Altin Tafilaj: Trajnimet në fushën energjetike, në funksion të auditimeve të performancës

690
Fuqizimi i kapaciteteve audituese në funksion të përmirësimit të cilësisë dhe produktivitetit të auditimeve, për t’ju përmbajtur Standardeve Profesionale Ndërkombëtare për Institucionet Supreme te Auditimit ka qenë dhe mbetet një nga objektivat e zhvillimit strategjik të KLSH-së. Veç kësaj, KLSH synon që auditimi i performancës të jetë një veprimtari e konsoliduar, e cila do të arrihet me një staf të mirë-trajnuar që ka demonstruar aftësi të spikatura në kryerjen e këtij lloji auditimi. Këtij qëllimi i ka shërbyer dhe pjesëmarrja e audituesve të KLSH-së në workshop-in ndërkombëtar me temë: “Tregu i përbashkët uuropian i energjisë elektrike dhe sfidat e tij”, të mbajtur në Estoni vitin e kaluar. Një nga qasjet aktuale të tregut të energjisë elektrike për çdo vend dhe në nivel rajonal është integrimi në tregun e përbashkët europian, si rrjedhojë e nevojës për plotësimin e nevojave për energji në periudha kohore të ndryshme për vende të ndryshme, aq më tepër në mungesë dhe të mundësive ekonomike dhe teknike. Nisja dhe konsolidimi i shkëmbimeve të energjisë në nivel ndërkombëtar solli nevojën jo vetëm të krijimit të strukturave të posaçme si ajo e Tregut të Përbashkët Europian të Energjisë Elektrike, por edhe kuadrin ligjor dhe rregullator të këtij sistemi. Ky lloj zhvillimi i tregut ka marrë një rëndësi akoma më të madhe në kushtet aktuale, pasi krijon mundësinë e përdorimit në mënyrë sa më optimale dhe të koordinuar të burimeve natyrore të vendeve të veçanta anëtare, e shoqëruar me investime të konsiderueshme infrastrukturore për ta bërë atë sa më të përshtatshëm, të integruar dhe të qëndrueshëm. 
Tregu i integruar i energjisë
Megjithatë, duhet theksuar se ky treg i integruar i energjisë elektrike kërkon para së gjithash, hapjen e tregut të energjisë, ndërtimin e linjave të interkonjeksionit, zhvillimin e tregjeve financiare, krijimin e gjendjeve jo-monopole, ngritjen e kapaciteteve për kalkulimet e sakta të shkëmbimeve të energjisë, etj. Interes të veçantë për audituesit dhe strukturat publike të fushës së energjisë, merr konceptimi i ri bashkëkohor, tre-dimensional i energjisë elektrike (Energy Trilemma), që ka të bëjë me: 
a) Sigurimin e energjisë, për garantimin e energjisë elektrike gjatë gjithë kohës dhe në sasinë e nevojshme për rajonin;
b) Koston e energjisë elektrike, duke presupozuar se, nëse energjia elektrike do të menaxhohej drejt, gjatë prodhimit, gjatë transmetimit dhe shpërndarjes, atëherë edhe kostoja e saj do të mund të ishte më e ulët pasi do të shmangeshin humbjet dhe do të administroheshin më mirë rezervat energjetike;
c) Impaktin ndaj mjedisit, duke krijuar mundësinë e përdorimit racional, në varësi të pozicionit gjeografik të impianteve të prodhimit të energjisë elektrike, për të shfrytëzuar erën, ujin dhe diellin, në miqësi me mjedisin.
Përparësitë e bashkëpunimit
Konceptimi nga ky këndvështrim i energjisë elektrike, shfaq qartë se bashkëpunimi në rajon për të patur një treg të përbashkët europian, ka përparësi të shumta si për kapacitetet prodhuese të cilat menaxhohen më lehtë ashtu dhe për uljen e kostos. Për sa i takon impaktit ndaj mjedisit, nëse energjia elektrike do të prodhohej në pjesën më të madhe të kohës nga ato vende të cilat shfrytëzojnë burimet natyrore, atëherë jo vetëm që ndotja në rajon do të ishte në nivele shumë të ulëta por dhe kostoja do të pësonte rënie të konsiderueshme. Përvoja e Estonisë dhe e disa vendeve të tjera evropiane në liberalizimin e tregut energjetik, është një shembull i mirë dhe për vendin tonë, pasi bën të mundur realizimin e çmimeve konkurruese për konsumatorin fundor, ngritjen e kapaciteteve teknike, forcimin e autoriteteve rregullatore në mbikëqyrjen e këtij tregu, fushatat e ndërgjegjësimit për pagesën e energjisë së konsumuar, konsiderimin e këtij procesi për një ecuri graduale (për 4 vjet deri në 2013 është liberalizuar 100% në Estoni) etj. Si rezultat i liberalizmit të këtij tregu ka pasur rënie të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët final, ndryshe nga çfarë ndodh në vendin tonë dhe gjetkë, si dhe ndryshim të strukturës së furnizuesve të këtij tregu. Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është shoqëruar me rritjen e shkallës së mbrojtjes së kategorisë së konsumatorëve si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet me kushte të vështira ekonomike etj. 
