Alfred Moisiu: Reforma në Drejtësi, domosdoshmëri jetike për shqiptarët

808
Dr.Alfred Moisiu 
(President i Republikës 2002-2007)

Përshpejtimi i ritmeve për zbatimin e Reformën në Drejtësi, domosdoshmëri jetike për shqiptarët 
Forumi Civil 2010 u mblodh në Takimin e radhës me një temë aktuale, që është edhe qëllimi i vlerësuar aktualisht si më i rëndësishëm për Shqipërinë: Zbatimi i Reformës në Drejtësi me vullnet të fortë politik. Fokusimi te nevoja për projektimin e një Reforme të tillë ka qenë kryefjala e veprimtarisë së këtij Forumi që prej themelimit 8 vjet më parë të tij. Ndërsa, pas miratimit gjatë dy viteve të fundit të një sërë ndryshimesh kushtetuese dhe ligjesh organike për jetësimin e kësaj Reforme, si një nga zgjedhjet më adekuate për mbështetjen e integrimit të vendit tonë te standardet e BE, tani shpejtimi i ritmeve në zbatimin e saj po artikulohet me zë të lartë nga tërë opinioni publik. Në Fjalën e hapjes së këtij Takimi: “Përshpejtimi i ritmeve për zbatimin e Reformës në Drejtësi, domosdoshmëri jetike për shqiptarët”, drejtuesi i Forumit, Z. Alfred Moisiu (Presidenti i Republikës 2002-2007), pasi vlerësoi arritjet e deritashme falë interesimit dhe impenjimin maksimal të BE dhe SHBA, u ndal te disa probleme që kërkojnë zgjidhje akute, me angazhime serioze dhe konstruktive në zhvillimet demokratike të të gjitha forcave politike, të cilat duhet të unifikojnë qëndrimet dhe veprimet e tyre te përparësia që zë Reforma në Drejtësi për integrimin dhe anëtarësimin e Shtetit Shqiptar në Unionin Evropian. Me këtë frymë, pjesëmarrësit në takim theksuan se, tani kur makineria Institucionale ka nisur të ndezë motorët, pengesat e vëna prej atyre që i tremben ndëshkueshmërisë së afërt nga drejtësia e re dhe e paanshme nuk përbëjnë gjë tjetër veçse bllokim të sundimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, dhe si të tilla duhen luftuar pa asnjë tolerim. Përndryshe masën e gjerë të qytetarëve mund ta pushtojë pesimizmi me arsyetimin se, “ky vend nuk bëhet”. Ndërkohë që diskutantët paraqitën si mjaft të efektshme mprehjen e vëmendjes së tërë shoqërisë shqiptare për të mos fjetur mbi dafina. 

