Sigal

Siguria teknike e pajisjeve mjekësore, e lidhur ngushtë me shëndetin e pacientëve

 Altin Tafilaj, Auditues i Parë, KLSH

 Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka përshtatur dhe zhvilluar një numër të madh dokumentesh të politikave shëndetësore. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimet e kryera në Spitalet Rajonale të vendit, ka identifikuar një numër të madh mangësish lidhur me menaxhimin, mirëmbajtjen apo riparimin e pajisjeve mjekësore të cilat janë në përdorim të Institucioneve Spitalore, me qëllimin e vetëm, garantimin e sigurisë teknike për një përdorim sa më eficent të pajisjeve mjekësore duke mos cenuar shëndetin e pacienteve dhe të personave të tjerë. Riorganizimi i shërbimeve shëndetësore dhe modernizimi i Spitaleve dhe qendrave shëndetësore, janë hapa të nevojshëm dhe të rëndësishëm në rrugën e përmbushjes së standardeve të KE nga ana e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri. Të gjitha pajisjet mjekësore, kanë një jetëgjatësi të kufizuar, kështu herët apo vonë do të paraqesin defekte. Investimet në teknologji të re, pa investime në infrastrukturë për të mbajtur dhe ruajtur në parametrat e duhura të punës atë që është investuar, do të çojnë në shkurtimin e jetëgjatësisë së parashikuar të pajisjeve mjekësore dhe njëkohësisht, në përkeqësimin dhe vështirësimin e kushteve të punës, në demotivimin e personelit dhe të gjitha këto në një kujdes shëndetësor jo eficent dhe jo efektiv.

 

Pajisjet mjekësore, përfshirë edhe të rejat, duhet të kenë një infrastrukturë funksionale të përshtatshme përderisa ato kërkojnë procedura të sigurta dhe udhëzues si të përdoren dhe si të zbatohet mirëmbajtja parandaluese. Është më se e kuptueshme se procedurat e menaxhimit, mirëmbajtjes apo riparimit të pajisjeve mjekësore që kanë në përdorim Spitalet Rajonale të vendit, bazohen në kuadrin rregullator përkatës, ligje, vendime, udhëzime, rregullore etj. Politikat Kombëtare për menaxhimin e pajisjeve mjekësore në Shqipëri, janë të përcaktuara qartë tek urdhri i Ministrit të Shëndetësisë me nr. 3272, datë 11.09.2007 në funksion të ligjit nr. 89/2014 “Për pajisjet mjekësore” i cili është përafruar me Direktivën e Këshillit Evropian 93/42/KEE. Në strukturën e Ministrisë së Shëndetësisë, funksionon Agjencia Shtetërore e pajisjeve mjekësore e cila mbështet të gjitha strukturat e sistemit shëndetësor në Spitale për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore. Nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, është konstatuar se këto struktura, jo vetëm ato të Ministrisë së Shëndetësisë por edhe ato të Spitaleve Rajonale siç janë Strukturat e Inxhinierisë Klinike apo të Teknologjisë dhe Informacionit, të cilat kanë si qëllim dhe detyrë parësore mirëmbajtjen dhe përkujdesjen e pajisjeve mjekësore, jo vetëm që janë inekzistente në përmbushje të detyrimeve të tyre ligjore por përkundrazi, influencojnë negativisht, në buxhetin e Shtetit pasi duhet të paguhen pagat e “specialistëve” por mbi të gjitha, në kryerjen e procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore, mirëmbajtje e cila duhet të bëhet nga sektorët e Inxhinierisë Klinike të Spitaleve Rajonale nën monitorimin e Agjencisë Shqiptare të pajisjeve mjekësore.