Tregu i energjisë në Shqipëri
Aktualisht tregu i energjisë elektrike në Shqipëri është pjesërisht i liberalizuar. Kështu, segmente të veçanta si prodhimi i energjisë elektrike, i cili është i hapur për investime nga sektori privat ku së bashku me shoqërinë publike KESH Sha, sigurojnë në nivel të konsiderueshëm mbulimin e nevojave të konsumit për konsumatorët familjar, ndërsa transmetimi aktualisht kryhet vetëm nga një subjekt publik (OST-Operatori i Sistemit të Transmetimit), që do të thotë se tregu në këtë drejtim nuk është i hapur. Megjithëse shpërndarja e energjisë elektrike realizohet vetëm nga Operatori Shpërndarjes (sipërmarrje publike), në fushën e përdorimit, klientët e kualifikuar janë të lirë në përzgjedhjen e shitësit të energjisë elektrike. Ekzistenca e një modeli të tillë të tregut të energjisë elektrike në vendin tonë ka bërë që ky sektor të jetë në reformim të vazhdueshëm, sipas kërkesave të direktivave të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, KLSH ka kryer auditimin e performancës mbi domosdoshmërinë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Gjatë auditimit ka rezultuar se, sistemi elektro-energjetik shqiptar, si rezultat i akumulimit të problemeve në vijimësi pas viteve ’90, gjendet përballë sfidash shumë-dimensionale, me natyrë strategjike, teknologjike e operacionale, tregtare e financiare, duke vënë në rrezik jo vetëm zhvillimin e funksionimin normal të këtij sistemi, por dhe integrimin e tij në sistemet rajonale të energjisë dhe investimet e reja për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe duke u bërë pengesë serioze për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit tonë. 
Auditimet e KLSH
KLSH auditoi KESH ShA, MEI-n dhe ERE-n, duke i kushtuar vëmendjen e posaçme çështjeve që lidhen me prodhimin dhe shitjen e energjisë elektrike në funksion të objektivave individuale të KESH ShA; modelin e tregut të energjisë elektrike që të sigurojë qëndrueshmërinë dhe përmirësimin e infrastrukturës së sistemit hidro-energjitik dhe ndikimin e tij në situatën ekonomike dhe financiare të KESH Sha; marrëdhëniet e kësaj të fundit me prodhuesit e vegjël e privatë të energjisë elektrike dhe performancën e marrëdhënieve tregtare midis KESH ShA dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike; performancën e Strategjisë Kombëtare të Energjisë në fushën e prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike, si edhe përfshirjen e direktivave të BE-së në kuadrin ligjor ekzistues për energjinë elektrike. KLSH ka arritur në përfundimin se: ngarkimi me funksionin e prodhuesit publik të energjisë, garantimi i blerjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e dhëna me koncesion, si dhe ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale me çmime të rregulluara (të diktuara ose nga ERE, ose nga qeveria në marrëveshjet koncesionare) etj., jo vetëm që e kanë denatyruar funksionin themelor të një shoqërie publike (sigurimin e fitimit dhe rritjen e efektivitetit), por e kanë zhytur atë në detyrime financiare ndaj klientëve, duke e bërë domosdoshmëri ndryshimin e mënyrës se funksionimit, administrimit dhe menaxhimit, nëpërmjet ndarjes së përgjegjësive (prodhimi nga blerja: importi dhe/ose blerja e energjisë nga HEC-et e dhëna me koncesion), si dhe hapjen e tregut të energjisë elektrike, të cilat do të reflektohen në fund të fundit në cilësinë dhe koston e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve. Mbi këtë bazë, është rekomanduar midis të tjerave, hartimi i një strategjie me afate të mirëpërcaktuara për ndryshimin e modelit të tregut të energjisë elektrike në funksion të kalimit gradual në një treg të liberalizuar, me synim rritjen e konkurrencës; zhvillimin e një reforme tarifore me interes për mbrojtjen e konsumatorëve; integrimin e këtij tregu në Tregun Rajonal dhe atë Europian të Energjisë Elektrike, duke siguruar qëndrueshmëri dhe shërbim cilësor në furnizimin me energji elektrike.
Sigal