Dr.Alfred Moisiu
Tryeza e Forumit Civil 2010, ka për temë një çështje shumë aktuale, dhe shumë të rëndësishme për Shqipërinë: Përshpejtimi i ritmeve për zbatimin e Reformën në Drejtësi. Që prej krijimit të Forumit 8 vjet më parë, fokusimi te kjo reformë ka qenë kryefjala e veprimtarisë së tij, mbi bazën e një kërkese këmbëngulëse të mbarë opinionit publik në vendin tonë. Të një opsioni në vazhdimësi, që do të mund të hapte rrugën drejt jetësimit të aspiratës së trumbetuar afro tri dekada më parë: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa!”.Tashmë, pas shumë përpjekjesh dhe zhvillimesh, mund të themi që Shqipëria e ka një reformë kyçe të shkruar dhe të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë: Reformën në Drejtësi, me të cilën u projektua një nga zgjidhjet më adekuate për të mbështetur integrimin e vendit te standardet e Bashkimit Evropian. Por nuk ka mjaftuar dhe nuk mjafton vetëm zgjedhja, janë zgjidhjet ato që pa u anashkaluar dhe pa u zvarritur krijojnë qëndrueshmërinë e ndryshimit, progresi i të cilit varet rreptësisht nga aftësia për të dhënë rezultate. E theksojmë këtë, pasi ndonëse Reforma në Drejtësi u miratua unanimisht si asnjë dokument tjetër deri tani, ndonëse procesi i Vetingut do të futej tashmë në një hulli premtuese si shtysë e fuqishme drejt arritjes së objektivit: një drejtësi e re dhe e pavarur, megjithatë, gjatë rrugës për miratimin, zbërthimin dhe zbatimin e disa akteve ligjore e nënligjore shumë stërkëmbësha, shumë shkopinj apo edhe kërcunj nën rrota i janë vënë kësaj Reforme. Kështu, për shembull, janë vënë re ngurime për ngritjen e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe sa të tilla qarkullojnë ende për mos miratimin në Parlament me shumicë të cilësuar të riformulimit të disa dispozitave ligjore, për funksionimin e këtyre institucioneve eprore, nga të cilat do të zgjidhen edhe organet e SPAK – ut?! Por falë interesimit dhe impenjimit maksimal të BE-së dhe të SHBA-së, gjë për të cilën ne i falënderojmë pa masë, veprimet regresive nuk kanë arritur dhe nuk do të mund të kenë shanse të ndikojnë për t’u ndërprerë rruga e nisur. Të mos harrojmë, se vizita e para dy-tri ditëve në Tiranë e Presidentit të Komisionit të Bashkimit Evropian, Zhan Klod Junker, u bë vetëm dy javë pas Shpalljes së Strategjisë së këtij Komisioni për Ballkanin Perëndimor. E pra, kjo vizitë në këto kushte mbetet një dëshmi e qartë e angazhimit të fortë të BE për rajonin. “Nuk kam ardhur për të bërë premtime boshe, – tha këtu ai -, por mund të inkurajoj Shqipërinë që të vijojë reformat, sidomos në luftën kundër krimit, për vetingun, organizimin e gjykatave. Do të jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin…Rikonfirmoj, – deklaroi Junker -, se vendi i Shqipërisë është në gjirin e BE”. Me këtë bindje, që e ka shumica e shqiptarëve, nuk kanë reshtur as lëvizjet konkrete në rrugën e zbatimit të Reformës. Është fakt që produkti i parë i saj është zgjedhja e një zonje energjike si Prokurore e Përgjithshme (e Përkohshme). Dhe efektet e këtij produkti janë të dukshme. Vetëm brenda 2 muajsh në organin e akuzës nisi të krijohet një terren i përshtatshëm, që t’u fshihet pluhuri shumë dosjeve të rënda, por të arkivuara për vite me radhë, çka do të çojë pashmangshmërisht te ndëshkimet e pritshme ndaj abuzimit me pushtetin. Pra, të shohim se si në bankën e të akuzuarve do të ulen ata që me marifetet e tyre dhe defektet e sistemit të drejtësisë, deri dje nuk u hynte gjemb në këmbë. E kundërta pritet të ndodhë së shpejti, aq më tepër që në harkun e pak javëve janë hedhur disa hapa konkrete për arrestimet e disa drejtorëve të rëndësishëm të Autoritetit Rrugor, të emëruar nga qeveri të mëparshme, ku ka qenë edhe korrupsioni më i dukshëm, më i ndjeshëm. Gjithashtu janë ndaluar dhe po merren në pyetje zyrtarë të rëndësishëm të dikastereve. Krejt befas është bërë edhe thirrja në Prokurori e disa personazheve të shumëpërfolura për korrupsion me profile dhe nivele të larta, të cilët deri tani e konsideronin veten të paprekshëm. Pra, motorët e makinerisë institucionale janë ndezur. Kjo ka vënë në alarm, jo vetëm funksionarët e qeverive të shkuara, demokratë apo të së majtës, por edhe administrues të sotëm, të cilët ende nuk e dinë se me cilët do të merret në muajt e ardhshëm organi i hetimit dhe i akuzës. Pra, po ndodh ajo që duhej dhe dihej, domethënë, që para organit të Prokurorisë çdo mëkatar ka filluar të dridhet, dhe jo të nxjerrë gjuhën sikurse janë mësuar shtetarët plëngprishës dhe të afërmit apo miqtë e tyre në zullume. Sidoqoftë, shpejtimi i ritmeve në zbatimin e Reformës, çdo ditë e më shumë po artikulohet me zë të lartë nga opinioni publik, i cili u drejtohet zyrtarëve të zgjedhur që ta shohin këtë kërkesë si trajtën më të plotë të shqyrtimit apo monitorimit. Proces ky që duhet të plotësohet me angazhim të fortë dhe konstruktiv në zhvillimet demokratike midis shumicës dhe opozitës, që këto forca të unifikojnë qëllimet dhe veprimet te përparësia që zë Reforma në Drejtësi për integrimin në BE. Ndërkohë, ne e shohim të domosdoshme që të mprihet vëmendja e gjithë shoqërisë shqiptare, për të mos menduar se çdo gjë mund të shkojë si në vaj. Të mos harrojmë ligjin e provuar të natyrës, sipas të cilit, çdo aksion lind edhe një reaksion. Kjo Reformë, ashtu sikundër është planifikuar, prek shumë fajtorë, sipas përgjegjësisë, dëmit dhe abuzimit të shkaktuar nga përfaqësues të së majtës dhe të së djathtës politike. 

Në këto situata Forumi Civil 2010 e gjen me vend të shtrojë disa kërkesa për forcat politike shqiptare:
1- Klasa politike të heqë dorë përfundimisht nga vënia e shkopinjve në “rrotat” e Reformës, pavarësisht nga lloji.
2- Të çohet deri në fund sa më parë strukturimi i i institucioneve kushtetuese sipas reformës;
3- Të fillojnë sa më parë punën strukturat e zgjedhura, që në veprimtarinë e tyre të mos lejojnë shkelje ose shmangie nga obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore; zyrtarët e këtyre strukturave duhet ta dinë se nuk janë thjesht nëpunës të përzgjedhur, por misionarë që e çojnë përpara misionin e tyre me çdo sakrificë. 
4- Shoqëria civile të rrisë vigjilencën në maksimum për ndjekjen e hapave të reformës dhe të luftojë ndaj tendencave për të trembur pjesëtarët e institucioneve të ngritura, si edhe t’i mbështesë këto institucione për të kryer detyrën me kurajë dhe vendosmëri;
5- Administrata shtetërore të përmbushë detyrimet ligjore, për të mbështetur strukturat e ngritura sipas kushteve që parashikohen në realizimin e Reformës në Drejtësi.
Sigal