Aleksandër Arvizu: “Do të mbaj betimin që bëra para senatit”

632
Sigal

ELBASAN/ Ambasadori i SHBA-ve i shoqëruar nga ministri Kosova merr pjesë në betimin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes

“Nuk kam një axhendë personale në Shqipëri, vij për t’i shërbyer qeverisë amerikane dhe vendit tim”, ka qenë ky mesazhi që i ka dhënë politikës shqiptare ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu nga qyteti i Elbasanit , ku ka marrë pjesë në ceremoninë e betimit të grupit të 16-të korpusit të paqes. “Tre vite më parë unë kam bërë të njëjtin betim para senatit, kur u emërova nga Shtëpia e Bardhë për të shërbyer në Shqipëri. Disa njerëz ndoshta do të thonë në këto zgjedhje se unë kam një axhendë personale, por realisht unë nuk kam një axhendë personale. Ne jemi këtu për të përfaqësuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky është përkushtimi ynë dhe premtimi për gjithsecilin prej jush”, kështu i është drejtuar Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu  kreut të qeverisë “Berisha” dhe kreut të opozitës Edi Rama, i cili ka marrë pjesë në betimin e 34 vullnetarëve të Korpusit të Paqes të grupit të 16-të, në një ceremoni, e cila realizohet në ambientet e teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit. Dje në Elbasan 34 vullnetarë të Korpusit Amerikan të paqes bënë betimin zyrtar pas përfundimit të trajnimit dhe nesër do të nisin të punojnë  pranë bashkive, organizatave komunitare, shkollave dhe qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. I themeluar në vitin 1961 nga Presidenti John Kennedy, misioni i korpusit të paqes është të promovojë mirëkuptimin ndërkulturor midis amerikanëve dhe popujve të tjerë si dhe të kontribuojë në nevojat për zhvillim të vendeve pritëse. Në këtë ceremoni betimi ka marrë pjesë zv/ministri i Mbrojtjes Ferdinand Poni, përfaqësues të pushtetit lokal si dhe Ministri i Shëndetësisë Halim Kosova, i cili ka qenë paraditen e të enjtes në Elbasan për të inspektuar punimet në spitalin kirurgjik dhe obstetri, i cili është ndërtuar fal një investimi prej 150 milionë lekësh nga qeveria shqiptare. Gjatë kësaj vizite ministri Kosova tha se, ky spital është një investim tepër i rëndësishëm i Qeverisë Shqiptare dhe vlera e tij do të jetë 100% kur popullata e Elbasanit do ta ketë në dispozicion me kushtet më bashkëkohore ashtu si në të gjitha vendet e tjera të Europës.