Aleksandër Arvizu: Politika të përmbahet, retorika nacionaliste e rrezikshme

522
Sigal

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara ka bërë thirrje që politika shqiptare të frenohet nga deklarimet nacionaliste

Gjatë punimeve të konferencës mbi sigurinë në Ballkan, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë thirrje që politika shqiptare të frenohet nga deklarimet nacionaliste, pasi ato prishin ekuilibrin e marrëdhënieve me fqinjët dhe nxisin tensionet ndëretnike.  “Kjo konferencë e duhur vjen vetëm pak javë pasi Shqipëria festoi 100 vjetorin e Pavarësisë. Ky rast shumë i rëndësishëm shërbeu si një mundësi për të kthyer vështrimin pas në shekullin e fundit të ndryshimit siç u përjetua nga Shqipëria – dhe për t’u përsiatur mbi drejtimin e saj në të ardhmen”, tha Arvizu në nisje. Ai ka nënvizuar se, “Disa aktorë shqetësues ose veprime të pavenda të ndërmarra për përfitim afatshkurtër politik, mund të çrregullojnë rajonin dhe të trazojnë tensione etnike ose fetare mes kufijve. Rishtazi, Shtetet e Bashkuara kanë vënë re një rritje të pavend në reteorikën nacionaliste këtu në Shqipëri, veçanërisht në javët që çuan drejt festimeve të 100 vjetorit dhe pasuan më tej. Kjo reteorikë kontraston dukshëm me rolin e përgjithshëm pozitiv që Shqipëria ka luajtur tradicionalisht në rajon, sidomos me popullsinë etnike shqiptare. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe partitë politike, përfshirë opozitën kanë lëshuar në përgjithësi mesazhe të qarta, të përgjegjshme duke i inkurajuar popullsitë etnike-shqiptare që jetojnë jashtë vendit, të punojnë së bashku me qeveritë e tyre për të zgjidhur problemet e tyre” Kreu i diplomacisë amerikane la të nënkuptohet se, deklaratat e bëra nga kryeministri Berisha në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë kanë më tepër qëllime politike. “Retorika dhe veprimet nacionaliste, përveçse mund të destabilizojnë potencialisht rajonin, e dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë. Për shkak të deklaratave dhe pohimeve të ndryshme të debatueshme, të bëra në prag të festimeve të 100 vjetorit, dy vende fqinje anulluan pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje historike. Kjo mund të duket si një pasojë e vogël, për disa ndoshta si ato shënimet në fund të faqes, por është diçka që frenon marrëdhëniet, pengon komunikimin dhe bashkëpunimin dhe bën që zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura të bëhet shumë më e vështirë. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, i kushtojmë vëmendje kësaj”, tha ai. Ambasadori Arvizu tha ndër të tjera se thirrjet e Aleancës Kuq e Zi për referendum për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës nuk bëjnë gjë tjetër vecëse minojnë stabilitetin rajonal dhe frenojnë aspiratat integruese të Shqipërisë. Sipas tij SHBA, nuk mirëpret ndryshimin e kufijve në Ballkan.“Aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuar në etnicitet, për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike nëse zgjohen njëherë janë të vështira, në mos të pamundura për tu parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që përsonat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Thirrja e fundit nga Aleanca Kuq e Zi për referendumin për bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit euroatlantik të vendit, si dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen rajonale”, tha Arvizu. SHBA-të, sic nënvizoi Arvizu nuk mbështesin ndryshimin e kufijve në Ballkan. Përpjekjet për të bërë të kundërtën sjellin destabilitet, shtoi ai. “Më lejoni të jem i qartë si kristali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit, cdo përpjekje për ta bërë këtë është kundërproduktive destabilizuese. Partitë politike dhe drejtuesit e tyre duhet të përqendrohen tek ato që ata thonë se është e rëndësishme, integrimi euroatlantik. Fjala për një Shqipëri të madhe të rreme është një shpërqendrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot dhe votuesit nuk duhet të bien pre e kësaj. Nxisim drejtuesit e saj që të qartë në këtë element, zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të përcjellë mesazhe të përziera. Gjithashtu kërkojmë që politikanët dhe drejtuesit politikë nga i gjithë spektri të ripërtërijnë përkushtimin e tyre për të përcjellë mesazhe të përgjegjshme ndaj gjirthë shqiptarëve. Historia e kohëve të fundit tregon se nacionalizmi është ende një forcë e fuqishme në Ballkan”, tha ai më tej. “Vendet e rajonit kanë bërë përpjekje për të anashkaluar të shkuarën, nacionalizmi nuk duhet t’i prishë marrëdhëniet mes këtyre vendeve”, tha ai ndër të tjera.