartë në të ardhmen dhe për brezat që vijnë, ashtu siç u premtua në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë këtë javë nga administrata e Presidentit Trump.
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë
Sigal