Alexander A. Arvizu: Ushtria amerikane të trajnojë oficerët shqiptarë, me një grant prej 1.3 milionë dollarësh

93

Ceremonia e Nënshkrimit të Letrave të Ofertës dhe Pranimit

 Për Shkollën e Kadetëve për Oficerë

Ministria e Mbrojtjes

Zonja Ministre, pikë së pari, ju përcjell sërish urimet më të mira të mikut dhe aleatit tuaj më të ngushtë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Oficerë të Forcave të Armatosura të SHBA dhe Shqipërisë, mirëmëngjes dhe mirësevini. Thuajse një vit më parë si sot, Ministria shqiptare e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura mbajtën Konsultimet e përvitshme Dypalëshe Amerikano-Shqiptare për Mbrojtjen: niveli më i lartë i konsultimeve politiko-ushtarake mes dy qeverive tona. Në këtë takim, drejtues të Forcave të Armatosura Shqiptare – këshilltari aktual ushtarak i Kryeministrit, Gjeneral Brigade në lirim Sandër Lleshi dhe këshilltari politik i Presidentit, Gjeneral Brigade Jeronim Bazo – propozuan një ide novatore për të përmbushur këto tri gjëra:

(1) reformimin dhe rritjen e profesionalizmit të Forcave të Armatosura;

(2) përmirësimin e numrit të rekrutimeve dhe të mbajtjes së tyre

(3) të ndihmuarit e Shqipërisë në përpjekjet e saj për ta bërë trupën e oficerëve dhe nënoficerëve më të ndërveprueshme me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

Për t’i realizuar këto qëllime Gjeneral Lleshi dhe Gjeneral Bazo propozuan që ushtarakët amerikanë të merrnin parasysh trajnimin dhe autorizimin e anëtarëve të trupës shqiptare të oficerëve. Duke e dalluar këtë si një koncept që do të forconte më tej marrëdhënien tonë ekzistuese, ne nisëm menjëherë studimin e kësaj mundësie përmes strukturave të komandës rajonale të Departamentit të Mbrojtjes dhe me partnerët tanë në Gardën Kombëtare të Nju Xhersit. Jam i lumtur të raportoj se sot po shpallim një gur kilometrik të rëndësishëm që e kemi arritur së bashku përgjatë diskutimesh intensive gjatë një viti bashkëpunimi dypalësh.

Në bashkëpunim me Shtetin e madh të Nju Xhersit, të përfaqësuar sot këtu nga Oficeri i Operacioneve të Përbashkëta të Gardës Kombëtare të Nju Xhersit dhe nga Komandanti i Institutit të Trajnimit Rajonal, i morëm synimet e këtyre dy gjeneralë shqiptarë të frymëzuar dhe i bëmë ato realitet. Sot po njoftojmë se Departamentet e Shtetit e të Mbrojtjes dhe Ushtria e SHBA kanë dhënë autorizimin ligjor që është i nevojshëm që ushtria amerikane të trajnojë oficerët shqiptarë, dhe se po angazhojmë një grant prej 1.3 milionë dollarësh për këtë program pilot.  Ky autorizim dhe angazhim fondesh paraqitet këtu nga këto dy “Letra Oferte dhe Pranimi”.Firma e Ministres Kodheli në këto Letra do ta lejojë Gardën Kombëtare të Nju Xhersit dhe Forcat Shqiptare të Armatosura të programojnë me siguri burimet dhe të përpunojnë e miratojnë planet për ekzekutimin e programit pilot me një numër nga 15 në 50 kandidatë, brenda harkut kohor maj – korrik 2014.  Ne do t’iu referohemi këtyre kandidatëve me krenari si Shkolla e Kadetëve Shqiptare e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, Kursi i 2014-s.
Ky kurs dhe ky program si i tërë do të jetë i pari i këtij lloji në historinë e Programit e SHBA të Partneritetit të Shteteve  dhe të rrjetit tonë kombëtar të shkollave për kandidatë për oficerë ushtarakë; kjo është me të vërtetë një nismë unike dhe një program tërësisht i ri.  Dhe me të vërtetë dua të theksoj që është me vend që një nder i tillë i shkëlqyer të bëhet për miq dhe aleatë kaq të shkëlqyer e të ngushtë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria.  Shpresoj që ky program të jetë një tregues më shumë i marrëdhënies së fortë mes dy vendeve tona.

Ministre Kodheli, është kënaqësi e veçantë për mua t’iu paraqes këto Letra Ofertë dhe Pranimi.  Zonja dhe Zotërinj, ju lutem bashkohuni me mua për të mirëpritur Shkëlqesinë e saj, Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli.