Alfred Zylfi&ElfidaAgolli/ Shqetësim mungesa e hapësirave biblotekare

592
KLSH ndërmjet auditimit të performancës është fokusuar dhe ka rekomanduar se si duhet ndërhyrë në Bibliotekën Kombëtare për përftimin e një qasjeje të re në vlerësimin e hapësirave funksionale dhe kushteve të punës, në ruajtjen e arkivimin e librit dhe shërbim sa më cilësor ndaj lexuesit. Në Bibliotekën Kombëtare, fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-ballkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës evropiane.
Fondi i Arkivit Shqip dhe koleksioni i tij përfshin 111.274 njësi, botime me vlera të veçanta për pasurinë e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e para në gjuhën shqipe (shek. XVI) dhe duke vazhduar deri në ditët tona. 
Fondi i antikuarëve dhe koleksioni i tij është shumë i rëndësishëm, jo aq nga numri i vëllimeve sesa nga përmbajtja e tij. Përmban 2.449 vepra të rralla, libri më i vjetër i këtij koleksioni është vepra e papës Piu II “Epistolar de Conventu Mant-vano”, botuar në Milano në vitin 1473. Vepra ka vlera të veçanta.
Fondi i dorëshkrimeve dhe koleksioni i tij ka 1.189 vepra të dorë shkruara, kryesisht në gjuhët orientale arabisht, osmanishte dhe persisht.
Fondi i hartave të rralla dhe koleksioni i tyre numëron 54 njësi bibliotekare të cilat u takojnë shekujve XVI-XVIII dhe janë burim informacioni me të dhëna të shumta historike, etnografike, gjuhësore, gjeologjike etj. 
Fondin e albano-ballkanologjisë dhe koleksioni i tyre ka rreth 48.008 njësi ku ruhen të gjitha botimet shqipe, si dhe ato të huaja, që flasin për Shqipërinë, shqiptarët dhe popujt e ndryshëm të Ballkanit, që trajtojnë historinë, gjuhën, folklorin, kulturën e tyre. Biblioteka Kombëtare, si institucioni kryesor i bibliotekave në Republikën e Shqipërisë, e cila luan dhe rolin e një biblioteke publike për qytetin e Tiranës, përveç të tjerash, ka si detyrë kryesore shërbimin direkt ndaj përdoruesve nëpërmjet koleksioneve të veta (libra, dorëshkrime, periodikë, harta, etj.), informimit të tyre me mjete elektronike, organizimit të veprimtarive të ndryshme informuese në bashkëpunim dhe me institucione e organizma të tjera, si: ekspozita, promovime, konferenca shkencore, etj., për përmbushjen e rolit parësor të saj: plotësimin e nevojave bibliotekare dhe informuese të komunitetit të cilit i shërben. Këtu shtrohet pyetja: A mund ti arrijë Biblioteka Kombëtare këto në kushtet dhe hapësirat që ajo ka në dispozicion?!
Bibliotekat në Evropën ku ne kërkojmë të integrohemi plotësisht, janë mjet i rëndësishëm për zhvillim kulturor, social dhe ekonomik. Deklarata e nismës së Bashkimit Evropian në konferencën e Kopenhagës, (Tetor 1999) nënvizon rolin e bibliotekave publike në mbështetje të:
 demokracisë dhe qytetarisë;
 zhvillimit ekonomik dhe social;
 të mësuarit gjatë gjithë jetës;
 diversitetit kulturor dhe gjuhësor.
Biblioteka Kombëtare dhe rrjeti i bibliotekave publike ka mungesa të theksuara të hapësirave dhe personelit punonjës, kështu duke iu referuar standardeve ndërkombëtare të IFLA-s rezulton se;
-Hapësira për vende leximi,duhet të jetë referuar standardeve 2,8 m² për çdo vend lexim në fakt ai është 0.76 m2ose tre herë më pak.
– Hapësirat për personelin, duhet të jetë referuar standardeve16,3 m² për çdo punonjës (shifra përfshin vendet e punës, pikat e shërbimit të lexuesve, mjediset e qarkullimit, raftet e nevojshme etj.), në fakt ai është 5,56 m2 ose tre herë më pak.
