Aleksandër MIHALI/ “Ushtarakët janë të bashkuar, por nuk janë përsosmërisht të organizuar”

166

Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë është vatra e vetme më e madhe pluraliste e gjithë ushtarakëve shqiptarë

Shkrimet rreth problemeve tona kur nuk i kishim menduar se do t’i bënim prezent nëpër faqet e shtypit. Problemi i Bashkimit të Ushtarakeve për t’u përfaqësuar si një zë i vetëm në shoqërinë shqiptare i përket vetëm ushtarakëve dhe aspak pjesës tjetër të shoqërisë . Ju zotërinj që kaq shumë ju ha meraku për kolegët tuaj, si i harruat kaq shpejt gjithë ato sakrifica? Si harruat që me ta keni ndarë bukën netëve të llahtarshme  pa gjumë buzë  kufirit të Atdheut tuaj, apo majë malesh e nën tokë nëpër  tunele, në anijet e patrullimit mes detit në të ftohtët e dimrin? Ju që gjithë jetën tuaj më shumë e kaluat nëpër reparte se sa në shtëpitë tuaja duke gdhirë net të tëra pa vënë gjumë në sy, kaq shpejt i harruat shokët dhe sakrificat e panumërta.  Kaq pa kurajo dhe të pacivilizuar ju ka bërë paraja, dhe sahani i qelbur i Partive dhe Qeverive  në sistemin Kapitalist që e kamuflojnë  duke i vënë epitetin Demokraci? Kaq ju është ndryshuar ngjyra e gjakut ju sa ta kini kaq të vështirë  të uleni në një tavolinë si shokë dhe kolegë, që kini vuajtur tej mase për të qarë dhe për ti dhënë  zgjidhje halleve të shokëve  tuaj? Duhet patjetër të ulërini si tellalli dhe si ujqit për hallet tuaja nëpër gazeta? Po kush mendoni se do ja u zgjidh hallet tuaja orë ditëzinj? Gazeta apo politika që ka 22 vite që po ju poshtëron e diskriminon. Asnjë force politike në Shqipëri nuk i intereson bashkimi i ushtarakëve, pra i atdhedashësve siç janë ushtarakët. Këto forca politike të dala në këto 22 vite janë autore dhe përgjegjëse për tërë shkatërrimin ekonomik dhe ushtarak të Shqipërisë, të vënë me aq mund dhe sakrifica nga populli për 50 vjet. Këta kolegë bëjnë  gjoja sikur nuk kanë dijeni që Aleanca Kombëtare e ka realizuar bashkimin e ushtarakëve që para 2 viteve, por  vazhdojnë  t’i bien fyellit po në një brimë  sikur janë shumë të merakosur për shokët e tyre. Çudia që të bën të dyshosh është se  këta kolegë, bëjnë të paditurin  akoma edhe sot e kësaj dite, edhe pse atyre i është bërë e qartë çdo gjë rreth themelimit, organizimit, funksionimit, statutit, parimeve dhe objektivave që ka AKUSH-i. Pra, ata kanë kohë që e kanë të qartë që ushtarakët shqiptarë janë bashkuar  dy vjet më parë.  Ata e dinë që AKUSH-i as nuk shkrin as nuk shkrihet për t’u bashkuar. Por bashkohet me të gjithë shoqatat nëpërmjet bashkëpunimit pa bërë dallime për bindjet politike që mund të kenë vetë shoqatat apo individët. Ai çdo shoqatë e  konsideron me të drejta të barabarta në dhënien e mendimeve dhe marrjen e vendimeve. Ai nuk cenon e as prek integritetin dhe pavarësinë e jetës së brendshme dhe veprimtarinë e shoqatave. Eksperiencë tjetër për themelimin dhe strukturimin e AKUSH-it u mor edhe Shoqata e Ushtarakëve Amerikanë  “AMRA”, e cila përfaqëson rreth 360 Shoqata të Ushtarakëve Amerikanë. Themelimi i AKUSH-it është  mbështetur  shumë edhe tek skema e organizimit dhe funksionimit  të shoqatës më të madhe për mbrojtjen e të drejtave të Ushtarakëve Euuropian “EUROMIL”. Suksesi i zgjidhjes së problematikave tona varet jo nga numri i shoqatave, por nga predispozicioni, organizimi, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i mendimeve dhe veprimeve. Organizimit të njëshit pra me një shoqatë që propozoni ju i ka ikur koha. Ai organizim i takon sistemit që nuk është më. Koha sot për ne ushtarakët nuk kërkon skema e llafe po do angazhim, i cili na mungon. Zgjidhja e problematikave tona do kontribut real si mendor e fizik, por sidomos financiar. Mjaft ushtarakë sot nuk japin asnjë kontribut, por qëndrojnë indiferentë, ndërsa kur vjen puna për të përfituar diçka janë të parët. Të rish sehirxhi gjatë gjithë këtyre 20 viteve dhe të kujtohesh një ditë që ke qenë ushtarak detyrimisht që nuk do të përfitosh të drejta. Pra zgjidhja e problemeve nuk janë numri i shoqatave, por angazhimi në çdo kohë e me çdo mjet Kontributi dhe bashkëpunimi sjell suksesin dhe fitoren. Motoja që duhet të udhëhiqen  ushtarakët shqiptarë pavarësisht nga bindjet politike që kanë po qe se duan të fitojnë  të drejtat e tyre duhet të jetë: “KONTRIBUT DHE BASHKEPUNIM”. Këto janë dy elementët dhe faktorët bazë të vlerësimit të zërit, e vënies në vend të personalitetit të nëpërkëmbur të ushtarakut, por edhe të fitimit të të drejtave të tyre. Sot ushtarakëve jo duhet vetëm të organizohen dhe bashkëpunojnë në mënyrë perfekte. Baza është shtruar nga AKUSH-i tani duhet vetëm të bashkëpunojmë midis nesh ky është dhe kyçi i suksesit tonë. Referohuni shoqatës Evropiane të ushtarakëve EUROMIL-it se si funksionon ajo dhe vëreni në zbatim AKUSH-in këtë ka bërë dhe po bën e do të bëj edhe në të ardhmen, pasi kjo është rruga më e mirë  për ushtarakët shqiptarë. Gjithë variantet e  tjera që qarkullojnë sot apo do qarkullojnë nesër janë vetëm harxhim kohe dhe nuk i shërbejnë çështjes së të drejtave të ushtarakëve, por të grupimeve të tjera që nuk duan të respektojnë ushtarakët. AKUSH-i nuk duhet menduar vetëm për sot, por duhet menduar edhe për brezat që do vijnë. Pranimi i AKUSH-it me të drejta të plota si anëtare e EUROMIL-it jo vetëm që është një vlerësim i punës së bërë nga drejtuesit e tij, por është dhe një garanci më shumë për realizimin e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë dhe një detyrim më shumë që kjo shoqatë të perfeksionohet si gjithë shoqatat e kolegëve Evropiane për të mbrojtur të drejtat e Ushtarakëve. Së fundi  ju kërkojmë edhe një herë gjithë kolegëve tanë kudo ku ndodhen të bëhen pjesë e AKUSH-it për të dhënë secili ndihmesën e mundshme mendore, fizike apo dhe financiare për të mirën e tij dhe të shokëve me të cilët ka kaluar tërë ato sakrifica gjatë karrierës së nderuar ushtarake. Në mbyllje desha t’u them të gjithë shokëve flakini tej mëritë tregohuni zemër gjerë dhe burrëror bashkohuni për të bashkëpunuar për të mirën e të gjithëve.

Aleksandër MIHALI