Nga auditimet e kryera, si ai i Spitalit Rajonal Shkodër, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në lidhje me mirëmbajtjen dhe funksionimin e pajisjeve mjekësore, ka konstatuar mangësi në funksionimin e Sektorit të Inxhinierisë Klinike. Ky Spital, mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore, atë parandaluese por mbi të gjitha zëvendësimin e pjesëve të kontaminuara, e ka bërë me të tretë. KLSH, evidentoi se riparimi i pajisjeve mjekësore, kryhej në kundërshtim me “Politikat Kombëtare të Pajisjeve Mjekësore” sipas urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë. Në kundërshtim me këtë urdhër, Sektori i Inxhinierisë Klinike të Spitalit Rajonal Shkodër, nuk disponon asnjë ambient të veçantë për pjesët e ndërruara ose të kontaminuara të pajisjeve mjekësore. Nga auditimi, edhe pse u konstatuan mjaft procedura prokurimi me objekt “Mirëmbajtje të Pajisjeve Mjekësore”, nuk u konstatuan pjesët e hequra nga këto pajisje. Këto pjesë, të deklaruara si të defektuara, duhej të ruheshin në një ambient të posaçëm pasi mund të ishin objekt për hetim. KLSH, konstaton se sektori i Inxhinierisë Klinike, nuk ka ndjekur asnjë procedurë për arsyet dhe momentin e ndodhjes së defekteve siç përcaktohet tek pika 3.6.17, Aksidentet dhe Incidentet e Urdhrit nr. 3272, datë 11.09.2007 të Ministrit të Shëndetësisë. Personeli mjekësor që përdor një pajisje mjekësore, duhet të njohë procedurën për raportimin e aksidenteve dhe incidenteve gjatë përdorimit të tyre. Procedura e raportimit, kërkohet të jetë në përputhje me dokumentin përkatës të sistemit të raportimit të ngjarjeve të padëshiruara. Përveç këtyre, strukturat e Inxhinierisë Klinike të Spitaleve Rajonale, përpara se të kërkojnë nga Drejtoria e Spitalit, kryerjen e procedurave të prokurimit me objekt “Mirëmbajtje pajisjesh mjekësore”, paraprakisht, duhet të komunikojnë me Agjencinë Shqiptare të Pajisjeve Mjekësore” si e vetmja strukturë kompetente në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila, pasi të investigojë pajisjen, për të marrë vendimin, nëse do të kryhet procedurë prokurimi për mirëmbajtje pasi të konkludohet se kapacitetet teknike të stafit të Agjencisë dhe të Sektorëve të Inxhinierisë Klinike të Spitaleve, nuk kanë nivele të tilla profesionale për të kryer mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore. Nga auditimet e KLSH, është konstatuar se në të gjitha rastet, kapacitetet teknike të Agjencisë Shqiptare të Pajisjeve Mjekësore dhe stafet e sektorëve të Inxhinierisë Klinike të Spitaleve Rajonale të vendit, nuk kanë kryer mirëmbajtje në konformitet me detyrimet e tyre ligjore pasi nuk kanë as infrastrukturën e domosdoshme për të kryer mirëmbajtje. Stafet e këtyre sektorëve, nuk kanë kryer asnjë trajnim mbi mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore dhe për më tepër në shumë raste, personat përgjegjës nuk kanë si profesion Inxhinierinë Klinike. Mbetet detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë, të reformojë stafin e Agjencisë Shqiptare të Pajisjeve Mjekësore dhe në vazhdim, të organizojë seminare dhe trajnime për stafet e sektorëve të Inxhinierisë Klinike të Spitaleve Rajonale me qëllimin e vetëm, mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore me rëndësi jetike për shëndetin publik, duke ulur njëkohësisht, shpenzimet e pa justifikuara për mirëmbajtje me operatorë ekonomik, shpenzime të cilat, rrisin automatikisht vlerën e amortizimit të pajisjeve mjekësore por mbi të gjitha, procedurat e prokurimit, për arsye të kohës së gjatë që nevojitet për zhvillimin e tyre, nuk arrijnë asnjëherë të garantojnë mbajtjen në funksion të plotë të pajisjeve mjekësore gjatë gjithë kohës nëse strukturat e Inxhinierisë Klinike të Spitaleve Rajonale, nuk kanë kapacitetet e duhura infrastrukturore dhe aftësitë e nevojshme profesionale.