Personeli punonjës. Duke iu referuar standardeve të IFLA-s, duhet një punonjës me kohë të plotë pune për 2.500 banorë, krahasuar me numrin e popullsisë që ka afërsisht sot qyteti i Tiranës numri i punonjësve të saj duhet të ishte 320 punonjës, ose rreth 220 punonjës më shumë. Biblioteka Kombëtare, si qendra më e madhe që përfaqëson këtë shërbim në Shqipëri, ndodhet në ndërtesën e Pallatit të Kulturës jo të konceptuar dhe të ndërtuar për Bibliotekë Kombëtare. Mjediset e Pallatit të Kulturës ku janë dy institucione kryesore në vartësi të Ministrisë së Kulturës (BKSH dhe TOB) u janë dhënë më qira subjekteve privatë për (librari, bankë, klube, institucione të huaja, etj.) sipërfaqe që mund të shërbenin shumë mirë për zgjerimin e këtyre dy institucioneve për rritjen e shërbimit ndaj qytetarit. Gjithashtu ajo çka vlen të theksohet është se kryeqyteti nuk ka pasur asnjëherë bibliotekë të tijën, madje nuk është planifikuar të ndërtohet për dekada çka do të lehtësonte dhe ngrinte në një nivel më të lartë punën dhe performancën e Bibliotekës Kombëtare. Ndërtesat bibliotekare në Shqipëri pothuajse janë ose dhurime të patriotëve shqiptarë ose janë sekuestrime ndërtesash, ndërsa pothuajse mungojnë ndërtimet e bibliotekave të reja, gjendje e cila vazhdon siç është trashëguar edhe sot pas rreth 24 të ndryshimit të sistemit. Biblioteka Kombëtare si pothuajse gjithë shërbimi bibliotekar në të gjitha bashkitë, është lënë jashtë vëmendjes. Kështu nga auditimi rezulton se ka mungesa të theksuara të hapësirave për të vendosur materiale bibliotekare problem i shfaqur që në fillimet e viteve 1980 dhe që vazhdon të rëndohet gjithmonë e më shumë e konkretisht;
 pothuajse të gjitha rrugët e kalimit në arkiv janë zënë me materiale bibliotekare, me materiale të vendosura në dysheme ose janë krijuar rafte imagjinarë, (materialet bibliotekare vendosen në dysheme),
 fondi i vlerave të rralla (antikuarë, harta dhe dorëshkrime) janë vendosur në “arka metalike apo dollapë”, jashtë kushteve të ruajtjes të sigurisë dhe mjedisore të tyre si vepra të rralla të cilat janë trashëguar prej shekujsh;
 raftet janë tejet të mbingarkuar duke i vendosur materialet bibliotekare në tre e më shumë rreshta;
 janë shfrytëzuar hapësirat e pakta të liruara në ambientet e arkivës nga përdorimi i fondit të hapur (risi e re e krijuar në BKSH), gjithashtu dhe nga procedura e asgjësimit, por përsëri këto ambiente përdoren në të njëjtën mënyrë për fondin që shtohet dhe gjendja e tyre nuk ndryshon por vazhdon të rëndohet.
E analizuar në mënyrë të detajuar këtë gjendje aktuale të ambienteve ku arkivohet fondi me materialet bibliotekare në Bibliotekën Kombëtare dhe krahasuar me standardet ndërkombëtare të IFLA-s ajo rezulton se është rreth shtatë herë më i vogël se nevojat e saj aktuale, ku një sipërfaqe shtesë prej (1600 m2) sa është ajo sot duhet vetëm për veprat e rralla të cilat janë pasuri kombëtare. Me anë të këtij auditimi duam të themi edhe njëherë se duhet ndërhyrë sa më parë në një nga pasuritë kombëtare që do ti shërbejë trashëgimisë dhe edukimit të brezave për të mos e humbur atë dhe qëndra të bëhet realitet për atje ku jemi nisur e kërkojmë të shkojmë. Këto imazhe tregojnë si trajtohet libri dhe lexuesi në bibliotekat në botë.
 Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit

Sigal